Në seancën plenare të ditës së sotme nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka vazhduar me shqetësimin e tij për çeshtjen e kanabisit në vend.
Në foltoren e Kuvendit ai ka thënë se nuk ka vend të jemi krenar për punën e bërë. Gjithashtu Rama ka pyetur, duke patur parasysh një deklaratë të ish ministrit Tahirit, nëse raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan e këto hienat kanë dalë nga zyra e LSI-së.
“A ka vend këtu për të qenë krenarë se ne e paskemi bërë detyrën tonë dhe se zëdhënësi i LSI e paska lexuar gabim raportin e Departamentit të Shtetit? Dhe se hienat kanë dalë nga zyra e LSI-së? Ky është realiteti?” është shprehur Rama.
Një problem tjetër shumë i rëndësishëm, sipas tij, është edhe asgjësimi i lëndëve narkotike të sekuestruara, që është kryer në shkelje me ligjin.
“Ligji e thotë qartë se asgjësimi bëhet në prani të prokurorit, të oficerit të policisë gjyqësore dhe personit të caktuar nga gjykata. Dhe për dokumentimin e këtij veprimi mbahen 3 proces-verbale. Kemi të paktën 13 raste të asgjësimit ku nuk ka qenë prokurori dhe nuk ka pasur proces-verbale dhe një pjesë e të arrestuarve kanë mbetur nëpër gjykata pasi nuk ka prova për lëndën narkotike. Edhe droga që sekuestroi policia në Lazarat është asgjësuar në shkelje me ligjin”, ka thënë Luan Rama i LSI.