Home KRYESORE Lubonja: Rama është malinj. Punët në Shqipëri nuk shkojnë mirë për vetëm...

Lubonja: Rama është malinj. Punët në Shqipëri nuk shkojnë mirë për vetëm për milionerët

Nga Fatos Lubonja

Shfaqjen e Ramës në emisionin “Të paekspozuarit” e ndoqa me vëmendje jo vetëm për arsye se është emisioni në formatin e të cilit bëj pjesë, por edhe pse shumë njerëz më morën në telefon për të më pyetur se pse nuk isha aty sëbashku me Bushatin. Kur u thashë se Edi Rama nuk vinte në emision po të ishim ne, një pjesë shprehën habinë, duke më kujtuar se me ne ishin ulur përballë edhe lideri i opozitës Basha edhe Kryetari i kuvendit Ilir Meta; të tjerë thanë “sjellje “normale” kjo për Ramën”. Megjithatë, të dy palët nuk e kanë pritur, besoj, që Rama, në vend se të mos merrej me ne personalisht, përderisa nuk kishte dashur të ishim aty, do të bënte krejt të kundërtën.

Sikurse u pa, lajtmotivi i diskursit të tij ishin “gazetarët e katundit”, si unë dhe Bushati, që, sëbashku me Ylli Rakipin, “hamë pula dhe prodhojmë gjellë qensh” dmth. mut. Në momente të tjera “gjellën e qenve” që ne prodhojmë ai e quajti “fake neës”. Arsyen se pse gazetarët e katundit e prodhojnë këtë gjellë e shpjegoi me atë se janë të blerë me lekët që ua japin ata që kanë interesa kundër tij, – ndërsa unë e prodhoja edhe pa lekë, nga marrëzia.

Kështu, sipas Ramës, ideja se vendi është në krizë morale, ekonomike, politike është një lajm i rremë, kurse Shqipëria përtej katundit, jeton e punon e lumtur nën udhëheqjen e tij dhe të Rilindjes së tij.

Në këtë shkrim nuk dua t’i drejtoj Ramës replikat e munguara, por s’mund të mos ve në dukje, se fakti që ai na hoqi me kaq lehtësi nga emisioni tregon se, nëse ka një “katund mediatik” këtu tek ne, – dhe jo me shtëpi fshati, por me vila dhe pallate luksoze shumë milionëshe, – ky është katundi i ngritur sipas projektit të tij, me paratë publike e me lejet e tij të ndërtimit të dhëna sipas parimit “një pallat një votë”. Në këtë aspekt sjellja dhe fjala e tij në atë emision kundër nesh ishte shprehje e nevojës së sëmurë për të dëbuar nga ekrani edhe ata pak gazetarë që ende qarkullojnë të lirë në katundin e tij. Ishte gjithashtu edhe ilustrimi më i mirë i portretizimit që i kam bërë si politikan i rrezikshëm për vendin sepse i paaftë për të dëgjuar kritikën, për të ndryshuar sadopak mendim nën ndikimin e kujtdo që i thotë të vërteta që shkojnë kundër nevojave të patologjisë së tij prej narçizisti malinj.

Megjithatë, besoj se duke vazhduar detyrën e gazetarit, vlen të merremi me tezën manipulative që ka hedhur Kryeministri lart e poshtë, e që qarkullon deri në rrethe diplomatike, se në Shqipëri punët shkojnë bukur e mirë me këtë qeveri, por se kriza është produkt i interesave të një opozite që ka frikë nga Vetingu dhe nga humbja e zgjedhjeve dhe e ndoca gazetarëve që hanë pulat që ua jep Basha dhe miku-armiku i tij Ilir Meta për të prodhuar “fake neës”./360grade.al/ marrë nga Panorama/

Share: