Home KRYESORE QYTETARË, DONI SHTET, KRYEMINISTRI TË ZBATOJË UDHËZIMET E KLSH ME TË...

QYTETARË, DONI SHTET, KRYEMINISTRI TË ZBATOJË UDHËZIMET E KLSH ME TË VËRTET

Nga Sazan Guri

Në auditimet e 5 viteve të fundit të KLSH-së vëren sesi shkeljet e konstatuara për procedurat e prokurimit në entet publike, janë në rritje, kryesisht në përdorimin e pajustifikuar të procedurave me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratave, pa studim të tregut për llogaritjen e fondeve limit, hartimin e kritereve të kualifikimit dhe specifikimeve teknike, në shmangie flagrante të konkurrencës, transparencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë. Ose kupton sesi fondet e sponsorizuara nga shoqëritë publike, duhet të trajtoheshin me të njëjtën përgjegjshmëri, ashtu si dhe fondet e tjera publike, si në drejtim të efektivitetit dhe efekteve pozitive të rezultuara nga financimit të tyre, ashtu edhe në drejtim të ligjshmërisë me rregullat e miratuara, me synimin që fondet e financuara të kenë arritur impaktin social të parashikuar.

Auditimet e grupeve të KLSH-së kanë afruar raste sesi nëpërmjet kontraktimit të operatorëve ekonomikë për menaxhimin e mbejteve urbane, një Bashki e caktuar si ajo e Tiranës p.sh., nuk ka arritur objektivat në drejtim të shërbimit të popullatës dhe ruajtjes së mjedisit. Apo sesi venddepozitimi i mbetjeve në zonën e Sharrës nuk plotëson kushtet e parametrat e një landfill-i bashkëkohor.

Auditime të tjera na bëjnë me dije sesi krijimi e mbulimi i kostove hidrokarbure fryhen nga ana e kontraktorit dhe shtetit shqiptar i paaftë për mosnjohjen dhe zbritjen e tyre, sa për shkak të përcaktimeve evazive në marrëveshje, po aq dhe për paaftësi në monitorimin e tyre. Me të drejt KLSH-ja kërkon vendosjen e gurit të themelit si ajo e hartimit të një ligji të ri për Hidrokarburet, miratimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve në Kuvendin e Shqipërisë, ngritjen e një Institucioni Shkencor të Naftës dhe Gazit, etj.

Ndërkohë që kontributi i KLSH shfaqet edhe në ruajtjen e trashëgimisë natyrore kombëtare, sepse vazhdimisht, ajo është kërcënuar dhe kërcënohet nga veprimtaria njerëzore mbi mjedisin dhe vlerat e saj, ku mbrojtja e tyre, si një proces tepër kompleks, kërkon njohjen dhe aplikimin e koncepteve të reja ekologjike, sociale, ekonomike, politike. Pas miratimit të ligjit “Pёr koncesionet”, audituesit e KLSH-së vërejnë se janë lidhur 501 kontrata për ndërtimin e HEC-ve private dhe atyre me koncesion, ku nga analiza kosto-përfitim, lind pyetja: a mundet që sektori energjitik të shlyejë faturën e dëmtimit të ekosistemit?! Shumëllojshmëria e auditimeve shpreh njëherësh një mozaik të reformave që janë kryer në KLSH.

Prezenca e figurave të shquarat të botës akademike, komunitetit të INTOSAI-t Europian, pjesëmarrja e shoqërisë civile, aktivizimi i institucioneve të tjera shtetërore flet për reformat që janë ndërmarrë për të shndërruar KLSH-në në një Institucion Suprem Europian të Auditimit të Jashtëm Publik. Vetëm përgjatë vitit 2016 deri në Mars 2017, i janë dërguar Parlamentit shqiptar 13 Raporte Auditimi, të cilat kanë në qendër abuzimin me fondet publike, korrupsionin, por mbi të gjitha ato kanë në fokus qytetarin, shoqërinë civile, moralin dhe shtresat në nevojë.

Ndaj me anë të këtyre auditimeve, KLSH-ja informon Kryeministrin dhe nëpërmjet Tij gjithë Qeverinë, Kryetarin e Kuvendit dhe nëpërmjet Tij Parlamentin, informon qytetaret dhe organizatat civile dhe nëpërmjet tyre gjithë popullin shqiptar në lidhje me situata buxhetore, duke iu këshilluar institucioneve publike zgjidhjet e se ardhmes në dobi të përfituesëve përfundimtarë, siç mund të jenë qytetarët. Ja përse audituesit e KLSH nuk vijnë thjesht si auditues të jashtëm publik për të gjetur shkelje, por ata shërbejmë në rradhë të parë si këshillues për institucionin që të përmirësojnë menaxhimin e tyre, sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave në fuqi, por edhe në bazë të parimeve të mirëqeverisjes publike dhe përdorimit me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të parave të takspaguesve shqiptarë.

Së fundi mund të shprehemi se janë këto auditime si pasqyrë publike e punës së audituesve të KLSH-së që i japin imazh modern e civil këtij institucioni, që e bëjnë të veçantë dhe i japin fytyrën e një institucioni në shërbim të prezantimit e respektimit të vlerave më të mira që ka Shqipëria dhe vendi. Ndaj, qytetarë, nëse doni shtet me të vërtetë dhe jo shtet lanet, le t’i kërkojmë Kryeministrit të zbatojë udhëzimet e KLSH, e pastaj të qeverisë si do vetë.

Share: