Home KRYESORE Divorci përfundimtar mes PS e LSI?

Divorci përfundimtar mes PS e LSI?

Nga akuzat kanë kaluar te kercënimet. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk po lënë më asnjë shteg bashkëpunimi. Ndarja duket më e thellë se ajo e pas zgjedhjeve të vitit 2009 kui Ilir Meta, sipas Edi Ramës “vidhte vota për të vjedhur Shqipërinë” dhe Ram ishte për Metën një “fundërrinë të pashembullt e moralit të shoqërisë shqiptare” (shih 2 videot më poshtë në faqen e lapsi.al).

Në përpjekje për të larë duart nga dështimet, Edi Rama po ia lë Ilir Metës faturën e një prej përiudhave më të këqija të qeverisjes, me Shqipërinë e shndërruar në kryeqendrën e kanabisit në Europë, me shtimin e varfërisë dhe emigracionit, me qindra miliona euro koncesione të dhëna për klientët e kryeministrit.

Ndërsa Ilir Meta po kërkon t’i vërë Edi Ramës përfundimisht damkën e të një të pabesi dhe të çekuilibruari.

Hakmarrja nisi menjëhërë pas paktit Rama – Basha.

I vënën nën trysni të madhe edhe nga PD që po përdor të njëjtën taktikë të Ramës, Ilir Meta e kaloi i pari pragun e “akuzave elektorale” ndaj Ramës dhe përdori ndaj tij një gjuhë kërcënuese.

I tha se nuk do ta dekretonte si kryeministër, nëse do të fitonte zgjedhjet me vota të manipuluara.

PS iu përgjigj i kujtoi se mund ta shkarkonte, ashtu siç e kishte zgjedhur.

“PS e bëri deputet, ministër, kryeministër dy herë, kryetar kuvendi dhe tani president. Ilir Meta është i pari burrë që i ka provuar të gjitha. Por më 24 korrik të guxojë të mos e dekretojë qeverinë, duke shkelur kushtetutën, sepse do të jetë i pari president që do të provojë edhe shkarkimin”, tha Ruçi dje në Fier.

Kur fushatës po i vjen fundi, duket sikur po luftohet vetëm në kampin e majtë, mes dy partive qejfprishura që, pasi kaluan 4 vjet në dashuri, po i tregojnë njëri – tjetrit dhëmbët e inatit të divorcit përfundimtar.

Lulzim Basha, që deri dje e sulmonte LSI –në po në të njëjtën mënyrë si Edi Rama, pas kthimit nga SHBA po merret me takime derë më derë, duke i lënë dy ish -aleatët të qërojnë hesapet që kanë me njëri – tjetrin. Kjo përplasje duket sikur po e favorizon dhe po i jep mundësinë të flasë për premtime reale.

Në fillim të fushatës ai e përjashtoi kategorikisht çdo mundësi bashkëpunimi me LSI pas zgjedhjeve.

Por nga Ilir Meta, që javën e kaluar rrëfeu se ata kishin pasur një marrëdhënie të mirë edhe në kohën e krizës së çadrës, po i vijnë sinjale për një bashkëpunim të mundshëm pas zgjedhjeve, mbi bazën e luajalitetit, si në kohën e bashkëqeverisjes me Sali Berishën.

Por më shumë se një mundësi reale, bashkëpunimi PD – LSI ngjan më shumë me një dëshirë gati në dëshpërim të Ilir Metës për ta parë Edi Ramën në opozitë dhe për t’i dhënë atij ndoshta goditjen e fundit në politikë. Ai ka shfaqur pendim të thellë përse ia dha shansin Ramës bëhej kryeministër me votat e LSI në 2013.

Për t’ia hequr një shans të dytë, ai po kërkon t’i marrë Bashën, me të cilin po flitet prej 18 majit se Rama ka mbyllur “një pazar” për të qeverisur së bashku.

Sali Berisha e hodhi poshtë si mundësi qeverisjen PS – PD. A ishte e bëri ai këtë deklaratë për t’i dhënë oksigjen Metës dhe për të goditur Ramën që duket tejet i sigurt se do të jetë sërish kryeministër, apo për të inkurajuar demokratët e zhgënjyer nga “pajtimi” me atë që deri dje Basha e quante si kryeministrin e një qeverie kriminale?

Ajo që Berisha tha më me siguri, ishte që kryeministër do të ishte Basha, diçka që Rama zor se do ta pranonte në një koalicion të mundshëm mes tyre, ndërsa Metës do t’i shkonte për shtat, pasi e ka siguruar veten si president.

Asgjë nuk duket më e pamundur, teksa kjo garë e pazakontë pritet të rezervojë surpriza, pa përjashtuar partitë e vogla, që në një rezultat të ngushtë mund të shndërrohen gjithashtu në vendimtare për të përcaktuar qeverinë dhe opozitën e ardhshme. /Lapsi.al

Share: