Irma Libohova, 4 muaj pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, ka dhënë një intervistë ku ka folur për dhimbjen që Besniku ka lënë pas, si dhe për projektet e fundit muzikore.
Në një rrëfim prekës në emisionin “Lart e Poshtë” me Eraldo Rexhon, ajo ka treguar se sa herë e merr malli për të shoqin, hap “Whatsapp-in” dhe lexon bisedat e gjata që bënte me dikur me të.
“Ka një boshllëk, por jeta vazhdon dhe unë përpiqem të merrem me punë, vazhdoj gjithë ditën. Herë-herë shikoj kujtimet…mundohem ta heq kokën dhe të mos mërzitem. Mirëpo ato janë aty dhe e kam thënë edhe herë tjetër dhimbja është e atij që ka fatkeqësinë dhe mundohem ta tejkaloj. Por kam njerëz rreth e qark, të cilët ma mbushin ditën time. Ndonjëherë kur jam vetëm hap gjithë chat-in e whatsapp-it që kam me bashkëshortin, i kam ruajtur të gjitha e muhabetet që kemi bërë i kam të ruajtura, mesazhet. Këto janë mungesa që njeriu ka dhe mundohem ta kaloj. Çfarë të bëj, jeta vazhdon”, ka treguar Irma.
Irma ka rrëfyer se do i realizojë premtimet e Besnikut, dhe do t’i publikojë këngët që i kanë mbetur në projekte.
“Do mundohem të bëj ndonjë videoklip modest në respekt të bashkëshortit tim që i donte këto këngë. Në mënyrë që ato të mbeten. Kur të mos kem shumë punë, besoj nga dimri. Amanetet e Besnikut besoj do i çoj në vend”, tha këngëtarja.
Ajo gjithashtu ka zbuluar se djali i saj Ataoli dhe partnerja e tij janë në pritje të një fëmije. Këtë lajm të bukur që duket se i ka shtuar ngjyrat jetës së saj pas humbjes së bashkëshortit katër muaj më parë.
“Unë besoj që ky është lajmi më i bukur dhe prandaj themi gjithmonë që duhet t’i kthejmë sytë nga jeta. S’ka gjë më të bukur kur vjen një jetë. Thonë që është një ndjesi shumë e bukur, s’e kam provuar. Shumë shpejt, besoj që do të kemi një intervistë tjetër për të dhënë edhe ndjesinë e të qenit gjyshe”, – u shpreh Irma Libohova, e cila në shtator do të publikojë këngën e saj të re me titull “Ditëlindja”./360grade.al/