Nga Kasem Seferi
“Analistë“ që përditë e më shumë po pasurohen duke u shitur te pushteti (me këtë rast i rekomandoj ILKDPI – së të bëjë detyrën për të verifikuar pasurinë e tyre), hedhin lloj – lloj “karremi“ për ta adresuar krejt ndryshe të vërtetën e protestës së nisur në 18 shkurt 2017.
Argumentoj:
Fillimisht, në një protestë, ashtu si një roman, pjesa më e vështirë për të profetizuar është fundi i saj. “Analistët“ e lartpërmendur e bëjnë këtë në kurriz të së ardhmes së popullit dhe demokracisë.
Mjafton që të të ardhurat e tyre të rriten, pikërisht, nga pagesat nën dorë prej atyre që ushtrojnë “diktaturën“ e pasurisë që u ka dhënë pushteti i të qenit të zgjedhur nga vota e qytetarit shqiptar dhe në bashkëpunim me të gjithë ata që ushtrojnë veprimtari të privilegjuar ekonomike ose të paligjshme.
Kjo protestë është një nga format e revolucionit demokratik që, deri tani për nga forma dhe veprimet, krahasuar me atë të 21 janarit 2011, nuk bart ngjashmëri me ndonjë grusht shteti, që institucionet i sulmon me dhunë për të zevendësuar një elitë me një tjetër.
Lëvizje të tilla tipike për një revolucion demokratik karakterizohen për nga pjesëmarrja dhe përkrahja popullore që, kur shikon se nuk po synon interesat e qytetarit në përgjithësi, e braktis atë sikundër vinte në dukje analisti Fatos Lubonja me simbolikën e “të zbriturit nga barka“.
Shkurt, pa tjerrje llafollogjike të “analistëve” të paguar, që profetizojnë mjetet, mënyrat, rrugëzgjidhjet dhe fundin e protestës, jot ë gjitha betejat/lëvizjet revolucionare demokratike janë të njëjta me legjitimitetin demokratik që përcakton kushtetuta e vendit.
Në kontekstin e mësipërm, kjo lëvizje, parë dhe vlerësuar deri tani nga forma dhe përmbajtja e saj, nuk është pjesë dhe parcelë e një kulture dhe ndjeshmërie demokratike që është “shijuar“ nga populli/qytetari shqiptar deri tani.
Është pjesë dhe parcelë e një kulture dhe ndjeshmërie demokratike të fortë, që i përgjigjet zhvillimeve në këto vite në kuadrin e brendshëm, rajonal dhe më gjërë.
Për ata që mendojnë të kundërtën nuk ngelet gjë tjetër për të thënë se sa një mungesë e theksuar vizioni për të ardhmen e vendit, ose më saktë: Nuk e dua Shqipërinë!
Protesta në fjalë, sikundër edhe të tjerat më parë, në formë, por jo në përmbajtje, është një mjet kushtetues, që po përdoret si një risi (në qoftë se nuk do të ndërrojë kahje), dyshim ky që besoj se edhe politikanë brenda të majtëve i bën që të hezitojnë t’i bashkohen protestës, me justifikime që më shumë janë rezultat i marrëdhënieve personale se sa thelbi i shqetësimit për rrezikun e zgjedhjeve që ata kanë ngritur në parim.
Pyetja kryesore në lidhje me këtë protestë, e paligjëruar deri tani, por e nënkuptuar me diskurset e shumta të të gjithë palëve është: A janë deputetët e tanishëm pushteti i lartë i sovranit i deleguar te ata?!
Populli/qytetari po kërkon përgjigje. Ata që ishin në protestë nuk ishin, thjesht, përkrahës të PD – së, PR – së, etj, etj,.
Është një popull i tërë që kërkon të çlirohet nga një barrë e rëndë që u ka ngarkuar pushteti i vjedhur i tërë që kërkon të çlirohet nga një barrë e rëndë që u ka ngarkuar pushteti i vjedhur prej votës së dhuruar (me vullnet ose jo) prej tij, që nuk i ka sjellë gjë tjetër veçse varfërim dhe përulje deri në dhimbje.
Askush nga ata të zgjeshur nuk është ngritur të ngrejë zërin për çmimin e energjisë, ujit, arsimit, shëndetsisë, abuzimeve me pronën publike dhe pasurinë e vendit, kthimin mbrapa në zakonet prapanike (duke abuzuar me Kanunin), largimit nga integrimi me Europën, thjesht, për pasuri dhe kënaqësi vetiake në kurriz të popullit dhe vedit më të varfër në Europë.
Në këtë gjendje nuk ka domethënie tjetër veç asaj se shteti/ligji nuk vepron. Ka rënë shteti i vërtetë. Komandon shteti i kapur nga … “dreqi dhe i biri“.
Ja përse ka filluar kjo luftë politike (protesta)!
Ushtrimi i pushtetit të qytetarit, deleguar te përfaqësuesit e tij në 2013, normalisht, në raport me premtimet dhe plotësimin e tyre për të përmisrësuar jetën e zgjedhësit/qytetarit nuk duhej të grumbullonte pakënaqësi, ashtu sikundër ka grumbulluar në mënyrë të padiskutueshme për askënd.
E pranuar kjo e vërtetë brengda dhe jashtë vendit!
Pra, sikundër një analist do të përmendte fjalën greqishte “Agora“ (vend grumbullimi në Athinën e Greqisë së Lashtë, ku dëgjohej fjala e çdo qytetari – që sot merret me mend se bëhet nëpërmjet votës së lirë) nismën e merr në rrugë në formën e grumbullimeve në rrugë ku qeveria nuk duhet të ndërhyjë.
Protesta të tilla demokratike, sikundër përvoja botërore dhe kjo jona edhe pse e vogël, dëshmojnë dhe hedhin idenë se nuk mbarojnë kurrë.
Ato bëjnë pushim për të marrë frymë që të rinisin përsëri.
I ngjajnë shtegtimit të rosave që kënga popullore tironse e përshkruan aq bukur, thjesht, me fjalët: “… o, bojnë pushimin në Barbullush!“.
Çadra “Barbullush“ ndodhet nën dritaret e Kryeministrit.
“Rosat“ e demokracisë së Shqipërisë sapo i kanë ngritur flatrat e “fluturimit“ drejt një niveli më të lartë demokratik.
Të presim dhe të shohim se si Ai dhe të Tjerë me rëndësi do t’i përgjigjen këtij “fluturimi“!
Kush tjetër do t’i zbresë “varkës” si Fatos Lubonja?!
Kasem Seferi – qytetar