Home KRYESORE BUSHATI DHE HOXHAJ KONFERENCËS PËR I NE TIRANE

BUSHATI DHE HOXHAJ KONFERENCËS PËR I NE TIRANE

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Biseda u fokusua në fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik, konkretizimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, proceset e integrimit euro-atlantik të dy vendeve tona, si dhe në zhvillimet më të fundit në rajon.

Ministri Bushati evidentoi përgatitjet që po bëhen në kuadrin e Takimit të katërt Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, i cili do të zhvillohet në Shqipëri më 24 prill 2017. Duke vënë në dukje arritjet e deritanishme, ai theksoi prioritetin e veçantë që po i kushtohet lehtësimit të mëtejshëm të procedurave për qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit, fuqisë punëtore, si dhe shtimit të investimeve mes dy vendeve tona.

“Koordinimi mes nesh ka qenë efikas për disa prej sfidave me të cilat përballet sot Shqipëria dhe Kosova, por edhe mjedisi i sigurisë në rajon, ku Shqipëria dhe Kosova kanë një kontribut të çmuar” – nënvizoi më tej Ministri Bushati.

Ministrat diskutuan edhe hapat që po ndërmerr Kosova në drejtim të përmbushjes së disa prej anagazhimeve të saj kryesore sa i përket procesit të integrimit europian por edhe të një marrëdhënieje më të institucionalizuar me NATO-n, siç përcaktohet edhe nga Samitit i Varshavës. “Shqipëria mbështet aspiratën legjitime të Kosovës në procësin e liberalizimit të vizave si edhe transformimin gradual të forcës së saj të sigurisë në një ushtri të vërtetë” – theksoi Ministri Bushati.

Pjesë e axhendës së diskutimeve ishte edhe Samiti i Triestes, takimi i katërt i vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet anëtare të BE-së, pjesë e Procesit të Berlinit, me synimin për një sinkronizim më të mirë pikëpamjesh në lidhje me projektet që do të miratohen, por edhe në lidhje me ecurinë e projekteve ekzistuese.

Në kuadër të përgatitjeve të këtij Samiti, Ministrat u shprehën se Shqipëria dhe Kosova kanë një qendrim të përbashkët për sa i përket përpjekjeve të krijimit të një tregu rajonal. Ata u shprehën dakord për një bashkëpunim rajonal, por procesi i uljes së barrierave tregtare nuk mund të zëvendësojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon, duke harruar faktin që vende pjesmarrëse të këtij Samiti, si Bosnja dhe Serbia nuk e njohin Kosovën, kufirin dhe doganën e saj.

Gjithashtu, Ministrat ndanë të njëjtin vlerësim në lidhje me situatën e sigurisë në rajon, si edhe zhvillimet më të fundit në Maqedoni dhe Serbi.

Ministri Hoxhaj falenderoi Ministrin Bushati për finalizimin e procesit të krijimit të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, të cilat përbëjnë një lajm të mirë për rajonin dhe një sukses të posaçëm të Qeverisë shqiptare.

Share: