Home KRYESORE Ekonomi e shkarkoi nga detyra, ish-kreu i Postës zbulon një tjetër skandal...

Ekonomi e shkarkoi nga detyra, ish-kreu i Postës zbulon një tjetër skandal të marrëveshjes Rama-Basha

Majlind Lazimi u shkarkua nga drejtimi i Postës Shqiptare me urdhër të ministres së Ekonomisë, Milva Ekonomi, dhe çështja mes tyre ka përfunduar në dyert e Prokurorisë.

Lazimi e ka kallëzuar ministren për shkarkim të paligjshëm ndërsa arsyet e shkarkimit të tij janë ende kontradiktore. Por me largimin e tij Lazimi ka zbuluar një skandal në këtë fushatë, që duket se po përsëritet gjerë në radhët e zyrtarëve.

I ftuar në “Ekopolitikë” në Ora News, Lazimi tha se nënkryetari i komanduar në krye të Postës, është i angazhuar në fushatë në Njësinë 5 në Tiranë.

“Unë apelova që të bëhej një rekomandim. Unë sot u njoftova se është komanduar zv/drejtori. I Partisë Socialiste me sa di unë. Është i angazhuar në fushatë tek Njësia 5 tek Komuna e Parisit”, u shpreh ish-drejtori i Postës.

Lazimi shtoi se shkarkimi i tij është i pamotivuar se tani po zhvillohen kontrolle në Drejtorinë e Përgjithshme të Postës për të motivuar shkarkimin.

“Kam përshtypjen se marrëveshja e luftës me pambuk mes PD dhe PS përfundoi me një marrëveshje mbi ligjin. Disa ministra teknikë apo politikë mendojnë se janë mbi ligjin. Rasti im ishte flagrant. Sot e kësaj dite nuk kam marrë asnjë motivacion të shkruar. Fatkeqësisht të premten u aludua për përfshirjen time në fushatë. Të hënën u tha nuk është çështje fushate. Shpresoj ta gjejmë brenda javës. Sot që po flasim ka filluar një kontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Postës për t’i paraprirë një urdhri të javës së shkarkuar. Një person hiqet nga detyra pa asnjë argumentim ligjor dhe tani me sa duket po bëjnë gati fakte fiktive për të thënë që para një jave kishim të drejtë që e shkarkuam”, tha ai.

Share: