Home KRYESORE Kodheli në “Vallen e Kukësit” me gra dhe pensionistë

Kodheli në “Vallen e Kukësit” me gra dhe pensionistë

Nga Azem Parllaku

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Kukësit për zgjedhjet e kësaj vere, znj. Mimi Kodheli, po i zhvillon takimet elektorale kryesisht me të moshuarit dhe gratë. Ndonëse nuk dihet ku i merr paratë për të shtruar drekat në restorantet më të shtrenjta, Kodheli ka zgjedhur t’a kërkojë ndryshe votën e kuksianëve.

E filloi fushatën zgjedhore me një takim me veteranët e LANÇL dhe familjet e dëshmorëve në Kukës. Të gjithë antarët e partisë të cilët, për luftën kanë lexuar në lëndën e historisë dhe e interpretojnë atë sipas filmave të Kinostudios, Kodheli i quan veteranë. Ju jeni akoma shtylla më e qëndrueshme e shoqërisë, me themelet më të forta, ka deklaruar Kodheli në startin e kësaj fushate ndërkohë që ka premtuar një investim të fortë tek varrezat e dëshmorëve, si një shenjë respekti dhe detyrimi ndaj të rënëve për liri.

Për veteranët, ajo shpreh se Kukësi është vërtet një qytet me probleme ekonomike por bukuritë e rralla dhe pasuritë natyrore që ky qark ka, duhet të shfrytëzohen dhe të ringrejnë industrinë, pasi është në traditën e kësaj zone. Cilën industri u kujton “veteranëve” Kodheli, atë të nxjerrjes dhe përpunimit të kromit?! E zbuluan italianët në Kalimash, dhe dikur u shërbeu kuksianëve. Rama kur i’a dha konçensionarit turk minierën dhe ish-fabrikën e kromit, u premtoi kuksianëve se; aty do të punësoheshin më shumë se 300 vetë. Aktualisht edhe pse konçensionari po shemb Rrunën, asnjë vendas nuk është i punësuar. Sido që qeveritë pa dallim kanë imponuar vendosjen e kufizimeve në prerjet e pyjeve dhe aq më tepër të ndërhyrjeve të pautorizuara apo të prerjeve për qellime tregtare që shkaktojnë në fakt degradimin dhe shkatërrimin e pyjeve.

Në të vertetë janë zhukur disa qindra ha me pyje, deri në lartësitë shkembore të majave, duke rrënuar rëndë biodiversitetin. Strukturat qeveritare janë të vërbëra ndaj djegies së qellimtë nga disa njerëz të zonës të dhjetra ha pyjeve me halorë. Ky rrënim për qellime kullotash është i pashembullt në gjithë historinë.

Pavarësisht se qeveritë njëra pas tjetrës kanë urdhëruar vendosjen e kufizimeve në aktivitetet që shkaktojnë degradimin e mjedisit dhe gjuetinë pa kriter të specieve të rralla, përfshirë edhe troftën e Valbonës, ajo sot rezulton e zhdukur. Gjuetia e pa kritër, biles kriminale, kanë zhdukur totalisht troftën e Valbonës bashkë me vezët e tyre.

Kodheli u premton grave hasjane se mandatin tjetër kjo qeveri do të hapë më shumë vende të reja pune për to, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre si dhe traditën e mrekullueshme të kësaj zone në punimet artizanale, teksa mburret se është “një ministre kukull” në një qeveri me 50 % të ministrave gra. Kodheli u bën thirrje grave dhe veteranëve të zonës që të mos merren më politikën e televizioneve, në ndërkohë që harron që televizionet çahen nga monologu i shefit të saj.

Në fakt, ata që e shoqërojnë Kodhelin në “Vallen e Kukësit” e kanë të qartë se: Kukësi ka marrë zyrtarisht “trofeun”, si rajoni më i varfër i vendit. I lënë mënjanë prej vitesh nga fondet publike, qytetet dhe fshatrat e të gjithë qarkut po braktisen çdo ditë e më shumë, me arsyetimin për të ikur nga ato vise, ku shpresa ka vdekur.

Kukësi është vendi me nivelin më të lartë të papunësisë, ku më shumë se gjysma e familjeve jetojnë me ndihmën e pamjaftueshme ekonomike. Referuar të dhënave të fundit të INSTAT-it, kupton që Kukësi përjeton eksodin e radhës, pas migrimit për një jetë të mirë me rënien e komunizmit, emigracioni masiv drejt Gjermanisë, Austrisë dhe Britanisë së Madhe, i vendos kuksianët në toplistën e azilkërkuesve nga Shqipëria në Perëndim.

Kukësi është i vetmi qark ku punësimi në sektorin privat ka rënë në masën 2%, dhe rrjedhimisht me nivelin më të ulët të prodhimit për frymë. INSTAT vëren se Kukësi jep vlerën më të ulët në prodhimin e brendshëm bruto të vendit, duke kontribuuar për vetëm 2.1% të totalit të prodhimit. Po kështu, sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kukësi është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë me 22.5% të popullsisë, nga 14.3% që është mesatarja e vendit. Qarku i Kukësit është portreti i rrënimit kombëtar nga Jugu në Veri.

Kukësi e Hasi janë kryefjala e eksodit kombëtar, i cili kulmoi gjatë vitit 2015, ku shkak është dëshpërimi i thellë, kriza e gjithanshme që ka sjellë çdo fikje shprese. Mjafton të shkosh në çdo fshat, e të vëresh se shtëpi të tëra janë të mbyllura dhe në klasat fillore mund të ketë vetëm tre nxënës në klasë. Kukësi ka absolutisht njësitë administrative më të varfra në Shqipëri. Nga 10 komunat më të varfra në vend, 7 prej tyre ndodhen në Kukës. Në Kukës sundon varfëria rurale dhe urbane, çfarë e justifikon ndoshta më së miri, pse dhe sesi varfëria e ka dëbuar popullsinë. Sot, varfëria për kuksianët është fati i hidhur dhe mënyrat për luftimin e saj, si dukuri, kanë dështuar për shkak të koncepteve të gabuara, vizioneve të paqarta, korrupsionit dhe shkaqeve tjera.

Kodheli, ka përballë kuksianët, të cilët tashmë frikur nga varfëria, padyshim më destruktivja prej të gjitha frikave, e paralizon aftësinë e rezonimit, shkatërron aftësinë e imagjinimit, vret vetëbesimin, nënshtron entuziazmin, dekurajon iniciativën, lindë hezitimin, e zhdukë ngazëllimin. Kjo frikë ia merr sharmin personalitetit tonë, pastaj e zbehë mundësinë e mendueshmërisë preçize, zhdrejton koncentrimin e orvatjeve, ngadhënjen këmbëngulësinë, e shndërron fuqinë e vullnetit në asgjë, zhdukë ambicien, mjegullon kujtimin dhe nxitë dështimin në të gjitha format e mundshme, ngulfat dashurinë dhe emocionet tjera këndellëse, dekurajon miqësinë dhe nxitë pafatësinë në qindra forma të ndryshme.

Frika nga varfëria doli prej aftësisë së lindur të njeriut që ekonomikisht ta gllabërojë të afërmin e vet. Gati të gjitha kafshët janë të motivuara me instinkt, dhe aftësia e tyre të “mendojnë” është e kufizuar, kështu që ato njëra tjetrën e gllabërojnë edhe fizikisht. Njeriu, me ndjenjën e vet superiore të intuitës, me aftësinë e vet të mendojë e të rezonojë, nuk e gllabëron të afërmin e vet fizikisht, por ka kënaqësi të veçantë ta “përbijë” financiarisht.

A nuk i gllabëroi paratë e shqiptarëve Beqja me konçensionet prej qindra milionë eurosh. Nuk është aspak çudi se njeriu i frikohet varfërisë. Me ndihmën e një vargu të gjatë të përvojave trashëguese, njeriu mësoi se, njëherë e përgjithmonë, disa njerëzve nuk mund t’iu besohet kur bëhet fjalë për para dhe për prona të kësaj toke. Varfëria nënkupton pamundësinë e qasjes në botën e mundësive të mjaftueshme. Si pasojë e mungesës së lirisë politike, pamundësisë për pjesëmarrje në proçeset e vendimmarrjes, mungesës së qeverisjes së mirë, mungesës së sigurisë personale, pamundësisë për pjesëmarrje në jetën e komunitetit dhe kërcënimeve për drejtësi të qëndrueshme afatgjatë, të varfërit nuk kanë mundësi ta ndryshojnë gjendjen e tyre, sepse u mohohen mjetet për mundësi të tilla.

Mohimi i fuqisë dhe i resurseve ekonomike, sociale dhe kulturore, janë ato që i mbajnë të varfërit të zhytur në varfëri.

Share: