Home KRYESORE Na lodhët!

Na lodhët!

Nga Zamira Cavo

Na lodhët! Ia arritët qëllimit: Na lodhët! 25 vjet që bëni sikur po vriteni me njëri tjetrin, 25 që e mashtruat popullin dhe bëtë si iu desh qejfi me të! 25 vjet që na vodhët të ardhmen dhe na ropët lëkurën! 25 vjet që po na lini pa atdhe! 25 vjet që na detyruat të mendojmë si të ikim nga vendi ku kemi varret e të parëve! 25 që na ngritë buzëqeshjen që ju të qeshnit me ne!

Dhe sot kërkoni të na bëni dhe idiotë! Mirë e keni! Sot na shtyni të dëgjojmë se si i bëni presion njëri tjetrit. Sot po na mbushni mëndjen se jeni të ndershëm, se po përpiqeni për drejtësinë, se e doni Vettingun. Sot po na detyroni të merremi me zënkat tuaja më shumë se me hallet tona! Bravo ju qoftë! Por mos harroni Nuk jemi idiotë dhe pse shpesh jemi treguar të tillë. Ndoshta duhet ajo pika e fundit që të derdhet gota e mbushur plot!

Po si ka mundësi që bëtë si bëtë dhe i shvlerësuar institucionet e shtetit? Kush do besojë më në institucionin e Presidentit? Ia dolët ta shndërronit në gaztor këtë institucion. Po parlamentin kush e beson? Po si ka mundësi që Kryetari i Kuvendit i kërkon Presidentit të mbledhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të arrestuar një person i cili është përfolur për lidhjet e tij me kryeparalemtarin?

Kujt doni tja shisni si ndershmëri këtë pacavure të rëndomtë të presioneve personale? Po si ka mundësi që kryeminsitri rri dhe hesht kur ministrat e kabinetit të tij i dalin jo vetëm kundër por edhe e akuzojnë vetëm sepse janë ministra të një partie tjetër? Jo me falni harrova, kryeministri cicëron ose facbukon me orë të tëra për magjitë e rilindjes .Pastaj bëni sikur ju dhemb shpirti për fatet e vendit.

Nxirrni lakenjtë tuaj të llomotisin e tja bëjnë mëndjen corbë njerëzve. Madje bëjnë seriozin para kamerave dhe jashtë tyre na nxjerrin gjuhën. Dhe e dini kush është më e bukura? Kujtoni se ne nuk i njohim lakenjtë tuaj ashtu si ju njohim ju. Kujtoni se ne harrojmë bëmat e tyre dhe tuajat. Kujtoni se nuk I njohim Sekretarët, antarët e kryesive tuaja, zëvëndësit dhe zëdhënësit tuaj!?Këtu gaboni ju! I njohim shumë mirë por kemi heshtur dhe pritur që të vijë momenti I duhur.

Po si e katandisët këtë vend, në një vend ku ligjin nuk e bën i forti por e bën maskarai, ai që bën të ndershmin e ai që të vret e të zhduk duke të rrahur shpatullat?! Arritët të bëni një shtet që tu shërbëjë vetëm juve dhe një popull që ju pasuroi deri në brezin e shtat! Bravo ju qoftë! Dhe tani na bëni idiotë! Por nuk jemi idiotë jo!

Provjoni në këto zgjedhje të dilni pa koalicione. Provoni të dilni vetëm si parti! Dhe do ta shikoni se cfarë meritoni! Madje mire do ishte që Komisioni Qëndror i zgjedhjeve të mos ju lejonte kualicione parazgjedhore. Provojeni njëhërë veten dhe pastaj ai që fiton le të bëjë dhe koalicionin. Por Mjaft më me 1 prille, me 21 janare, me Gerdece me… Na lodhët! Duhet fare pak që ajo pika të derdhet dhe pastaj.. Pastaj fjalën e ka populli!

Share: