Nga Kasem Seferi
Një ndër programet më të pëlqyera që kam ndeshur në jetën time ka qenë dhe mbetet ai me temë: “A e krijoi Zoti botën ku jetojmë?”.
Nga lënda e Astronomisë mësuam aq sa dihej dhe aq sa lejohej në vitet 60 – të. Më pas, në periudhën e pasviteve 90 – të, informacioni mbi këtë temë u shtua dhe pasurua dhe pasurohet nga dita në ditë.
Jo shumë netë më parë kishte një program mjaft interesant me titullin: “A e krijoi Zoti universin?”. Nëpërmjet një rrjeshtimi historik, që përfshinte shekuj dhe përfaqësues të shkencës në shekuj u pëmendën shumë ngjarje dhe arsyet mbrapa tyre.
Ndër ta, në mendje, më ngelën shumë shkencëtarë: puna dhe kontributi i tyre dhe, së fundi, një shembull i thjeshtë, por mjaft kuptimplotë për vendin tone, Shqipërinë.
Një individ duhet të ndërtonte një kodër dhe për këtë i duhej të gërmonte në tokë për ta ndërtuar atë kodër. Duke gërmuar për ta ngritur kodrën, ashtu sikundër e ngriti, krijoi një gropë.
Kjo ishte domethënia e gropës në lidhje me raportin e njohur shkencor, që ekziston ndërmjet energjisë pozitive (si një prej përbërësve të librit të “kuzhinës” së universit) dhe energjisë negative (që po kërkohet me aq përpjekje nga shkencëtarët për të gjetur si u krijua universi).
Kjo simbolikë më ngacmoi edhe më shumë pasi iu ktheva disa shënimeve, që po mbaj këto ditë duke nisur që nga 18 shkurti 2017, në lidhje me ngjarjet, komentet, mendimet, debatet, etj, ku, midis të tjerash, veçanërisht, më tërhoqën vemendjen disa debate ndërmjet aktorëve të njohur mediatikë si Ben Blushi, Mustafa Nano, Edi Paloka dhe, … së fundi “dueli” ndërmjet Profesor Artan Fugës dhe Shaban Muratit.
Si ekonomist, kam deklaruar dhe deklaroj se jam dhe do të jem gjithnjë me bindje dhe përkrahës i Shkollës Ekonomike Austriake, veçanërisht, i Ludwig von Misses, nxënësit dhe pasuesit të tij, nobelistit me famë Friedrich August von Hayek.
Arsyeja madhore për këtë kurs mendimi dhe hamendimi, që kam ndjekur që prej vitit 2001 e këtej, ka qenë njohja me veprën “Human Action – Veprimi Njerëzor” të Ludwig von Misses, i cili, me shumë mjeshtëri, tregon disa prej tipareve të pandryshueshme të veprimit njerëzor, që po i rrjeshtoj si më poshtë:
- çdo individ, në shoqërinë ku bën pjesë, bën përpjekje për të maksimizuar (shqip: për t’i çuar arritjet/përfitimet që sjellin ato) drejt objektivëve të parashikuar prej tij;
- çdo individ në shoqërinë ku bën pjesë, bën përpjekje për të minimizuar (shqip: për t’i çuar kostot/shpenzimet që rezultojnë nga veprimi i tij) drejt objektivëve të parashikuar prej tij;
- është tregu ku këta individë veprojnë, që balancon/peshon, në këmbim, masën e veprimit njerëzor të çdo individi; dhe
- shteti krijohet që balanca/peshimi i tregut të mos deformohet nga forca që veprojnë në mënyrë jo të drejtë dhe të lirë;
- e fundit (por në këtë këndvështrim timin), më e rëndësishmja janë pyetjet: Ku? Kur? Përse? Sa?, dhe Si?, duhet të ndërhyjë shteti/qeveria në lidhje me veprimin njerëzor në treg?!
Me aq dhe sa çfarë shtjellova më lart, nuk besoj se ndokush do të mendojë dhe, aq më tepër, të më akuzojë se dua apo kam marrë rolin e arbitrit në këto debate.
Jo! Kurrë, jo!
Vetëm se dua të ndaj vetëm disa ide që, vite më parë, më kishin ngacmuar nga përfundimet e studjuesit të madh Karl Mannheim, që po përpiqem t’i përshkruaj, me besnikëri, në kontekstin shqiptar si vijon:
- A janë vënë në dukje diferencat/ndryshimet përgjatë gjeneratave në Shqipëri?
- A janë stidjuar mënyrat me të cilat një gjeneratë e ka ndarë veten nga tjetra?
Të më lejojnë ekspertët e sociologjisë që të ve në dukje se, teoria sociologjiste e një gjenerate të re, në fillimet e saj, u duk se, paraprakisht, çdo gjë që kishin besuar të parët e tyre, do të shkonte kundër, veçanërisht, në lidhje me pikëpamjet e politikës dhe mënyrës së qeverisjes.
Protesta e nisur më 18 shkurt 2017, në kontekstin e debateve ndërmjet atyre që përshkruhen më lart hedh, në mendjen e çdo qytetari të interesuar për këtë protestë, pikëpyetje të ndryshme mbi të cilat janë ndërtuar dhe ndërtohen shumë hamendje, që shoqërohen me komentet përkatëse, që shprehin, direkt ose indirekt, bindje dhe, natyrisht, interesa të ndryshme të grupimeve politike dhe pasuesve të tyre, në luftën e tyre për pushtet.
Pa anësi, këto debate, nuk e bëjnë të qartë nëse janë apo jo një “dallim ndarës” midis brezave përgjatë periudhës së tejzgjatur të tranzicionit politik, ekonomik dhe shoqëror.
Por, një gjë besoj se është bërë mëse e qartë nga të gjithë të përfshirët në debat, natyrisht, jo vetëm të përmendurit më lart, por më gjërë se:
A është protesta e nisur më 18 shkurt 2017 e izoluar nga dëshirat dhe e ardhmja e gjeneratës së re?!
Gjuha e përdorur përgjatë zhvillimeve të protestës që prej fillimit, a i përshtatet gjuhës që kërkon gjenerata e re?!
Cilët janë sloganet e kësaj gjuhe dhe cilët janë përfaqësuesit e saj?!
Cila është ndërgjegja e gjeneratës së re/brezit të ri?!
Duke ndjekur, pothuajse, të gjithë shqetësimet e individëve pa ndonjë interes ppr karierë dhe post në politikë dhe administratë, më duket se kam arritur të kuptoj (mos qofsha i gabuar) se ndërjetesa e gjeneratave, tregon se protesta e nisur më 18 shkurt 2017, kërkon atë lloj ndryshimi që do të bënte të mundur bashkëlidhjen dhe jo ndarjen midis gjeneratave.
Por, cili është ndryshimi që kërkohet?!
Me hamendje e kam: Një Shqipëri ku të mos zotërojë mendimi tejet “i lashtë“: “Ky vend nuk bëhet.“, ku të mos zotërojë mendimi i largimit sa më parë nga ky vend dhe të tjera “larva“ si këto që e kanë çuar shpresën e çdo shqiptari në skajin e saj fundor.
Kasem Seferi – qytetar