Home KRYESORE Burgjet në Itali, shqiptarët renditen të tretët mes të burgosurve të huaj,...

Burgjet në Itali, shqiptarët renditen të tretët mes të burgosurve të huaj, 1505 fëmijë pa prindër

“Rreth 2474 shtetas shqiptarë janë të privuar nga liria në institucionet italiane, mes të cilëve 28 janë gra. Shqiptarët renditen të tretët për nga numri mes të burgosurve të huaj në Itali, duke zënë rreth 13% të numrit të tyre të përgjithshëm.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, së bashku me disa përfaqësues dhe ekspertë nga institucioni zhvilluan një vizitë në Itali ku është takuar me kreun e institucionit të Garantuesit Kombëtar të të drejtave të të dënuarve ose personave të privuar nga liria, Mauro Palma.

Avokati i Popullit konstatoi një fakt mjaft shqetësues, prezencën e 1505 të miturve shqiptarë të pashoqëruar nga prindërit në qendrat e pritjes, nga të dhënat e fundit të regjistruara më 31 tetor 2016.

Fëmijët shqiptarë të pashoqëruar në Itali zënë rreth 9.5% të të gjithë fëmijëve të pashoqëruar që kanë shkuar në Itali dhe, renditen të tretët pas atyre nga Egjipti dhe Gambia. Bashkëpunimi për mbrojtjen e të drejtave të tyre mori një vëmendje të veçantë gjatë takimeve me palën italiane.

Avokati i Popullit së bashku me ekspertët e institucionit zhvilluan vizita monitoruese në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Santa Maria Capua Vetere, në rajonin e Campania-s, ku ndodheshin 26 shqiptarë.

Fillimisht nga pala italiane u shpjegua metodologjia e punës së tyre dhe më pas stafet u ndanë përkatësisht në grupe për të inspektuar brenda në regjim. U vizituan ambientet e brendshme dhe të jashtme, u pyet stafi dhe u kryen intervista me të dënuarit.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, mori kontakte të drejtpërdrejta me shtetasit shqiptarë që vuanin dënimin në këtë institucion. Ata u ankuan se ndihen krejtësisht të braktisur nga strukturat e shtetit shqiptar.

Share: