‘BalkanWeb’ zbardhi dokumentin e policisë italiane mbi identitetet e rremë që ka mbajtur ish deputeti socialist Armando Prenga në Itali, i cili tashmë po hetohet në kuadër të ligjit të dekriminalizmit. Në dokumentet e policisë italiane të siguruar nga ‘BalkanWeb’thuhet se Mondi Prenga, i lindur më 26.06.1974 ka përdorur identitete të ndryshme si: Ardian Ndoka, Mond Gjoni, Don Gjoni dhe Arjan Ndoci.
Gjithashtu sipas dokumentit të policisë italiane Prenga ka precedentë penalë të mëparshëm si grabitje, falsifikim dokumentesh dhe krim prone. Kujtojmë se Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ti ndërpritet mandati deputetit të Kuvendit, Armando Prenga, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
“Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit, pasi rezulton që nuk ka deklaruar: një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 000 lekë gjobë: si edhe faktin që rezulton me precedentë penale në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.