Nga Jeta Toçila —
Je me fat nëse nga rubineti yt derdhet ujë i kulluar. Nëse nuk e ke këtë fat, ke shpenzuar disa para dhe bashkë me fqinjin keni blerë pompë dhe filtër për të patur ujë më cilësor. Ose nëse ke patur aq shumë fat në jetë dhe të kesh siguruar një shtëpi dhe pus privat, bashkë me sistem filtrimi, ti u ke dredhuar disa baktereve por sërish, prit, se nuk ke shpëtuar krejt…
Ti ke pajisje në banesën tënde që u nevojitet energji elektrike për të funksionuar, por ty edhe pse të ndizet llampadari, nuk të punon njëkohësisht edhe kondicioneri me sobën. Një teknik të thotë se energjia që paguajmë aq shtrenjtë luhatet shpesh në fuqi, dhe kjo jo për shkak të një plani kombëtar për përdorimin me efiçensë të energjisë, por për shkak të zakonit qeveritar të vjedhjes.
Je me fat nëse ke arritur të blesh një makinë për të shmangur ecjen në kryeqytetin që qelbet, pak edhe nga gazi i makinës tënde. Por nuk të prin fati, nëse në mëngjesin e vrullshëm të bllokon rrugicën e shtëpisë makina e mbledhjes së plehrave. Ti u buzëqesh me nerv punëtorëve që e kanë filluar ditën e tyre të punës, dhe si shumica e rrogëtarëve të paguar keq, e marrin me ngé. Mos guxo t’u thuash se mbetjet urbane mblidhen në orën 5, se të shkon dita ters. Kështu i ndodhi një burri që u ankua, iu derdh padashje kontenieri para rrotave të makinës së tij.
Vazhdo rrugën dhe mendo për vend parkimin që do gjesh pa pagesë. Mendo pozitivisht dhe dërgoji sinjale pozitive universit, dhe parkimi do shfaqet para teje…fix siç thuhet te libri “Sekreti”. Uauuu…ti papritmas sheh që rruga e populluar ku ti punon qenka e lirë, me vende plot. Por mos u gëzo, “paguaj që ta kesh”, ka qenë dikur një reklamë televizive.
Dhe nëse ecën rrugëve në këmbë, mos kalo serbes-serbes edhe kur semafori të udhëzon me jeshile. Ndonjë “I fortë” me Range Rover mund të jetë daltonik, ndërsa polici është i verbër në këtë pjesë. Ndoshta të përplas dhe ikën e të lë në rrugë, as ambulanca nuk arrin në kohë, qendra prej kohësh është një katastrofë. Prandaj hap sytë, ki kujdes! Mund të përplasesh bërrylash me ndonjë kalimtar, bën mirë ti thuash i pari më fal. Mund të jetë ndonjë kamerier i orëve të natës, i droguar padashje gjatë shërbimit pranë tavolinave të kuqe e të bardha, ku ndonjë VIP ka patjetër pjesë.
Ti arrin në Pazarin e Ri, ku përveç darkave të nivelit të lartë, shiten presh e fiq dhe vret mendjen ti blesh aty me forma të bukura apo të shkosh të blesh shtrembaluqet që shiten nga nënoket pa kupon tatimor. Ah, ti duhet të mbash me vete trastet, qeset janë bërë me pagesë, dhe nuk shkruhen në faturë kur ti i blen.
Nëse je lodhur nga gjithë kjo ngarkesë, ulu e pi një kafe, edhe pse pak vështirë të gjesh tavolinë të lirë…
Disa të rinj i paskan lënë orët e mësimit, por po zhvillojnë orën e këshillimit në grup. Një vajzë po tregon se i pëlqen të hedhë parfumin Channel NO.5, të mamit, kur netëve kërkon me ngulm të dale. Miss Diorin nuk ia pëlqeu i dashuri i rritur, kur ajo hyri në Jaguarin e tij për herë të parë. Një tjetër qenka grindur me babin që nuk dashka t’ia blejë fustanin Versaçe për mbrëmjen e maturës. Ndërsa një djalë po tregon se qëkur u bë “I fortë”, askush nuk po e tall si çun mami. Seanca e tyre mbaron kur Iphone 7 i kujtoi se duhet të shkojnë.
Nëse je prind, ti papritmas i harron ujin e dritat, plehrat dhe rrugët, pazaret dhe kafet kur përballesh me “të fortët” dhe “Barbie girls-at”. Ti e di që fëmija të bindet për njëfarë kohe..aq sa mjafton që në zemrën dhe mendjen tënde të rritet ankthi për të ardhmen e tij/saj. Në mendjen tënde vërshojnë e përplasen mendime, vendime, rrugëzgjidhje. Dhe në fund ndodh te ngecesh mes dilemës: Shqipëria ime apo llotaria Amerikane??!!