Bebe Rexha është një zë i veçantë me famë botërore. Edhe pse e përmend shpesh se është shqiptare, shumë pak mund të dinë vështirësitë që ajo ka kaluar për të shkuar drejt famës me forcat e saj.
Ashtu sikundër, shumë pak mund ta dinë se ajo i ka rrënjët në Dibrën e Madhe dhe se është kushërirë me Monika Kryemadhin, zëvendëskryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh bashkëshorte e presidentit të zgjedhur Ilir Meta.
Kryemadhi ka rrëfyer në emisionin “Komiteti” të gazetarit Berat Buzhala, më shumë nga lidhja e saj familjare me Beben.
“Mamaja ime me babain e Bebe Rexhës janë kushërinj të parë. Ne dibranët i themi dajë kushërinjve. Jemi të afërt. Mamaja ime është nga Dibra e madhe, nga familja Rexha. Dhe lidhjet tona janë shumë të afërta. Njihemi, shkojmë nëpër dasma, nëpër aktivitete. Bebe ishte nga të parat që uroi metën president”, – u shpreh Kryemadhi në emisionin “Komiteti”, prodhim i Gazeta Express i transmetuar në Rtv Dukagjini.
Por a do ta shohim Bebe Rexhën në fushatën elektorale të LSI-së për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri? Kryemadhi thotë se nuk e dëshiron diçka të tillë, dhe njëherësh na zbulon disa nga vështirësitë që ka kaluar Bebe për të arritur këtu ku është sot. Kështu, zv.kryetarja e LSI-së, beson se kushërira e saj nuk do ja ketë nevojën politikës, përsa kohë ja ka dalë gjithmonë me forcat e saj.
“Jo. Unë nuk do dëshiroja që ajo të ishte pjesë e saj, se ajo ka të bëjë me karrierën e saj, çdo gjë që ka arritur në jetë e ka arritur vetë, edhe pse e vetme, a ndihmesë. Ajo e ka nisur çdo gjë vet. ..Madje më ka treguar: Kur jam nisur nga Los Angelos për Nju Jork nuk kisha as kartë krediti me vete”, tregoi Kryemadhi. /Express/