Ministrja e konfirmuar Lindita Nikolla, e cila pritet të rimarrë postin e ministres së Arsimit, iu përgjigj Lulzim Bashës për akuzat se librat për arsimin e detyruar janë me pagesë në Shqipëri, duke thënë se 3 muajt e fundit nuk e ka drejtuar ajo MAS-in. Nderkohe ajo u shpreh se është e gatshme të takohet me të për të diskutuar idetë për përmirësimin e sistemit arsimor.
Statusi në “Facebook” i Lindita Nikollës:
Zoti Basha, mbase e keni harruar që prej më shumë se tre muajsh, dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj. Prandaj po jua kujtoj!
Mbase nuk e dini edhe që pavarësisht dorëheqjes, e zgjedhura juaj ka qenë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme. Ndërkohë që mund të ju kish informuar për organizimin e shpërndarjes së librave duke i dhënë fund evazionit, si dhe për paketën e teksteve që lidhet me kurrikulën e re.
Prandaj po jua bëj me dije.
Dhe së fundi, mbase nuk e dini, por është e pavërtetë që librat shkollorë janë falas për të gjithë në të gjithë rajonin. Prandaj po iu informoj.
Megjithatë, me të marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, unë do iu kërkoj një takim për të dëgjuar idetë tuaja dhe në vazhdimësi, do te dëgjoj me respekt çdo ide a sugjerim tuajin apo të grupit tuaj parlamentar.
Shumë faleminderit dhe suksese në detyrën tuaj si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme.