Tre vjet më parë, Niloofar Rahmani u bë femra e parë pilote në ushtrinë afgane dhe mori status si një simbol i luftës për të drejtat e femrave në këtë vend.
Televizione të shumta i bënë reklamë këtij emancipimi të ushtrisë afgane, që tashmë i hapi dyert femrave edhe për poste që mbaheshin vetëm nga meshkujt, një hap më shumë drejt barazisë gjinore. Por, tre vjet më vonë, “muaji i mjaltit” ka mbaruar dhe pilotja Niloofar Rahmani ka kërkuar azil në SHBA, pasi nuk ndihet më e sigurtë në Afganistan.
Avokatja e saj tha se Rahmani, veç kërcënimeve me vdekje nga talebanët, që nuk janë asgjë e re, është sulmuar shumë edhe nga shefat e saj, të cilët para kamerave buzëqeshin, por absolutisht nuk duan të punojnë me femra. Prej një viti, 25-vjeçarja Rahmani jeton në SHBA, ku kishte ardhur për t’u stërvitur me forcat amerikane dhe tashmë kërkon azil, pasi mendon se jeta e saj nuk është e sigurtë në Afganistan.
Zyrtarë të lartë të ushtrisë afgane si gjenerali Muhammad Radmanish i kërkuan SHBA-së të refuzojë azilin e saj, pasi ajo gënjen thjesht për të fituar azil. Në publikun e gjerë afgan, gjesti i Rahmanit ka shkaktuar reagime të ndryshme. Shumë mendojnë se ajo ka të drejtë dhe se kokëfortësia për t’u ndeshur me mentalitetin vendas mund t’i kushtojë jetën, ndërsa të tjerë thonë se ajo është një tradhtare dhe duhet konsideruar si e tillë.
Sidoqoftë, largimi i saj dhe kërkesa për azil në SHBA është cilësuar nga analistët si një humbje për të drejtat e femrave në Afganistan./ Top Channel