Nga Azem Parllaku
Vetëm 600 mijë shqiptarë, pasi shijuan bakllavanë e Fitër Bajramit, shkuan dje për të votuar. Xhin Kirkpetrik, dijetar dhe ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara pranë Kombeve të Bashkuara, thotë “Zgjedhjet demokratike nuk kanë thjesht një simbolikë. Ato janë zgjedhje kompetitive, periodike, të gjëra dhe përcaktuese, në të cilat udhëheqësit e qeverisë zgjidhen nga shtetas që gëzojnë liri të plotë për të kritikuar qeverinë, për t’i botuar kritikat e tyre dhe për të parashtruar alternativa”.
Sot, një ditë pas zgjedhjeve në Shqipëri për të krijuar qeverinë mjaftojnë 300 mijë vota. Ç’ka do të thotë se, për ata që do të qeverisin në katër vite, kanë votuar vetëm 7.5% e zgjedhësve. Pjesëmarrja në votime dje, ishte trishtuese. Trishtuese është edhe dështimi i “Republikës së Re”. Dhe është dështim për Lulzim Bashën. Basha tashmë nuk duhet t’a vonojë dorëheqjen. Partia Demokratike shënoi rezultatin më të dobët të histotrisë së saj, duke njohur fitore vetëm në Qarkun e Kukësit. Duhet thënë se, Partia Demokratike ishte në pritje të një humbje, por jo në të tilla përmasa.
Basha dështoi ta kthejë opozitën në një alternativë sfiduese kundrejt një qeverisje të keqe dhe një kryeministri arrogant. Përgjegjësitë e humbjes janë të lidershipit të PD-së. Para të gjithash, ajo që duket qartë është humbja e votuesve; këta nuk janë as si numra. Lajmi i dhënë nga KQZ për pjesëmarrje të ulët në zgjedhje, përkon me shifrën më të ulët në histori, vetëm 43,8 për qind. Pas kësaj askush nuk ka arsye për të festuar.
Megjithse proçesi i numërimit të votave të hedhura në kuti ende nuk ka mbaruar, rezultatet e para flasin për një humbje të thellë të listës Basha, një fitore sfiduese të listës Rama dhe një fitore që pritej të listës Meta. Bojkoti i zgjedhjeve nga ana e shqiptarëve, është shqetësues, aq sa mund të thuhet se logjika e funksionimit të demokracisë, ka humbur. Kontrolli dhe varësia nga pushteti bën që, në një shoqëri të humbasë logjika e funksionimit të sistemit demokratik. Në demokraci shoqëria e krijon qeverinë dhe institucionet.
Mungesa e vetëdijes demokratike krijon një shoqëri të uniformuar, e cila voton ashtu siç kurdiset nga partia e jo duke shprehur vullnetin real. Përshtatja me këtë sistem të përmbysur vlerash, ka bërë që në Shqipëri, gjithçka të pranohet si normale. Miratimi i së keqes ku dëgjueshmëria ndaj politikës së korruptuar është e theksuar, dëshmon sesi kemi të bëjmë me një krizë kolektive morale. Heshtja përballë të keqes së përgjithshme, duhet të na shqetësojë. Në analizë të shifrave, duket se dje kanë votuar vetëm militantët dhe familjarët e deputetëve.
Shqipëria e vitit 2017, është marrë peng i një grupi familjarësh politikanë, autokratë e diktatorë, që për çudinë e pashpjeguar, nëpërmjet krimit e korrupsionit të mirëorganizuar, gënjeshtrave e mashtrimit, ngjitën shkallët e karrierës, duke u bërë Demonë, duke shantazhuar të ardhmen tonë. Sipas filozofit gjerman Erich Fromm, politika përherë synon ta krijojë njeriun e dëgjueshëm. Njeriu duhet të dojë, bile edhe të tregojë nevojë për dëgjueshmëri, në vend që të ndjejë frikë nga padëgjueshmëria.
Për ta arritur këtë gjendje, Fromm thotë se pushteti bën gjithçka që t’i marrë atributet dhe kualitetet e “të mirës së përgjithshme” dhe “të mençurës së përgjithshme”. Në këtë rast, dëgjueshmëria dhe heshtja paraqiten si veprime të mençura përballë padëgjueshmërisë dhe protestës, si mospajtim me të keqen. Fatkeqësisht, kjo gjendje është arritur te shqiptarët, gjendje ku, shumica kanë pranuar dëgjueshmërinë si të mirë dhe e urrejnë padëgjueshmërinë si të keqe.
Edi Rama fitoi si pasojë e bojkotit masiv dhe këtë e tregon fakti se në numur votash ai nuk ka pësuar asnjë ngritje të ndjeshme në raport me katër vite më parë. Për të parën herë Partia Demokratike, që nga themelimi i saj ka marrë një goditje të rëndë. Megjithatë humbja e thellë nuk është një rezultat i papritshëm, në kuptimin se ajo nuk vjen si një shfaqje e beftë në realitetin shqiptar të zgjedhjeve, por është dhe perëndimi i “Republikës së Re”. Aksioni politik i zgjedhur nga Lulzim Basha nuk prodhoi asgjë në favor të Partisë Demokratike, veçse diskretitimit dhe kthimit të Bashës në një lolo e Edi Ramës, i cili e përdori për të arritur me shumë sukses qëllimin e tij. A pati garë në këto zgjedhje.
Po. Gara ishte midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por një garë ka fituesin dhe humbësin e saj. Partia Socialiste ka sot më shumë se 500 mijë vota më pak, krahasuar me vitin 2013. Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk i kanë ikur të betuarit. Po kush humbi atehere? Kush nuk u rrit ? Një Zot e di! Një gjë është e sigurtë, votuesi nuk u rrit, votuesi nuk fitoi.
Zgjedhjet janë legjitime dolën sa dolën për të zgjedhur, fajtorë janë gjithmonë ata që mungojnë. Kriza politike e panevojshme e shkaktuar muajve të fundit i dekurajoi votuesit të shkojnë drejt kutive për të hedhur votën. Sidoqoftë fajtori më i madh duhet kërkuar në opozitë e jo në pozitë, vetvetiu kur voton pakica dihet që fiton ai që është në pushtet.