Home KRYESORE “B92” – Shqipëria dhe Serbia të lidhin marrëveshje bashkëpunimi ushtarak

“B92” – Shqipëria dhe Serbia të lidhin marrëveshje bashkëpunimi ushtarak

Veran Matiç, kryeredaktor i radios serbe B92 dhe Kryetari i Bordit të Drejtorëve të B92, është i mendimit se Shqipëria dhe Serbia kanë hyrë në një fazë konstruktive dhe të dyja vendet i kanë njohur mirë përfitimet e bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit.

Z. Matiç, i cili është gjithashtu publicist i njohur, bëri një pasqyrë të mprehtë e të plotë të asaj që ka ndodhur gjatë vitit 2016 në marrëdhëniet serbo-shqiptare dhe ndikimin e tyre në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe për perspektivën e integrimit në BE. Por ai shpreh keqardhje që Memorandumi ndërshtetëror për bashkëpunimin kulturor nuk është nënshkruar ende, ndërkohë që pret nënshkrimin e memorandumeve të tjera në fushën e turizmit, edukimit duke përfshirë edhe marrëveshjen e ushtarake.

Krijimi i komunikimit të rregullt ndërmjet kryeministrave Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama është duartrokitur nga z. Matiç, i cili ka përshtypjen se të dy udhëheqësit do të vijojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Ata kanë vizione për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për marrëdhëniet rajonale, kanë një emërues të përbashkët që të çon drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike, por duke i ruajtur tiparet e tyre të veçanta”, thekson ai.

Zoti Matiç këmbëngul se Shqipëria dhe Serbia duhet të nënshkruajnë një memorandum për bashkëpunim ushtarak, sepse, sipas tij, kjo marrëveshje do të ndikonte pozitivisht në sigurinë dhe uljen e tensioneve të mundshme. “Jam i bindur se kjo mund të ketë ndikim pozitiv për sigurinë e qytetarëve në Kosovë,” thotë ai, duke shtuar se të gjithë duhet të bëhen anëtare të NATO-s. Z. Matiç mendon se krerët e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe të tjerë që mbajnë pushtetin sot në Kosovë, duhet të marrin pjesë në të gjitha këto procese.

Duke bërë thirrje se njerëzit në Ballkanin Perëndimor nuk kanë nevojë të udhëhiqen në politikë nga stereotipe të përcaktuara të politikave të gabuara, Matiç shpreh dëshirën e fortë për ndërtimin e “bashkimit tonë ballkanik në mënyrë të qëndrueshme, që duhet të bëhen pjesë e natyrshme e BE-së”

Share: