Zv.kryeministrja teknike, Ledina Mandija i kërkoi Prokurorisë hetimin e drejtuesve të shoqërisë Posta Shqiptare sh.a. Njoftimit i shpërndarë në media thote se, kjo kërkesë e Mandisë erdhi pas veprimeve arbitrare të drejtuesve të shoqërisë Posta Shqiptare sh.a., të cilët prej thuajse një muaji, po bëjnë lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve në qendër dhe në rrethe.
Sipas urdhrave të shkarkimeve të vëna në dispozicion të zv.kryeministres, janë të paktën 30 raste të tilla, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që numri real i lëvizjeve të punonjësve të jetë edhe më i madh.
Grupi i verifikimit i siguroi të dhënat për këto lëvizje nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në pamundësi për t’i marrë nga drejtori i Postës Shqiptare sh.a.
Dyshimet ngrihen se këto lëvizje po bëhen me qëllime politike.
Zyra e Ledina Mandisë vlerëson se drejtuesit e kësaj shoqërie, me veprimet dhe mosveprimet e tyre të kryera me dashje duke vepruar në kundërshtim me ligjin, kanë “Shpërdorur detyrën” dhe kanë “Përdorur funksionin publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të parashikuara në Kodin Penal.