Home KRYESORE Stuhia “Harvey” merr përmasa historike në Hjuston

Stuhia “Harvey” merr përmasa historike në Hjuston

Përmbytjet katastrofike në shtetin amerikan të Teksasit pritet vetëm të përkeqësohen gjatë ditëve në vijim, teksa niveli i ujit është gjithnjë në rritje pas një stuhie të përmasave historike.

Një rekord prej 75 cm shi ka mbuluar tashmë qytetin e Hjustonit pas stuhisë Harvey, duke i kthyer rrugët në lumenj.

Meteorologët thonë se reshjet totale mund të dyfishohen më vonë gjatë javës. Presidenti Donald Trump ka premtuar të ndërmarrë veprime të shpejta për t’i ardhur në ndihmë personave të prekur, ndërkohë që pritet të vizitojë Teksasin gjatë ditës. Përveç këtij shteti, Trump ka aprovuar një deklaratë emergjence edhe për Luizianën fqinje.

Më shumë se 3,000 persona brenda dhe përqark Hjustonit kanë mundur të shpëtohen nga përmbytjet e Harvey-t, ndërkohë që të paktën 9 persona raportohet të kenë humbur jetën në incidente të lidhura me stuhinë.

Raportohet se 6 persona të të njëjtës familje humbën jetën teksa përpiqeshin të arratiseshin nga përmbytjet, por incidenti ende nuk është konfirmuar.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott ka aktivizuar mbarë Rojën Kombëtare të Teksasit, rreth 12,000 ushtarë civilë të cilët po ndihmojnë forcat kombëtare në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

Zyrtarët presin që rreth 500,000 persona të prekur nga stuhia të kërkojnë asistencë në Teksas dhe 30,000 persona do të vendosen në streha emergjente. Shërbimi Kombëtar i Motit parashikoi se të mërkurën dhe të enjten priten edhe përmbytjet më të mëdha, edhe pse ka ende paqartësi për rrugën ku do të kalojë stuhia./oranews

Share: