Lulzim Basha ka filluar punën për të tulatur zërat publikë që janë kundër tij. Dje menjëherë pas publikimit të shkrimit të Besnik Mustafajit që kërkonte dorëheqjen ai i ka telefonuar personalisht ish ministrit demokrat. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me zëra të tjerë. Por sinjali më i fortë është ajo që Basha pritet të thotë sot.
Një burim i Lapsi.al mësoi të martën në mbrëmje një pjesë shkurtër të asaj që do të thotë Basha sot pas përfundimit të numërimit për zgjedhjet e humbura. “Duhen luftuar bandat e rrezikshme qe janë në pushtet dhe pavarësisht humbjes do vazhdojmë luftën për Republikën e re!” – është një frazë që lapsi.al mësoi nga ato që Basha do të thotë 2 ditë pas zgjedhjeve.
Fraza e Bashës “do të vazhdojmë të luftojmë për Republikën e re” duket si një paralajmërim se Basha do të kërkojë të vazhdojë në krye të demokratëve. Zgjedhjet e rregullta për kryetarin e ri të PD deri më tani janë caktuar në 24 korrik. Megjithëse oponentë të Bashës kanë kërkuar shtyrjen e tyre dhe fillimin e një procesi reflektimi që nuk u bë as në vitin 2013. (Lapsi.al)