Home KRYESORE At Nikolla Marku: Tentuan të më eliminojnë me helm në verë!

At Nikolla Marku: Tentuan të më eliminojnë me helm në verë!

Tentativë për të helmuar at Nikolla Markun në Elbasan. Lajmi i bujshëm konfirmohet nga vetë at Nikolla i cili u shpreh se “perëndia e shpëtoi për mrekulli dhe se tani ndodhet nën kujdesin e saj”.

Prifti i kishës Shën Maria në këtë qytet tregon se kjo është dorë e kishës greke që, sipas tij, ka kohë që kërkon ta eliminojë për shkak të kundërshtive, veçanërisht me Kryepeshkopin Janullatus.

At Nikolla shprehet se ka zbuluar edhe personin që ka kërkuar ta helmojë duke i hedhur helm në verë. Por ajo që e ka lënë të shokuar priftin është fakti se personi në fjalë është pagëzuar në këtë kishë dhe ka qëndruar pranë at Nikollës për vite me radhë.

“Është e pabesueshme ajo që ka ndodhur. Kemi fakte historike, kam lexuar e dëgjuar për bëmat e kishës greke por, se do të isha edhe unë protagonist këtë, se kisha imagjinuar. Kam menduar se kohët kanë ndryshuar, pavarësisht divergjencave tona, puna nuk do të arrinte deri këtu. Por ja që është një fakt rrëqethës. Unë zbulova skenarin se si do të më eliminonin. Dhe ky eliminim ishte përgatitur me kohë, dalëngadalë për të pasur një fund të sigurt. Një skenar makabër i përgatitur nga qarqet të errëta të kishës dhe shovinistëve grekë. Mortati ishte brenda në kishë, fare pranë meje. Në momentin final personi në fjalë duket se nuk do ta bante më mëkatin ndaj më tregoi gjithçka. Ai më tha se ishte instruktuar që të vidhnin dhe kopjonin çelësat e kishës, të hynin brenda saj, të hidhnin helm në verë. Madje ishin interesuar edhe për peshën time trupore që gjithçka të ishte e sigurt. Kur më tregoi, i thashë personit në fjalë: A do ti deklarosh këto gjëra para shokëve të tjerë?

Që nga ajo kohë u zhduk. Të gjitha këto ia kam deklaruar organeve kompetente. Unë vuaj nga parkinsoni dhe sëmundja natyrisht që është e rëndë. Një nga shkaqet e sëmundjes është edhe stresi që kam hequr gjatë këtyre viteve në luftë i vetëm me kishën greke. Dhe ata po nxitojnë të më eliminojnë duke e justifikuar si një aksident të sëmundjes sime.

Madje kanë përgatitur edhe pasardhësin. Por janë të humbur. Perëndia më ka ndriçuar rrugën dhe kam zbuluar gjithçka. I zbulova dhe po i demaskoj para gjithë shqiptarëve, para gjithë botës. Kurrë nuk kanë për të na e marrë kishën tonë të themeluar nga Kryepeshkopi Visarion Xhuvani. At Nikolla rron dhe do të rrojë deri sa përpjekja për të pasur kishën tonë të jetë një realitet. Hiqni dorë nga skenaret e zeza se do iu mallkojë historia!”

Kisha Shën Maria në Elbasan njihet për oponencën e saj me kishën ortodokse autoqefale shqiptare. At Nikolla Marku ka kërkuar që kisha autoqefale kombëtare shqiptare të drejtohet nga një Kryepeshkop me gjak shqiptar. Infoelbasani.al

Share: