Home KRYESORE Mehmetaj: Ne ecim të sigurt, KUJDES ata që e kanë shoferin e...

Mehmetaj: Ne ecim të sigurt, KUJDES ata që e kanë shoferin e dehur!

Ironia e deputetes se LSI për Edi Ramën dhe PS.

Deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj u ka kthyer përgjigje ndjekësve në lidhje me LSI-në, fushatën dhe jetën.

Mehmetaj u ka kthyer përgjigje edhe elementëve të PS-së që e quajtën LSI makinë me 2 timonë.

Bashkëbisedimi i kandidates për deputete të LSI-së në qarkun Tiranë, Kejdi Mehmetaj, me qytetarët në faqen zyrtare të saj prane LSI në “Facebook”

Është kënaqësi për mua të ndajë disa minuta me ju në këtë “live” në Facebook ku LSI ka një përgjigje për ty.

Ndërmjet të gjithë pyetjeve që kanë ardhur unë kam përzgjedhur ato që m’u dukën më interesante nga sfera edhe sociale edhe pak politike.

 Për ty thonë: “Çfarë ka kërkuar një kalama në parlament?” Me të vërtetë çfarë do ti aty?

Mund të jetë pyetja që më është bërë më së gjati dhe më së shumti në këto katër vite. E thënë me fjalë të ndryshme por me të njëjtin kontekst. Nëse para katër vitesh do të mendohesha shumë se çfarë përgjigje të ktheja, sot jam shumë më e qetë të të them se një vajzë e re si puna ime në këto vite në parlament ka bërë shumë gjëra për të rinjtë në radhë të parë, por edhe për të gjithë qytetarët shqiptar. Duke filluar që nga ndryshimet në ligjin për Arsimin e Lartë, tek përmirësimet në Maturën Shtetërore, tek prezantimi i ligjit për Vullnetarizmi, tek inicimi i një ligji që ligj parlamentin me integrimin evropian apo çështje që kanë të bëjnë me punësimin e të rinjve nëpërmjet bizneseve sociale, apo praktikave të punës, çështje të tjera që kanë të bëjnë me Shqipërinë, vendet e rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian në përgjithësi. Ndaj them se një e re si puna ime, një vajzë e re si puna ime, edhe të tjera po ashtu, i duhen parlamentit për t’i sjell atij një frymë të re ku ajo që mbizotëron është ideja dhe argumenti kundër konflikti dhe interesit personal. Këtë mund të bëj një vajzë e re si puna ime në parlament dhe këtë duhet të bëjnë të gjithë djemtë dhe vajzat e rinj të LSI në të gjithë Shqipërinë. Do të ndryshojnë besoj unë dhe shpresoj unë fytyrën politikës shqiptare.

Si po shkon fushata? Sa takime bën në ditë? Si e presin njerëzit LSI-në dhe kandidimin tënd?

Fushata këtë herë për mua ka qenë më ndryshe se herët e tjera, sepse është një fushatë që vjen pas një konflikti shumë të zgjatur politik dhe kjo e bën atë shumë më të vështirë në komunikimin që ne kemi me qytetarët, sepse gjëja e parë që të duhet të sqarosh është si arritëm ne të shkonim deri në këtë pikë pas 27 vitesh të demokracisë së vendit, por në këtë aspekt unë jam shumë e qetë sepse e di që ne si LSI kemi bërë çdo gjë që ne kemi pasur në dorë, edhe përtej, për të zgjidhur këtë konflikt, për të zgjidhur këtë krizë dhe falë ndërhyrjes dhe insistimit tonë më 25 qershor ne do të kemi zgjedhje, që me besim të plotë e them që do të jenë të gjithpranuara më pas nga të gjitha forcat politike dhe nga qytetarët shqiptarë.

Arsyeja e dytë pse është e veçantë, sepse për LSI kjo është një fushatë e “xhinseve dhe atleteve”, të cilat përfaqësojnë më së miri moshën e re të kandidatëve të LSI në Tiranë. Është një fushatë që bëhet drejtpërsëdrejti me qytetarët, dhe mbi të gjitha me vrullin, me energjinë edhe dashamirësinë që kanë të rinjtë dhe të rejat, që janë të shumtë në atë kontribut të përditshëm që japin.

Përgjithësisht dita fillon në 8 të mëngjesit, takimet e para janë përgjithësisht takime pune brenda strukturave të LSI dhe më pas jemi në takime me qytetarët, në takime tipike “toën hall”, që zhvillohen gjatë fushatave duke prezantuar programin tonë, po të mos harrojmë që ne kemi edhe detyra të tjera gjatë kësaj kohe, qoftë unë si deputete e Shqipërisë, por edhe unë në jetën time profesionale, të cilat përpiqem që ti ndërthur.

Këto ditë janë ditë që i fokusohen pa diskutim fushatës. Për ne të LSI-së kanë thënë që jemi në fushatë gjatë gjithë kohës, kështu që nuk është se përbën ndonjë ndryshim të madh, përveçse ritmi dhe intensiteti shtohet më shumë gjatë këtyre ditëve.

Tahiri dhe Veliaj thanë sot se LSI është një makinë me dy timonë.

E kam dëgjuar sot në media. U qarkullua shumë. Shqetësimi im kryesor nuk është nëse makina ka një ose dy timonë, sepse ju e dini që dy timonë makina ka kur një i ri e mëson atë që të jetë i sigurt e të ecë me shumë siguri, problemi im është çfarë ndodh kur shoferi është i dehur e nuk njeri që ta kontrollojë atë përpara.

Ndaj, në këtë aspekt, ju them se makina e LSI-së është një makinë që ecën e sigurt, ecën me shpejtësi por me një kontroll të plotë të frenave dhe të marsheve të saj, jo nga një as nga dy, por nga një grup i madh njerëzish që besojnë në idealin e saj, besojnë në atë që LSI mund të bëjë. E thashë dhe po e them edhe një herë, nuk e di se ç’do të bënim dhe ç’kemi bërë gjatë kësaj kohe me shoferë të dehur dhe me policë që nuk e kanë mendjen te qarkullimi rrugor por ndoshta për të parë se çfarë ndodh përtej.

Ju premtoni 100 mijë vende pune për të rinjtë, do të fusni në punë vetëm anëtarët e LSI-së?

Në fakt, 100 mijë vende pune vetëm për të rinjtë është një premtim që ne jemi të sigurt se do ta bëjmë realitet në 4-vjeçarin e ardhshëm duke realizuar kështu përgjysmimin e papunësisë ndërmjet moshave të reja, që besoj se edhe ju e dini që është shqetësuese në këto momente sepse është rreth 33%.

Ajo që do të thoja, është që nëse LSI-ja do të kishte 100 mijë anëtarë aktivë, pra anëtarësi aktive, nuk e di do të ishim në një vend ku vetëm një parti do të mbizotëronte. E them këtë me shaka por edhe për t’ju bërë të kuptoni që këto 100 mijë vende pune janë për qytetarët shqiptarë sepse LSI nuk mendon për veten, nuk mendon vetëm për anëtarët e saj, por mendon për të gjithë Shqipërinë dhe kjo është detyra që ka çdo person i angazhuar në politikë aktivisht.

Po të shijoni programin më të detajuar, 10 pikat se si ne do ta realizojmë hapjen e këtyre 100 mijë vendeve të punë do të shihni se aty bëhet fjalë për stimulimin e bizneseve, e sipërmarrjeve rinore, për stimulimin e bizneseve që punësojnë të rinjtë nëpërmjet granteve, nëpërmjet lehtësira për të mos paguar ose rimbursuar një pjesë të sigurimeve shëndetësore apo qoftë edhe pagave të tyre minimale. Po prapë brenda këtyre 10 pikave ka disa pika që flasin për arsimin që të lidh me punësimin, për praktikat e punës, pra janë një sërë nismash të cilat së bashku do të mundësojnë hapjen e 1010 mijë vendeve pune.

Unë e them 100 mijë por jam e sigurt që do të jenë më shumë se kaq duke qenë se ne kemi një program konkret që mendon se si të rivitalizojë ekonominë shqiptare, për ta kthyer atë nga një ekonomi e cila është konsumatore në një ekonomi e cila zhvillon, prodhon dhe e nxjerr produktin e saj përtej Shqipërisë, kështu që ju ftoj të votoni për LSI-në sepse duke votuar për LSI-në voton për t’i dhënë vetes një shans për të pasur një vend pune të mirëpaguar e dinjitoz. Për të pasur edukim cilësor dhe për të pasur më shumë hapësirë për të qenë i suksesshëm në jetë.

Ta zëmë se LSI do të ketë pas zgjedhjeve Ministrinë e Arsimit, ta zëmë se do të ndodhë i njëjti dështim me Maturën shtetërore siç ndodhi këtë vit. Ti do të dalësh të protestosh kundër ministrit apo ministres tënde?

Nëse LSI do të jetë në qeveri dhe unë jam e bindur për këtë dhe do të jetë drejtuese e qeverisë, LSI do të jetë në qeveri jo për të bërë protesta por ëpr të gjetur zgjidhje dhe për të gjetur zgjidhjet më të mira.

Dhe për aq kohë sa ne kemi një program dedikuar arsimit, të cilin e kemi prezantuar para qytetarëve më shumë se rreth 2 muaj e gjysmë përpara, një program për edukimin që e cek atë nga baza, nga çerdhja e nga kopshti e deri në përfundim të studimeve doktorate për të vazhduar më pas edhe me atë që quhet studime përgjatë gjithë jetës, kjo do të thotë që ne jemi përgatitur për t’i bërë ballë sfidave dhe për t’ia dalë atyre me sukses dhe jo për t’u kthyer mbrapsht e për të bërë dështime pas dështimeve.

Ju e dini që nëse do të ishte dëgjuar LSI edhe problemi që ndodhet me Maturën Shtetërore nuk do të kishte ndodhur sepse ne i kemi paraprirë kësaj në Parlament, i kemi paraprirë në të gjitha daljet publike, i kemi paraprirë edhe vetë Ministrisë së Arsimit, qoftë me shkresa zyrtare po ashtu edhe me komunikime informale.

Prandaj nëse LSI është në qeveri, LSI do të bëjë gjëra të mira dhe jo dështime, megjithatë për të shtuar edhe kureshtjen tuaj, për mua nuk ka asnjë shqetësim se kujt force politike do t’i përkasë Ministri apo Ministrja aq kohë nuk plotëson detyrat për të cilat është votuar që të mbajë atë pozicion, qoftë ky i LSI-së apo i çdo partie tjetër. Unë nëse do të jem në Parlament, do të jem në pozicionin për t’i kërkuar llogari dhe llogarinë do t’ia kërkoj njësoj të gjitha palëve.

Jo vetëm në protestë, por në Parlament do të bëj çdo gjë që të me mundësi që asgjë të mos dështojë por secila të ecë në rrugën e saj e sigurt drejt reformave dhe të zhvillimit të Shqipërisë.

Të ka ndodhur ndonjëherë të kundërshtosh kryetarin e partisë?

Në çdo parti, ashtu sikurse brenda një shtëpie apo një punë, nuk shkon çdo gjë vaj dhe jo gjithmonë të gjithë jemi në një mendje. Edhe andej nga vij unë, unë jam me origjinë mallakastriote, që jemi pak kokëfortë dhe i shkojmë pas ideve tona me ngulm, kështu që ka ndodhur disa herë që të kemi përplasje përsa i takon pjesës së ideve dhe çështjeve të ndryshme.

Ka ndodhur edhe të kundërshtoj, sepse kam gjykuar që, ajo që kam thënë dhe menduar është më e drejtë sesa një vendim që kërkohej të merrej apo që mund të ishte marrë. Disa raste kundërshtimin tim e ka shprehur edhe me votë.

Mund t’ju jap për shembull rastin e ligjit për arsimin profesional, të cilin, jo më larg se disa muaj më parë, unë e kam votuar kundër në Parlament, pavarësisht se partia në vetvete mori vendimin për ta mbështetur atë ligj. Kështu që, për aq kohë sa bëhen diskutime, rrihen ide, ka kundërshtime, për mua kjo sjell zhvillimin e demokracisë së brendshme, brenda partisë por pastaj kjo reflektohet automatikisht edhe në vendimmarrjen tonë në shkallë kombëtare, vendi e kështu me radhë.

Por, unë si e re kam një gjë në mendje, që jua këshilloj edhe të rinjve të tjerë, që nuk duhet të jemi “yes-man” të partive tona, sepse në qoftë se jemi zgjedhur në këto pozicione, jemi zgjedhur për atë që ne përfaqësojmë për mendimin tonë kritik, për vlerat tona të shtuara dhe askush nuk do të donte që të shihte tek ne të mëshiruar modelin e një politike të vjetër, që kaq shumë ne duam ta largojmë nga skena politike shqiptare.

Ku e shikoni veten pas 10 vitesh?

Nuk e di, sepse ne ecim me ritme shumë të shpejta. Shqipëria është një vend që është gjithmonë në zhvillim e sipër. Unë, sot që flasim, jam vetëm 24 vjeç, që do të thotë që edhe për shkak të moshës, edhe unë përpiqem të eci me ritme shumë të shpeshta, edhe të shpejta.

Ndaj, do të ishte pak e vështirë për mua në këto momente të parashikoja 10 vitet në vazhdim dhe se ku do të isha unë pas 10 viteve, por në aspektin e punës, do doja të isha në një Shqipëri që do të jetë e integruar në Bashkimin Evropian, jo për të qenë politikisht brenda atij grupi, por sepse duke qenë brenda asaj familjeje politike, do të thotë që ne kemi arritur të zhvillojmë ato reforma, të cilat e bëjnë Shqipërinë një vend të zhvilluar, qoftë në sferën ekonomike, qoftë sa i takon arsimit, qoftë sa i takon aspekteve sociale siç mund të jetë shëndetësia, përfaqësimi e kështu me radhë.

Ndërsa në prizmin personal, pas 10 viteve do doja që të kisha vazhduar një cikël studimesh për të cilat kam vite tashmë që mendoj, bëj aplikime të ndryshme dhe po përpiqem të gjej atë momentin e duhur që mund të bëj një baraspeshë ndërmjet politikës dhe pjesës sime të arsimit. Përse jo, 10 vite mund të na çonin në shumë vende, por të shpresojmë që do të jemi në radhë të parë të lumtur dhe të shëndetshëm, jo vetëm unë, por e gjithë Shqipëria.

Kush është më e rëndësishme për ty, karriera apo familja?

Kam përshtypjen që kushdo që të ishte, do ta kishte shumë të vështirë që t’i ndante të dyja. Unë jam rritur në një familje tipike tradicionale shqiptare, në një familje, e cila është shumë e konsoliduar në përbërjen e saj dhe me ato hyrjet dhe daljet tipike, sikurse ne i quajmë në gjuhën popullore, me të afërmit, me kushërinjtë.

Jam rritur e rrethuar me shumë dashuri dhe asnjëherë në shtëpinë time nuk kam qenë vetëm unë dhe vëllai, por gjithmonë edhe me disa bashkëmoshatarë të tjerë me të cilët kemi ndarë edhe ato kujtimet e fëmijërisë. Dhe e rritur në një familje me këtë lloj tradite, pa diskutim që familja zë për mua një vend parësor dhe unë gjykoj dhe mendoj se, nëse një njeri nuk është i paqtë dhe i qetë brenda familjes së tij, nuk do të mund të reflektojë paqësi dhe qetësi në punën që bën, cilado qoftë ajo.

Kështu që, për mua të dyja shkojnë paralel me njëra-tjetrën. Familja është ajo që të ushqen me dashurinë për punën, me dashurinë për vendin, me pasionin për të bërë gjërat, me të qenit i përgjegjshëm e kështu me radhë. Dhe karriera është vendi ku ti i reflekton këto veti që i merr nga familja.

Unë kam zgjedhur për momentin një karrierë e cila mendon për familjen në radhë të parë, kështu që për mua janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nuk e di se si do të ndodhë kur unë të kem familjen time, sepse jam tek ato vajza, të cilat kam ëndërruar dhe vazhdoj të ëndërroj që të kem një familje të madhe timen, me shumë fëmijë e kështu me radhë. Nuk e di se si do të ndodhë në ato momente, por jam e sigurt që do ta gjej një baraspeshë të mirë midis të dyjave për të dhënë më të mirën po ashtu tek të dyja.

Cili është libri që ke lexuar së fundmi dhe cili është autori yt i preferuar?

Prandaj jemi edhe këtu sot. Biblioteka në fakt është një nga vendet e mia të preferuara ku gjej qetësi, sepse jam e rrethuar me librat me të cilat unë jam rritur që e vogël dhe është një nga pasionet që ndaj më së shumti.

Ndoshta mund të jetë një nga gjërat që më ka mbetur kur flas me pasion dhe pasioni është i dukshëm. Që të mos zgjatem, janë 2 libra që kam mbyllur së fundmi. Njëra është “Hajdutja e librave”, e cila flet pas luftën e dytë Botërore në Gjermani, një histori shumë interesante e një libër që ka marrë shumë vlerësime ndërkombëtare. Kjo hyn edhe tek sfera disi më artistike.

Libri tjetër ka qenë “Stalini i ri” i Montefiores, një biografi apo publicistikë mbi jetën e Stalinit në moshë të tij të re, që nga vegjëlia e deri në momentin që u bë pjesë aktive e politikës. Kuptohet kam lexuar gjatë kësaj kohe edhe libra që më kanë shërbyer për punë të ndryshme, por këto i radhita si librat artistikë të ditëve të fundit. Ndërkohë për autori im i preferuar, nuk besoj që një njeri i cili i do librat dhe është rritur me to mund të ketë një autor të preferuar, sepse në momente të ndryshme të ditës, në momente të ndryshme emocionale ka gjithmonë një libër që të vjen më afër sesa një tjetër dhe një autor që të përshtatet më shumë sesa një tjetër.

Por një dashuri e imja me të cilën jam lidhur që ndoshta në përfundim të shkollës 9-vjeçare dhe në fillim të gjimnazit, ka qenë Remarku. Ndoshta ka qenë nga të parët që më ka futur në botën e librave për të rritur le të themi kështu, dhe kam ndjerë dhe vazhdoj t’i rikthehem me shumë dashuri. Thonë që “petroninsat” përgjithësisht duan shumë Remarkun, kështu që kjo mund të më ketë ngelur pak edhe si rrjedhojë e shoqërisë sime të gjimnazit.

A do të bëhet kampingu i LRI-së në Jalë këtë vit?

Po, do të bëhet. Madje jo vetëm një, por do të bëhen disa kampe këtë vit sepse dua të ndajë një lajm të mirë me ju. Këtë vit në Jalë, në datat 14 deri në 21 korrik, ne do të mirëpresim rreth 2000 të rinj nga e gjithë bota, të cilët janë të angazhuar politikisht, liderë të rinj politikë në vendet e tyre nga Evropa, Afrika, Azia, Amerika, Australia, që do të mblidhen në Jalë për të filluar ndoshta aktivitetin e tyre më të rëndësishëm të verës, pushimit por edhe të angazhimit politik brenda një organizate në të cilën unë mbaj pozicionin e zëvendëspresidentes që është Internacionalja e të Rinjve Socialistë, organizata me e madhe rinore politike në botë që mbledh rreth vetes parti të cilat kanë bindje të qendrës edhe të majta.

Kështu që ai do të jetë i pari dhe do të jetë një eksperiencë shumë e bukur për ne dhe po ashtu si LRI dhe si LSI jemi krenarë që IUSY dhe partnerët tanë ndërkombëtarë vlerësuan kampet e vitpasvitshme që ne krijojmë dhe na besuan që këtë vit t’i mirëpresim. Por pa dashur të hyj tani në punët e brendshme të LRI-së, di që dhe ata kanë bërë planet e tyre sa i takon pjesës së kampit të Jalës ku do të jetë ai i përvitshmi por besoj do të jenë edhe disa të tjera sepse siç e dini LRI-ja tani është bërë shumë e madhe dhe ndoshta një kamp i vetëm nuk do të na e bëj të mundur që të mblidhemi të gjithë bashkë. Megjithatë, Tani, unë të ftoj që të bëhesh pjesë e njërës prej këtyre eksperiencave. Jam e sigurt që do të të vlejë shumë për t’u aftësuar, për të krijuar shoqëri të reja, për të mësuar dhe për të marrë njohuri jo vetëm në fushën politike por në fushën e sipërmarrjes, të edukimit dhe ndoshta aty do të kuptosh se pse LRI vazhdon rritet dita ditës dhe është bërë tashmë si një ortek i vrullshëm sepse LRI dhe LSI janë mikpritësit dhe zëri, besoj unë, më i ngrohtë i të rinjve në Shqipëri.

Si ndihesh që LRI-ja e Fierit tashmë rritet dita ditës dhe ka shumë gjimnazistë që punojnë për Fierin?

Ndihem shumë e lumtur, vërtet shumë e lumtur. Unë jam një vajzë që kam lindur në Fier, kam kryer aty edhe klasën time të parë, kam një pjesë të madhe të familjes time aty dhe ndihem shumë mirë që më në fund Fieri po ndryshon në kuptimin e fjalës që nga një qytet i fjetur, në kuptimin e angazhimit në komunitet me të rinj, të cilët ndoshta në mendjen e tyre kanë pasur vetëm të largohen nga Fieri, për të ardhur në Tiranë apo diku gjetkë në botë për të zhvilluar jetën e tyre, tanimë po kthehet në një qytet vital, me organizime të përditshme, me trajnime të përditshme, me ambiente ku të rinjtë mund të shkojnë.

Jam shumë e sigurt që në këtë periudhën në vazhdim do të shkojnë shumë të rinj fierak që do të kthehen në Fier për të kontribuar dhe zhvilluar familjet e tyre atje. Si fierake ndihem shumë krenare për këtë fakt dhe ndihem shumë krenare që kanë qenë të rinjtë e LRI-së, të cilët e kanë bërë këtë hov cilësor për jetën e të rinjve në Fier.

Dua të përshëndes me këtë rast shumë Erisën, e cila ka qenë mikpritësja ime në LRI-në këtu në Tiranë dhe po përçon këtë frymë të jashtëzakonshme edhe në Fier dhe në të gjithë Qarkun e Fierit, jo vetëm në qytet.

Dua t’ju falënderoj që më ndoqët dhe shpresoj që të ketë qenë interesante siç Facebook është në vetvete. Faleminderit. Do të shihemi sërish.

Share: