Lajmet komunale me origjinë vetëm nga “punëmadhja” Bashki e Tiranës, konkurrohen egërsisht me lajme që vijnë nga policia, e cila si punë të parë ka shpërndarjen e lajmeve e pastaj çështje që lidhen me detyrat funksionale të saj. Asnjëherë më parë, nuk kanë qenë lajmet në Shqipëri me komunale dhe kriminale sa vërehen këto kohë.
Burimi i informacionit policor është vetë policia e cila komunikatën ditore origjinale, e cila në bazë të listës së afateve të informacioneve të klasifikuara të datës 1.10.2010 (listë e cila ndryshohet vetëm me propozim komisioni dhe urdhër ministri) është informacion i klasifikuar me afat 10-vjeçar për disa arsye.
Jo vetëm sepse në këto informacione ka të dhëna personale, por edhe sepse shumë çështje janë operative apo mund edhe të mos jenë fare të sakta. Pavarësisht se ne kemi komisioner për mbrojtjen e të dhënave personale, nuk është parë ndonjëherë ndonjë kundërveprim publik apo administrativ kundër kësaj dukurie vetëm shqiptare.
Nëpërmjet kësaj komunikate jepen hollësi të panevojshme për publikun në lidhje me aksidentet, lëndët narkotike në përmasa të vogla, krimin në familje, plagosjet e lehta për motive të dobëta (që më shumë bëhen serioze nga lajmet sesa janë të tilla vërtet), etj.
Lëre pastaj detajet për vendin se ku e mori plagën i plagosuri, centimetrat, gjakun që humbi, orën kur u njoftua salla operative, e kishte të dashur apo nuk e kishte të dashur etj. Emra të panjohur shihen nga mëngjesi e deri në darkë, duke përbërë një shqetësim për publikun, i cili kriminalizohet e terrorizohet me lajme policore.
Pjesa më qesharake e këtyre lajmeve janë ato që nisin me fjalët: “Sot u krye operacioni i koduar ‘Marrëzia’”, etj. Si rregull, ky operacion niset nga një dosje e klasifikuar, problem i centralizuar. Nga koha e komunizmit kanë ngelur këto vendosje nofkash nëpër dosje e që nuk thonë në fakt asgjë.
Të vish nga jashtë shtetit në Shqipëri, me siguri do krijosh një perceptim të tillë se ky është një vend kriminelësh ku punon vetëm qeveria që “po bën shtet” dhe Bashkia e Tiranës që po lyen çerdhet me gëlqere e po saldon tuba.
Para disa kohësh një qytetar i zakonshëm me emrin Haxhi Lleshi ishte përfshirë në një ngjarje. Nuk ngeli televizion pa ia nxjerrë emrin me titra nga mëngjesi e deri në darkë, aqsa kujtuam se ishte ngjallur Haxhi Lleshi që njohim.
Ne jemi vendi i vetëm në rajon (nuk flas në Europë se nuk guxon kush të bëjë kësaj idiotësish) që kemi lajme me analiza vjetore të policisë apo me mbledhje se çfarë u thotë drejtori vartësve të tij. Policia shqiptare, shumë larg standarteve që kërkon koha, do jetë vërtetë polici kur ta përbuzë këtë model që nuk lidhet me detyrat e saj dhe kur të mos jetë pjesë e propagandës.