Home KRYESORE Situata në Kosovë dhe heshtja e pazakontë e Serbisë!

Situata në Kosovë dhe heshtja e pazakontë e Serbisë!

Nga Enver Bytyçi

Këto dy ditët e fundit situata në Kosovë është tensionuar në kulm. Në parlament dhe para policëve opozita nuk përdori kësaj radhe vetëm gazlotsjellës, por edhe sprajt helmues. Madje vetë sprajthedhësja, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiaj, u dëmtua nga sprajti dhe gazi, sa u detyrua të shkojë në dyert e spitalit.

Përsëri autorë të gazit e sprajtit ishin deputetët Albin Kurti, Kada Bujupi, Albulena dhe një tjëtër protagonist i VV. U bllokuan punimet e parlamentit, buxheti i shtetit për vitin që vjen gjithashtu është bllokuar. Kërkesa e opozitës vazhdon të jetë anullimi i marrëveshjes së Asosacionit të komunave serbe dhe i marrëveshjes me Malin e Zi për kufirin. Ne vend të debatit e argumentit të munguar, në rrugët e Prishtinës ka protesta që shoqërohen me gurë e mjete të forta nga demonstruesit si dhe me gazlotsjellës nga ana e policisë. Gjykata ka urdhëruar arrestin e katër deputetëve, për shkak të të cilit një prej të cilëve, zonja Bujupi, tashmë gjendet në paraburgim, ndërsa tre deputetët e VV kanë ikur në drejtim të paditur, për t’u shfaqur ditën djeshme në protestë bashkë me përkrahësit e tyre e përsëri për t’u fshehur në ndonjë vrimë. Isa me Thaçin ia hypën avionit, se i kishte thirrur Mogerini në Bruksel. U takuan edhe me presidentin e Komisionit, Junker. Ndoshta për ta vazhduar pajtimin “historik” me Serbinë.

E si për çudi, në Beograd askush nuk është shqetësuar për atë që ndodh në Kosovë, edhe pse sa herë presidenti, kryeministri e shefi i diplomacisë serbe flasin, deklarojnë se “Kosovo e Metohi është territor serb”. Edhe unë kam filluar tani të besoj se “Kosova po shndërrohet pak nga pak në një territor serb”. Po të mos ndodhte kjo, pra nëse gazi, sprajti, protesta, korrupsioni i qeveritarëve, përfshi dhe këta të opozitës që kanë qenë në pushtet, do ta largonin Kosovën nga Beogradi e nga Serbia, me siguri që politika, akademia, kisha serbe do të jepnin alarmin. Përkundrazi, askush nuk ka folur kundër veprimeve të Albin Kurtit, madje duket se në Beograd ka një entusiazëm të justifikuar për atë që bën Albini në Prishtinë kundër institucioneve të Kosovës. Askush në Beograd nuk është shfaqur i shqetësuar për faktin se politikanët e qeveritarët, me përjashtime natyrisht, janë zhytur në korrupsion dhe basjkëpunojnë me krimin ekonomik, pa përjashtuar dhe bashkëpunimin me mafien serbe.

Beogradi po i vëzhgon ngjarjet në Prishtinë më një qetësi të pazakontë për të. Ndërsa në veriun e Kosovës, të cilën “e mbron” Albini, ekstremisti serb, Dardan Molliqaj është shfaqur solidar për ato që Vetëvendosja po kryen në Prishtinë. Si qeveria me korrupsionin dhe kapjen prej tij, ashtu dhe Vetëvendosja me arrogancën e dhunës kundër institucionit të parlamentit po i bëjnë Serbisë shërbimin e paimagjinueshëm disa vite më parë. Ndërsa bota e qytetëruar po sheh e po tallet me papjekurinë dhe inatin prej injorantësh të politikanëve në Prishtinë.

policia e kosoves ne shkolle4Miqtë e Kosovës e të shqiptarëve u shfaqën të shqetësuar dhe folën pa ngurim. Një ish-ushtar britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha troç se këto veprime po e bëjnë Kosovën gazin e botës dhe se UÇK nuk luftoi që politika në Kosovë të sillet në këtë mënyrë. Ambasadori amerikan për të disatën herë i ka kritikuar veprimet e opozitës dhe ka bërë thirrje për maturi nga të dy palët. Po kujt po ia kërkon ai këtë maturi? Ai e di se janë në përballje dy palë: Njëra e inkriminuar në korrupsion dhe pala tjetër e dehur nga deliri për të ardhur me dhunë në pushtet, me qëllim që t’i shijojë edhe kjo palë frutet e korrupsionit.

Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, ishte më e drejtpërdrejtë, Ajo konstatoi nëpërmjet një shënimi në faqen e saj të FB se kjo situatë e krijuar nuk është thjesht dhe vetëm për shkak të marrëveshjeve. Nëse kjo do të ishte për shkak të marrëveshjeve, iniciativa e Presidentes dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullim të përkohshëm do të ishte shfrytëzuar si një mundësi për t’u angazhuar në dialog dhe diskutim për këto çështje. Kjo mund të jetë një tentativë për të çuar vendin në zgjedhje të reja, për të dëshmuar se Qeveria është e pasuksesshme, tentativë për t’u përfshirë në pushtet ose një tentativë për të spostuar (shtyrë) disa procese të tilla si funksionalizimi i Gjykatës Speciale; hakmarrje ndaj Kryeministrit ose të gjitha këto së bashku. Ose ndoshta janë të tjera arsye, por jo dy marrëveshjet. Kjo është e qartë për ne”.

Unë jam i prirur t’i besoj zonjës ambasadore, jo thjesht se ajo përfaqëson një vend mik të Kosovës, Shqipërisë e shqiptarëve, por se i njoh gjermanët. Ata janë të drejtpërdrejtë, ata edhe diplomacinë e bëjnë të tillë, pa lajka, pa doreza diplomatike, pa patur frikë se humbasin ndikim, nëse shfaqen ashtu siçjanë e siç mendojnë. Por të tillë janë treguar të gjithë diplomatët e vendeve mike. Vetëm ndonjë diplomat mik i Rusisë dhe i Albin Kurtit, mund ta ketë këshilluar këtë të fundit që t’i vejë flakën i Kosovës, kësaj radhe jo për bashkimin e saj më Shqipërinë, por për “bashkimin” ose “ribashkimin” e Kosovës me Serbinë.

Vetëvendosja e shpall “armik” ambasadorin e SHBA-ve. Të shohim çfarë do të thotë për ambasadoren gjermane në Prishtinë. Natyrisht ideologjia, së cilës i përmbahet ajo e detyron të orientohet kah lind dielli e jo kah perendon dielli. Ndryshe nuk mund të ndodh që të shpallësh të padëshirueshëm ambasadorin e vendit që ka kontribuar miliona herë më shumë se Albini e albinët për çlirimin e Kosovës, pra ambasadorin e SHBA-ve.

policia e kosoves ne shkolle2Nuk e di deri ku do të shkojë kjo verbëri politike e njerëzore, por jam i bindur se policia do t’i ekzekutojë urdhërat e gjykatës për arrestimin e Kurtit, Haxhirajt dhe një tjetri deputeti të VV. A do ta zgjidhë konfliktin kjo masë. Jam dhe do të jem skeptik për këtë. Dhuna gjeneron dhunë. Por shpresoj se qytetarët e Kosovës nuk do të mbështesin aventurat e politikanëve të tyre në pushtet ose në opozitë. Nëse politikanët në rolin e gjeneralëve mbeten pa ushtarë, atëherë ata do të detyrohen të shkojnë drejt arsyes dhe të veprojnë sipas arsyes. Arsyen e veprimit politik e shpreh shumë qartë ambasadorja gjermane. Eshtë e tepërt të vijoj më tej më ndonjë argument shtesë.

Share: