Home KRYESORE Thirrja nga Brukseli për Tiranën:”Dënoni komunizmin”!

Thirrja nga Brukseli për Tiranën:”Dënoni komunizmin”!

Me dt. 1 Dhjetor 2016, në Parlamentin Europian, u organizua nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Europian (NAEC) nën drejtimin e z. Ramadan Gjanaj, një konferencë mbi krimet e komunizmit në Shqipëri ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani.

Në vazhdim të asaj konference, ditët e fundit, ish-Komisioneri europian dhe Deputeti aktual në Parlament Europian, z. Louis Michel, i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, SH.T.Z. Ilir Meta, ku thekson se “…u çuditëm pasi mësuam se krimet e kryera gjatë periudhës komuniste në Shqipëri kanë mbetur të pandëshkuara, dhe se pasojat e atij regjimi vijojnë edhe sot të japin efektet e tyre”.
Në letrën e tij, Deputeti Michel thekson se “ju inkurajojmë nxehtësisht që në emër të Kuvendit të Shqipërisë, të dënoni në mënyrë solemne diktaturën, e cila ka shtypur rëndë Shqipërinë nga 1944 në 1991” duke vënë në dukje, ndër të tjera, se: “Një dënim i tillë do t’ju mundësonte të merrnit masa ligjore me qëllim ndalimin e çdo forme të përdorimit dhe propagandimit të simboleve të atij regjimi, që mund të njëjtësohen me nxitjen e urrejtjes dhe të dhunës; të merrnit nisma ligjore që ju mundësojnë të luftoni kundra pandëshkueshmërisë dhe të bënit të mundur që kriminelët, që ende jetojnë, të mund të ndiqen dhe dënohen prej gjykatave shqiptare;… ”.
Më poshtë gjeni tekstin e plotë të letrës së Deputetit Europian, z. Louis Michel.
***
Louis Michel
Ministër Shteti
Deputet europian
Kryebashkiak nderi i qytetit të Jodoigne
Sh.T. Z. Ilir Meta
Kryetar i Kuvendit
Bruksel, 25 shkurt 2017
Zoti Kryetar i Parlamentit,
Në datë 1 dhjetor të vitit që shkoi, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Europian (National Albanian European Council) kërkoi mbështetjen time për mbajtjen e një Konference mbi “krimet e regjimit marksist-leninist në Shqipëri” në Parlamentin Europian.
Me rastin e kësaj ngjarjeje, ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës Sh.T. Z. Bujar Nishani, ne u çuditëm pasi mësuam se krimet e kryera gjatë periudhës komuniste në Shqipëri kanë mbetur të pandëshkuara, dhe se pasojat e atij regjimi vijojnë edhe sot të japin efektet e tyre. Kjo do të thotë se nuk është bërë drejtësi as për të burgosurit dhe të internuarit e asaj kohe, as për viktimat e ekzekutuara pa gjyq ose pa proces gjyqësor të drejtë.
Në dritën e këtyre konsideratave, dhe në perspektivën e zgjerimit europian, ne ju inkurajojmë nxehtësisht që në emër të Kuvendit të Shqipërisë, të dënoni në mënyrë solemne diktaturën, e cila ka shtypur rëndë Shqipërinë nga 1944 në 1991.
Një dënim i tillë do t’ju mundësonte të merrnit masa ligjore me qëllim ndalimin e çdo forme të përdorimit dhe propagandimit të simboleve të atij regjimi, që mund të njëjtësohen me nxitjen e urrejtjes dhe të dhunës; të merrnit nisma ligjore që ju mundësojnë të luftoni kundra pandëshkueshmërisë dhe të bënit të mundur që kriminelët, që ende jetojnë, të mund të ndiqen dhe dënohen prej gjykatave shqiptare; të merrnit masa ligjore që u mundësojnë familjeve të të zhdukurve, të njohin kushtet në të cilat të afërmit e tyre janë ekzekutuar e po kështu edhe vendin ku ata janë varrosur.
Ky dënim do të mundësonte gjithashtu që të rehabilitoheshin plotësisht viktimat e diktaturës, në të gjitha të drejtat e tyre, ku përfshihet edhe rikthimi automatik i shtetësisë shqiptare për emigrantët e hershëm politikë dhe pasardhësit e tyre të lindur jashtë vendit. Ky dënim do të kontribuonte gjithashtu në përshpejtimin procesit të hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, duke i njohur çdo personi të drejtën që të marrë dijeni për shkaqet për të cilat është përndjekur përgjatë asaj epoke të errët.
Ne kemi bindjen se këto masa do të kontribuonin për të zbutur dhe paqëtuar shoqërinë shqiptare, të traumatizuar edhe sot e kësaj dite prej asaj periudhe të errët të historisë së saj. Ato (masa) do të ishin të një natyre të tillë që do të mundësonin gjithashtu t’u bëheshin nderimet e fundme viktimave të regjimit marksist-leninist shqiptar.
Duke ju falënderuar për vëmendjen që do t’i kushtoni kësaj letre (sa më sipër), ju lutem të pranoni, Zoti Kryetar i Parlamentit, shprehjen e konsideratave tona më të larta.
Louis Michel/Parrena.com
Share: