Home KRYESORE Astrit Patozi: Ja pse u bashkova me Ben Blushin

Astrit Patozi: Ja pse u bashkova me Ben Blushin

Kryeministri Edi Rama do të përballet me 7 deputetë të parlamentit për çështjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Një ditë më parë kreu i LIBRA, Ben Blushi së bashku edhe me 6 deputetë të tjerë dorëzuan zyrtarisht në kuvend kërkesën për një interpelancë urgjente me Kryeministrin Rama lidhur me shtyrjen pa afat dhe pa një datë për hapjen e negociatave të BEsë me Shqipërinë.

Nismës së Ben Blushit për zhvillimin e një interpelance me Kryeministrin Rama i janë bashkuar edhe deputetët Mimoza Hafizi, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Vangjel Dule dhe Agron Duka.

Në listën e deputetëve që kanë firmosur për një llogaridhënie nga ana e kryeministrit për çështjen e negociatave është edhe emri i deputetit demokrat, Astrit Patozi.

I kontaktuar nga “Panorama” në lidhje me mbështetjen e kësaj interpelance, Patozi sqaron se firma e tij nuk lidhet thjesht me nevojën që kërkesa kërkon 7 firma deputetësh, por edhe bindjen e tij që qeveria duhet të japë llogari në Parlament për dështimet e saj spektakolare.

“Nuk është nisma ime, por e Ben Blushit. Natyrisht, unë e kam mbështetur, jo thjesht për shkak të Rregullores së Kuvendit, e cila kërkon të paktën 7 deputetë për një interpelancë, por edhe se është në përputhje me bindjen time se qeveria duhet të japë llogari në Parlament, sidomos për dështimet e saj spektakolare”, sqaron Patozi për “Panorama”.

Share: