Home KRYESORE Çfarë ndodhi me listën e PS, ja kush e rrëzoi Pezën dhe...

Çfarë ndodhi me listën e PS, ja kush e rrëzoi Pezën dhe Kostën

Kryeministri Edi Rama ka rikonfirmuar në listën e kandidatëve për deputetë 45 prej anëtarëve aktualë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ndërkohë që ka përjashtuar prej saj 28 anëtarë, nga të cilët “veteranët” e PS-së si Namik Dokle, Arta Dade dhe Valentina Leskaj.

Kreu i qeverisë kërkoi dy javë më parë informacion nga Prokuroria e Përgjithshme për listën e deputetëve aktualë të Grupit të PS-së.

“Panorama” shkruan se burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme bënë të ditur se pas verifikimit të bërë, mësohet të jetë kthyer përgjigjja se aktualisht në hetim janë deputetët Alfred Peza, në lidhje me çështjen e pasurisë.

Ndërkohë që në hetim edhe edhe Vladimir Kosta, në lidhje me mosdeklarimin në formular të një dënimi me gjobë në vitin 2000 për armëmbajtje pa leje.

Nuk dihet sa ka ndikuar ky informacion në listën e kandidatëve të PS-së për deputetë në qarqe, por emrat e Pezës dhe Kostës janë hequr nga lista e re.

TË KONFIRMUARIT

Nga deputetët e konfirmuar bien në sy emrat e ministrave të kabinetit qeveritar, të cilët, edhe pse të larguar nga detyra, kryesojnë qarqet kryesore. Qarku i Tiranës ka numrin më të lartë të deputetëve aktualë si Saimir Tahiri, Vasilika Hysi, Fatmir Xhafaj, Ulsi Manja, Ervin Bushati dhe Rakip Suli.

Në listën e Tiranës është edhe emri i Spartak Brahos, deputet i LSI-së, i cili edhe në zgjedhjet e 2013-s fitoi mandatin si pjesë e Grupit të PSsë. Ajo që bie në sy është edhe emri i Luan Duzhës, ish-deputet i LSI-së, i përfshirë në listën e PS-së së qarkut të Elbasanit.

Kurse në listën e të larguarve bie në sy emri i Dashamir Pezës, Shkëlqim Canit, Parid Carës, Alfred Pezës, Esmeralda Shkjaut, Arben Çukos dhe Pirro Lutajt. Socialisti Namik Dokle ka reaguar dje me një status në “Facebook”, duke kërkuar që të mos zëvendësohej me “hajdutë pulash”.

“Pas 27 vjetëve, pas 8 legjislaturave të pandërprera në Kuvendin e Shqipërisë, në vendin tim do të ulet një deputet i ri. E uroj përzemërsisht cilido qoftë! (Vetëm ‘aman’ hajdut pulash të mos jetë!). Pas 27 vjetëve, nga zemra më buron… Mirënjohje për ata mijëra socialistë dhe njerëz të mirë pa dokumente partiake, që më kanë pritur zemërhapur, kanë ecur e punuar bashkë me mua dhe, në disa raste, kanë vënë edhe jetën e tyre në rrezik për të më mbrojtur nga falanga idiote politike”, shkruan Dokle./360grade.al

k

Share: