Home KRYESORE Debati për tallavanë, Flori: Mbarojnë kanto dhe këndojnë në dasma, Olti Curri...

Debati për tallavanë, Flori: Mbarojnë kanto dhe këndojnë në dasma, Olti Curri ka një përgjigje për Endrin dhe Stefin

Ditën e djeshme në “E diela shqiptare” u fol për muzikën. Të ftuar ishin anëtarët e jurisë së të rinjve në këtë edicion “Kënga Magjike”, sociologu nga Kosova Ferdi Kamberi dhe pas disa kohësh mungesë edhe kantautori Flori Mumajesi të cilin Gjebrea e prezantoi me batutën “Mirë se u riktheve në shtëpi”.

Biseda nisi me diskutimin nëse duhet të ketë në festivale këngë me ritme popullore pas akuzës së vëllezërve korçarë Endri dhe Stefi Prifti ndaj këngës “Mirëmëngjes dashni” të Artiola Toskës dhe Brunos.

I pari foli opinionisti Olti Curri i cili deklaroi se për aq kohë sa publiku i do, këngë me motive popullore gjithnjë duhet të ketë. Ai mori si shembull vetë producentin Gjebrea i cili vite më parë solli risi në muzikë e më konkretisht në “Festivalin e Këngës” në TVSH kur këndoi me grupin polifonik të jugut.

Gjithashtu Olti u shpreh se ata që hapën këtë debat para shumë vitesh kanë qenë konkurrentë në ‘Kënga Magjike’ me bashkëpunimin me Çiljetën me këngën ‘Serenata’ që kishte motive popullore. Si pjesë e panelit, këngëtarja e njohur Juliana Pasha u shpreh se për të nuk kishte asnjë problem të përfshihej folklori në muzikën e lehtë shqiptare, por ajo dhe Dj Sardi ishin kundra muzikës tallava, duke e konsideruar atë thjesht një ritëm.

Dyshen e jurisë do ta kundërshtonte fort kantautori Flor Mumajesi, i cili u shpreh se muzika nuk është ndonjë filozofi e madhe, muzika është shije dhe nuk mund të imponohet, mjafton të sygjerohet. “Shumë këngëtarë që flasin për vlera sot, mbarojnë për kanto dhe këndojnë në dasma. Edhe tallavaja është diçka e tillë, një miks ritmesh, pra dhe një lloj muzike shumë e pëlqyer në jetën e natës”, – vazhdoi ai. Flori u kthye pas në kohë duke kujtuar këngën e tij ‘Tallava’, me të cilën ka ironizuar njerëzit që shanin tallavanë dhe në fund shkonin e shijonin atë. “Mua më pëlqen të ndryshoj, të eksperimentoj” – iu përgjigj ai pyetjes nga Venera Lumani se pse ndryshon shpesh në krijimin e këngëve. “Unë sugjeroj, nuk imponoj. Dua të sjell tendenca të reja, që publiku i ka pritur mjaft mire”.

Debatet vazhduan, duke vënë në qendër Florin dhe krijimet e tij, por sigurisht ai mbetet një nga nga këngëtarët dhe kantautorët më të suksesshëm të muzikës shqiptare dhe gjithmonë prurjet e tij kthehen në hite./360grade.al

Share: