Home KRYESORE Moska reagon për deklaratat e Ramës mbi bashkimin Shqipëri-Kosovë

Moska reagon për deklaratat e Ramës mbi bashkimin Shqipëri-Kosovë

Rusia ka shprehur shqetësim mbi deklaratat e fundit të politikanëve shqiptarë, kryeministrit Rama e presidentit kosovar Hashim Thaçi, në lidhje me atë që sipas Moskës, e konsiderojnë si qëllim për rishikimin e kufijve të Ballkanit dhe përpjekje për të destabilizuar juglindjen e Europës.

Përmes një deklarate zyrtare të publikuar nga Ministria e Jashtme e Rusisë, Moska vlerëson se nën maskën e akuzave të pabazuara të përpjekjeve për destabilizim të Ballkanit, po bëhen përpjekje për të implementuar projektin e Shqipërisë së Madhe, projekt që bazohet në Kushtetutën shqiptare, e cila i jep të drejtën Tiranës të mbrojë interesat e shqiptarëve jashtë vendit, kudo që ata ndodhen.

“Nën maskën e bisedimeve hipokrite mbi nevojën e stabilizimit të rajonit nën mbikëqyrjen e NATO-s, themelet e vërteta të stabilitetit po tronditen. Një kurs i ri politik është adoptuar për të rishikuar kufijtë në Ballkan, gjë që shton në mënyrë të paevitueshme potencialin për konflikt”, thuhet në deklaratë.

Ky, – siç nënvizon Moska zyrtare, – është konteksti i deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama, si dhe kreut të të vetëquajturës Kosovë e pavarur, Hashim Thaçi, mbi gatishmërinë e tyre për të bashkuar forcat nën një shtet të vetëm shqiptar.

Këtyre deklaratave, – vijon më tej Ministria e Jashtme ruse, – u ka bërë jehonë edhe kreu i Bashkisë së Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, një rajon i populluar kryesisht nga shqiptarë, të cilët shpallën dëshirën për të qenë pjesë e shtetit të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Ministria e Jashtme ruse shkon më tej, teksa thotë se pjesë e këtij konteksti është edhe e bujshmja “platformë e Tiranës”, e miratuar nga partitë shqiptare në Maqedoni, që po minon themelet e shtetit maqedonas.

E pavarësisht këtyre deklaratave, padronët kryesorë të Tiranës dhe Prishtinës – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, – ose kanë qëndruar të heshtur, ose kanë dhënë vetëm disa deklarata si zakonisht të pakuptimta, thuhet në komunikatë.

“Ne nuk mund të ndihmojmë, por pajtohemi tërësisht me shqetësimet e shprehura qartazi nga kryeministri serb, njëkohësisht presidenti i zgjedhur Aleksandar Vuçiç, si dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, të cilët kanë dënuar me vendosmëri retorikën e politikanëve shqiptarë dhe kanë kërkuar përgjigjen e duhur ndaj këtyre zhvillimeve nga ana e Brukselit, Uashingtonit, si dhe vendeve të tjera kryesore europiane”, thuhet nga Ministria e Jashtme ruse.

Kremlini zyrtar ka theksuar gjithashtu edhe ironinë e hidhur, siç është shprehur edhe nga pala serbe, se nëse Vuçiç do t’i lejonte vetes të sugjeronte publikisht bashkimin e Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë me Serbinë, ai do të ishte bombarduar nga zyrtarët në Bruksel.

E për këtë arsye, diplomacia ruse ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojnë në mënyrë të menjëhershme përballë politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës, por edhe kujtdo në vendet e Ballkanit, që lëshojnë pretendime apo spekulime mbi rishikimin e kufijve të Ballkanit, gjë që është e papranueshme.

“Ne kërkojmë nga partnerët perëndimorë që të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe mirëkuptimin, duke mos aplikuar standarde të dyfishta”, përfundon deklarata.

Share: