Kur data 1 prill po afron, PS pret një përgjigje nga LSI, për ftesën e bërë që nga Asambleja e dhjetorit. 1 prilli është dita e përvjetorit të 4 të koalicionit dhe socialistët presin konfirmimin nëse më 18 qershor aleati në qeveri, do të dalë përkrah tyre apo jo.
Marrdhënia mes dy forcave politike qeverisëse nuk ka qenë e mirë ditët e fundit dhe ka patur një sërë akuzash të ardhura nga LSI kundrejt PS.
Deputeti i PS-së, Taulant Balla është shprehur se mazhoranca e ka thënë fjalën e saj dhe se tani pritet zgjedhja e LSI-së për të qenë apo jo pjesë e aleancës.
“1 prilli s’ka ardhur akoma, ka ende ditë. PS i bëri ftesë publikisht LSI që të jetë pjesë e aleancës. LSI duhet dhe do të kthejë përgjigjje si ta duan ata. Kjo është një çështje që tashmë PS e ka thënë fjalën e saj. I takon kolegëve të LSI, që edhe ata të shprehen për këtë çështje. Është tërësisht një zgjedhje e tyre, ne e kemi thënë fjalën tone”, thotë Balla.
Balla ka një përgjigje edhe për deklaratat e demokratëve për shtyrje apo bojkot të zgjedhjeve më 18 qershor.
“Nuk ka asnjë fije dyshimi që 18 qershori do jetë dita e zgjedhjeve. Kush merr pjesë do vlerësohet, kush nuk merr pjesë është cështje e atyre dhe mbajnë përgjegjësinë para popullit. PD nuk ka asgjë konkrete sa i përket standardit të zgjedhjeve. PD bojkotin e parlamentit nuk e ka aspak të justifikuar në argument të qënësishëm por e ka për shkak të bojkotit që do ti bëjë dhe dëmtimit që do i krijojë ecjes përpara të procesit të vettingut. Është një sabotim me kosto shumë të mëdha për shqipërinë”, deklaroi deputeti socialist.
PS thotë se nuk ka më kohë për ndërhyrje në kod, duke iu referuar këtu edhe propozimeve të LSI duke nisur nga kërkesa për listat e hapura./Lapsi.al