Home KRYESORE Shamku: Reflektim pas një tallavaje haber-hanesh virtuale

Shamku: Reflektim pas një tallavaje haber-hanesh virtuale

Nga Ledi Shamku

O moj Shqipni, e brishta Shqipni
Si t’prisja unë e si m’je bërë ti!

(Reflektim pas një tallavaje haber-hanesh virtuale)

Ndjej, në përfundim të kësaj dite, t’i them dy fjalë duke marrë shkas nga “video me këngë e dehje” që na paskeshin “zbuluar” haber-hanet virtuale. Nuk kam fare joshje të flas për haber-hanet sesa të rrëfej çfarë vetja më tha pas gjithë asaj tallavaje mediatike.

Frederik Ndoci ka qenë (dhe mbetet) këngëtari im shqiptar i preferuar. Në adoleshencën time të hershme, si gjithë moshatarët e mi të Tiranës, nuk dëgjoja fare muzikë të lehtë shqiptare. E ç’ta dëgjoja?! Ishte mosha kur shpirti na kërkonte këngë e romanca dashnie, kurse mendja na lypte ekstravagancën e rockut.

Nevojën e shpirtit adoleshent për të dëgju këngë dashnie ma përmbushte të gjithën muzika italiane, me romantizmin e teksteve të saj e të muzikës së butë. E qajnë italianët kët pjesë! Ndërsa muzika e lehtë shqiptare ishte e gjitha nën darën e ideologjisë. Edhe kur i këndonte dashnisë, vuante nën këtë darë: këngët kallxonin se dashuroheshin nëpër ara fabrika kantiere, dashuroheshin proletarisht e kooperativisht, dhe të hënën fill pas dasme merrnin kazmën ose pincat dhe dilnin në punë.

E pra, Frederik Ndoci ishte i vetmi që në këngët e veta dashninë e kishte romancë të butë. Pa asnjë tis partie a ideologjie. Asnjë muskul të vrazhdë të kohës së egër. Nuk e di si ja dilte, por ja dilte. Ja dija të gjitha këngët përmendësh dhe në mendjen time Frederik Ndoci ishte i vetmi oaz i lirë e perëndimor i muzikës së lehtë. Ishte një versant italian i asaj sesi i këndohej dashnisë. Një rreze perëndimi mbi bezen e trashë lindore shqiptare.

Nuk e takova a nuk e hasa kurrë para se të ikja nga Shqipëria. Dhe as kur pas dhjetë vjetësh u ktheva.

Hera e parë që e hasja “live” qe para tre vjetësh, natën e vitit të ri. Me këndu me te, për qejfin tim, ishte si me e përjetu edhe njëherë një copëz Shqipnie Perëndimore nga koha kur Shqipnia ishte krejt Lindore dhe ne adoleshentët prisnim të ndrronte moti i keq.

A u deha atë natë siç llapin sot haber-hanet virtuale? Poeti Charles Baudelaire njeh disa lloj dehjesh: “me verë, me poezi a me virtyt, veç dehuni”. Muzika e Rrikut (po e thërras shkurt si mik) është vërtet dehëse, po mesa duket jo për veshët e trashë të haber-haneve që rrasin hundët me kërku patjetër avujt e alkolit.

Dje e sot që i lexova llapallapet e atyre që shkulnin leshtë e kresë pse një femër lirisht këndon e gazmon, as nuk u mërzita e nuk u fyva hiç nga jargët e haber-haneve.

Por u trishtova shumë kur bëra hesapin se mbas 30 vjetësh, kur demek ky vend po “shkon” drejt perëndimit, në fakt haber-hanet më kallxojnë se e kanë katandis opinionin virtual shumë më keq se para 30 vjetësh, duke e shty Shqipninë, për faj të tyre, mu n’cep të një shkretine dhe duhme shumë të keqe lindore. M’u bë se sot po donin me i vesh me zor nji lloj ferexheje virtuale syut dhe veshit publik shqiptar. Falenderoj megjithë zemër gjithë miqtë a të njohurit apo edhe të panjohurit (dhe ishin shumë!) që reaguan me neveri ndaj kësaj prapakthehu t’shëmtume etike që po i imponojnë Shqipnisë haber-hanet tona virtuale.

Eh moj Shqipni, e brishta Shqipni! Si t’prisja unë e si m’je bërë ti mbas 30 vjetësh!!!

I dashtun romantiku zëbrilant Frederik Ndoci! Uroj fort me të taku prapë e t’kem fatin e bukur me t’shoqnu në këngët e tua t’mrekullushme, t’vetmet që ma dhanë Shqipninë Perëndimore atëherë kur s’ishte, e që kanë fuqi me ma dhënë prapë edhe tani që ende nuk është e tillë!

Share: