Home KRYESORE Shqiptarët nuk besojnë përrallën e rritjes ekonomike!

Shqiptarët nuk besojnë përrallën e rritjes ekonomike!

Nga Sorina Koti

Një paketë fiskale që shtrëngon si me darrë biznesin e shoqëruar me reduktimin e shpenzimeve, pothuajse në të gjithë sektorët zhvillimorë e bëjnë projekt-buxhetin e vitit 2016 një lak mbytës për ekonominë e vendit. Ky buxhet me cen kërcënon të vdesë frymëmarjen e pakët të ekonomisë.

Të gjithë treguesit e viteve 2014 dhe 2015 na dëshmojnë një realitet aspak pozitiv për ekonominë e vendit tonë. Buxheti është instrumenti me të cilin Qeveria realizon ndërhyrjet për vitalizimin e ekonomisë. Por, projekt-buxheti i vitit 2016 parashikon rritje të të ardhurave me 5% dhe nga ana tjetër, po me 5% parashikon ulje të investimeve publike.

Po si do të rriten të ardhurat? Vetëm nga rritja e taksave dhe e tatimeve? Çfarë garancie ka që këto të ardhura do të vijnë nga rritja ekonomike kur planifikohet ulje e shpenzimeve publike? Në një periudhë recesioni, ose krize ekonomike, nga kush pritet të vijë rritja ekonomike përveç se nga stimulimi qeveritar, i cili nëpërmjet veprave publike krijon më shumë punë, më shumë qarkullim, më shumë kërkesë për biznesin? Ulja e investimeve publike me 5%, është si një “ice bucket” që tenton të duket si një vëmendje apo kujdes i shtuar për ekonominë por, në fakt, vetëm sa ia shton të dridhurat ekonomisë, më keq se lëngata e të sëmurit me parkinson.

Këmbëngulja për të mbajtur në nivelin 15% tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat, edhe pse u dëshmua me efekt devastant mbi investimet e biznesit dhe mbi vendet e punës tregon më shumë se pandjeshmëri, tregon paaftësi për të kuptuar sinjalet e ekonomisë. Mungesa në projekt-buxhette edhe e çdo stimuli tjetër fiskal është lajm i keq edhe për instrumentin jetik që ka ekonomia jonë, investimet e huaja. Këto janë goditje që do të prekin shtresën e mesme e të ulët, që janë masa më e madhe e popullsisë dhe që do të reflektohet në uljen e konsumit dhe të investimeve në përgjithësi.

Kur paketa fiskale nuk ka asgjë vizionare dhe nuk reflekton asnjë nga kërkesat e grupeve të interest, si do të gjallojë sipërmarrja? Kur biznesi është mbingarkuar me kontrolle të përësritura e të zgjatura që shtojnë kostot e tij, kur shtohet për ditë arbitrariteti i kontrollorëve, kush do të guxojë të riinvestojë, kush do të guxojë të çelë një biznes?

Mbështetja e gjerë që gjetën propozimet e opozitës për biznesin e vogël, si dhe presioni i vetë biznesit, shtrënguan maxhorancën të kryej disa ndërhyrje në dukje lehtësuese …. Por, duke qenë të bëra nga zorri dhe jo pjesë e një filozofie dhe vizioni të qartë këto masa mbeten gjysmake dhe ndikimi I tyre do të jetë doemos i limituar.

Ndërhyrjet në Akcizë duken konfuze dhe pa asnjë efekt pozitiv për prodhimin vendas. Më e dukshme bëhet kjo në rritjen e akcizës për birrën vendase me 11%, dhe uljen e akcizës për birrën e importit me 14%. Kjo masë do të ndikojë në rritjen e të ardhurave në doganë nga zëri importi i birrës, por ekonomia do të dëmtohet nga rënia e prodhimit vendas. Ky është një shembull që tregon qartë filozofinë e mbrapshtë të kësaj maxhorance, e cila e kupton buxhetin si një thes që duhet të mbushet me paratë që prodhon ekonomia dhe jo si një instrument që duhet të nxisë ekonominë dhe zhvillimin.
Profesionet e lira do të taksohen më shumë vitin që vjen, sepse do të paguajnë tarifë fikse pavarësisht masës së qarkullimit, si dhe do të jenë të detyruar të paguajnë kontribute mbi pagen maksimale. Këto ndryshime do të reflektohen në rritjen e çmimeve për shërbimet.

Në aspektin e shpenzimeve ky projekt-buxhet nuk jep asnjë lajm të mirë për shqiptarët. Ministria e shendetesise nuk ka asnjë fond shtesë për rritjen e investimeve dhe kujdesin minimal të pacientëve. Tani, përveç të shtunës e të djelës, kur sipas Ministrit edhe mund të vdesësh sepse nuk ka shërbim urgjence në kardiologji, rrezikojmë të na shtohen mungesat dhe të jemi edhe më shumë në dorë të Zotit për vitin që vjen.

Projekt-buxheti 2016 paralajmëron edhe shkurtime në administratën publike me 7200 vende pune, nga të cilat më shumë goditet sektori i arsimit. Qeveria nëpërmjet këtij buxheti duket se heq dorë nga cilësia e mësimdhënies, pasi shkurton 7105 mësues që do të lenë vendet e punës. Projekt-buxheti parashikon 10% me pak fonde për vitin që vjen, pa përmendur faktin që ka zero fonde për universitetet dhe kërkimin shkencor. Pas disa vitesh, ose një dekade do e ndjejmë se çfarë dëmi të parikuperushëm po i bëhet arsimit, profesionalizmit dhe zhvillimit të këtij vendi.

Por, ka edhe njerëz që do të marrin lajme të mira nga ky projekt-buxhet. Ata që punojnë afër Kryeministrit duhet të gëzojnë se thesi i tyre do të jetë plot me 3.1 miliardë lekë nga 715 milionë, ose 4 herë më tepër se vjet. Kjo qeveri që do të shkurtojë numrin e arsimtarëve për të shtuar stafin pranë Kryeministrit.

Ky projekt-buxhet ngjan vërtete si një përrallë dimri. Shqiptarët duhet të besojnë përrallën e rritjes ekonomike edhe pse çdo masë që propozohet të thotë të kundërtën. Ndërsa oborri kryeministror do të presë hapjen e thesit katër herë më të madh. Tamam si në përrallë.

Share: