Nga Gjirokastra, presidenti i ardhshëm Ilir Meta hodhi sërish akuza në drejtim të Policisë së Shtetit dhe ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për kanabizimin. Gjatë mitingut elektoral me mbështetës të LSI, Meta u shpreh se akioni antidrogë në Lazarat i tre viteve më parë u bë që të mbulohej me kanabis i gjithë vendi.
“Ne mbështetëm aksionin anti drogë në Lazarat, aty humbi jetën edhe një hero i Forcave Speciale. Por ai operacion në Lazarat u bë për të mbushur të gjithë Shqipërinë me drogë”, u shpreh Meta.
Ish-kryetari i LSI fshikulloi PS-në duke i quajtur pseudosocialistë të cilët janë fotokopje e Berishës së parë. “Me Petrit Vasilin kryeministër, gjirokastra do njohë projekte punësimi dhe zhvillimi për të gjithë të rinjtë dhe të reja. Në këtë shesh mungojnë shumë gjirokastritë dhe gjirokastrite, do donin të vinin këtu por kanë frikë se Rilindja nesër i heq nga puna. Kjo është Rilindja e pseudosocialistëve që erdhën në politikë me lugë ne brez dhe e kanë mendjen te kusia dhe tepsia, është fotokopje e Berishës së parë fare”, u shpreh Meta.
Presidenti i ardhshëm iu referua edhe marrëdhënieve me Greqinë. Ai tha se gjatë presidencës së tij raportet me fqinjin jugor do jenë të shkëlqyera.
“Marrëdhëniet tona me Greqinë do jenë të shkëlqyera dhe të gjitha problemet do t’i zgjidhim me mençuri dhe dinjitet për të dy popujt e vendeve tanë”, tha Meta.