Home KRYESORE Dështimi i negociatave – Basha i moderuar me qëllime finale radikale!

Dështimi i negociatave – Basha i moderuar me qëllime finale radikale!

Nga Enver Bytyçi

Dy negociatorët e Parlamentit Europian, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, erdhën dje mbasdite dhe zhvilluan një tur negociatash të ndara me mazhorancën shqiptare dhe opzitën në Tiranë. Ilir Meta dhe Edi Rama ranë dakord para disa ditësh që konfliktin politik në Shqipëri ta negocionin aleatët e Bashës në Bruksel, përfaqësues të partive popullore europiane. Por pas kësaj u bë e njohur se nga dy negociatorët njëri do të ishte aleat i të majtës në Shqipëri dhe tjetri i të djathtës. McAllister duket se ishte caktuar si i parë, ndërkaq Fleckenstein luajti rolin e ndihmësit të tij, kryesisht për të ndikuar te zoti Rama që të pranojë një propjekt propozim të Brukselit për zgjidhjen e krizës.

Në fakt projekti ishte një hap i rëndësishëm për të përligjur të drejtën dhe kërkesat e opozitës shqiptare për mosbesimin e krijuar sa i përket procesit të realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në këtë këndvështrim opozita mori kreditet e nevojshme dhe u legjitimua në qëndresën e saj përballë një qeverisjeje të inkriminuar. Kjo se dekriminalizimi, droga dhe ndryshimet në polici u përcollën si masa pikërisht për shkak të kriminalizimit të qeverisë, kupolës së policisë dhe bashkëpunimit të tyre me trafiqet e grupet kriminale. Për këtë arësye Rama pranoi që të ndryshojë jo vetëm drejtuesit e korruptuar dhe inkriminuar të policisë, por edhe tre-katër ministra, të cilët do të kishin besimin e opozitës. Por nuk pranoi krijimin e një qeverie teknike si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme në këtë vend. Nuk pranoi gjithashtu as votimin dhe numërimin elektronik, sepse kjo do të çonte në shtyerjen për në vjeshtën e vonë të zgjedhjeve.

Media e kapur e interpretoi gjithë sa ndodhi si refuzim nga ana e zotit Basha të paketës së zgjidhjes që solli nga Brukseli grupi i negociatorëve. Po ashtu ajo e trajtoi zotin Basha edhe si përgjegjës për dështimin e bisedimeve e të një marrëveshjeje, duke shtrembëruar realitetin dhe faktet. Ndërsa kryeministri u përpoq që të shtojë makiazhin e një politikani të kompromiseve dhe dialogut e marrëveshjeve. Ai u kujdes që këtë makiazh ta shesë jo vetëm te ndërkombëtarët, por edhe te shqiptarët. Psh kur propozoi që kryetari i KQZ-së t’i jepej opozitës, ndërkohë që do të kishte në dorë vendimet e kolegjit zgjedhor. Mjafton ky mekanizëm hileqar për të mos i besuar kurrë, kurrë zotit Rama, edhe nëse i besojnë të gjithë gazetarët e analistët e këtij vendi së bashku, të gjithë politikanët e Brukselit e madje, edhe nëse i besojnë shumica e shqiptarëve.

Në fund të fundit ky ballafaqim midis mazhorancës dhe opozitës shqiptare nuk është thjesht një përpjekje për të fituar shumicën. Eshtë shumë më tepër se kaq. Vendi ka nevojë të pajtohet me faktin se e drejta, e moralshmja, e vërteta nuk qëndron gjithnjë në anën e shumicës, por shumë herë edhe në anën e pakicës. Koncepti se në anën e shumicës qëndron gjithnjë e drejta është një koncept marksist, i cili ka shkaktuar shumë dhimbje në marrëdhëniet sociale në vendin tonë. Prandaj zoti Basha nuk ka pse kompleksohet se disa ose shumë ndërkombëtarë apo analistë e media të kapura në Shqipëri e konsiderojnë atë si “të vetëm”.

E drejta nuk është e vetmi, edhe nëse lëpirësit e shumtë në zhgarravinat e tyre bëjnë presion se “Tashmë Bashës Brukseli do ia heqë vizën”. Ai që dëshiron të kthejë kokën dy-tri vite më pas e njeh faktin se kur filloi aksioni opozitar i Lulzim Bashës për dekriminalizimin, ai dukej “i vetëm”. Kalemxhinjtë e sotëm, të cilët bëjnë presion për viza europiane talleshin me kërkesën e tij për dekriminalizim. Ndërsa kryeministri merrte në krah kriminelët në mitingje elektorale dhe u thoshte shqiptarëve “Se këtë kriminelin këtu në krahun tim nuk ka bir kurve që e njollos”! U desh kohë të bindej bota e të bindeshin shqiptarët se kriminelët në Shqipëri bëjnë ligje, madje edhe vetingje e nëse dalin nga një derë Edi Rama ua hap një dritare tjetër për të qenë të pranishëm në jetën politike të vendit.

Tani jemi në një aksion tjetër të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj opozitarë, në një lëvizje tjetër, ndoshta më të fuqishme e më të rëndësishme sesa dekriminalizimi e dekanabizimi i Shqipërisë. Eshtë fjala për betëjën e themeleve të demokracisë, që garanton të ardhmën e shqiptarëve dhe u kthen shpresën atyre, zgjedhjet e lira e të ndërshme. Edhë këtë betejë opozita do ta fitojë. Edi Rama dha dje të gjitha shenjat se do të dorëzohet. Ai i zhveshi megafonët e tij në studio televizive nga miti i respektimit të kushtetutës kur pranoi që zgjedhjet të shtyhen tej afatit kushtetues, më 16 korrik. Kjo do të thotë se kushtetuta ishte alibia e tij. Tani i ka mbetur si alibi vetëm votimi i vetingut. Ndonëse ky është problem më i vogël për opozitën, ajo e përdor si karem për ta detyruar kryeministrin të largohet për t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kjo betëjë nuk mori e nuk mund të merrte fund mbrëmjen e djeshme. Ajo nuk është aq e thjeshtë. Edhe pse i pëlqen zotit Ngjela të spekullojë me qëndrimin amerikan e ta shpallë opozitën si antiamerikane, mua më rezulton se në Shqipëri e në rajon po luhet pikërisht një lojë konspiracioni europiano-rus kundër interesave të SHBA-ve. Konflikti, nëse e gjykojmë nga qëndrimet dhe përcaktimet e aleatëve, qëndron pikërisht në këtë aspekt gjeopolitik. Ndëra Kalorësi i Legjionit të Nderit përfaqëson ineteresa antiamerikane në përcaktimet dhe iniciativat e tij në Shqipëri e në rajon, kreu i opozitës shqiptare jep garanci për një ekuilibër të prezencës euro-amerikane në Shqipëri e në rajon. Prandaj këta analistët që nguten dhe e lënë “në vetmi” Lulzim Bashën gabohen.

Në planin e brendshëm protesta dhe kundërshtitë midis dy palëve në konfliktin e zgjatur politik krijojnë hapësirë që tek qytetarët shqiptarë të krijohet një klimë besimi dhe optimizmi e munguar që prej vitit 2013, ose më saktë pas festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Protestat janë shpikur që nga koha e Republikës së Perikliut si ilaç i mobilizimit dhe motivimit të qytetarëve për zhvillim e përparim. Gati dy mijëvjeçarë e gjysëm më vonë, policia shqiptare bën të kundërtën, denoncon pjesmarrjen e qytetarëve në protesta. Në vitin 2010 Edi Rama krijoi mitin e largimit masiv të shqiptarëve drejt Europës, nëse merrej vendimi për liberalizimin e vizave. Lulzim Basha, thjesht ministër i Brendshëm, bashkë me qeverinë e kohës, e thyen këtë mit. Largimi ndodhi pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës. Sot zoti Rama ka lëshuar të gjithë megafonët e tij për t’i bindur shqiptarët dhe Brukselin se “Protesta e opozitës destabilizon Shqipërinë dhe bën pjesë në projektin e një destabilizimi më të madh në rajon”, duke e përdorur Çadrën e Lirisë si gogolin e vitit 1997.

Lulzim Basha po e çmonton edhe këtë mit, sepse në protestat që ai po i drejton në mbi dy muaj kohë, nuk ka lejuar që të ndodhë asnjë ngjarje destabilizuese. Ai ka vendosur që me mjete demokratike e të moderuara të realizojë një qëllim final radikal për të shëruar plagët e mëdha që qeverisja e socialistëve ka hapur në këto katër vite. Ai ka vendosur që t’u kthejë besimin shqiptarëve te zgjedhjet e lira, sepse prej këtu fillon edhe besimi se ky vend mund të bëhet një ditë. Presionet se “zgjedhjet mund të bëhen edhe pa opozitën” tashmë janë thjesht përpjekja e fundit e qëndresës së garnitarurës kriminale në pushtetin e Tiranës. Edhe nëse kjo do të ndodhte, çka është e pamundur, përsëri Shqipëria do të ishte më e fituar nga mospjesmarrja e opozitës në në kushtet e një qeverisje të inkriminuar.

Çdo opozitë e përgjegjshme në botë ka detyrë themelore të ofrojë shpresë te qytetarët e një vendi. Opozita shqiptare, pak vonë, por më në fund është angazhuar fuqimisht në këtë mision. Fuqia e opozitës nuk varet nga ushtrimi i dhunës së saj ndaj institucioneve, edhe nëse ato janë të inkriminuara. Fuqia dhe suksesi i saj varen nga kembngulja dhe vendosmëria, nga gatishmëria e saj për të dialoguar, por jo për të bërë kompromis me të keqen. Nëse do të ndodhë kjo, krimi në pushtet do të tërhiqet. Nëse bëhen compromise me krimin e drogën, atëherë Shqipëria do të marrë formën e qeverisjes së modelit latino-amerikan, ku pushtetin e ka krimi e droga, prostitucioni dhe imoraliteti. Tregomëni një vend latino-amerikan të inkriminuar e njëkohësisht të zhvilluar dhe unë do bashkohesha me euforikët e zotit Rama, se Shqipëria mund të bëhet edhe me krim dhe me drogë!

Share: