Qeveria duhet të ulërijë dhe të ndalojë këtë komedi zgjedhore që do të certifikonte edhe për katër vitet e ardhshme nga pikëpamja institucionale këtë gjendje që do ta quaja në koma të Akademisë së Shkencave
Historiani i njohur, Profesor Paskal Milo përfshihet në debatin për reformimin e Akademisë së Shkencave. Ashtu si një ditë më parë Prof. Xhevat Lloshi, edhe Prof. Milo thotë prerazi se kjo Akademi është jashtë funksionit, duke e konsideruar gjendjen e saj aktuale si në koma. Ai apelon qeverinë, por edhe kolegët akademikë për një ndërhyrje urgjente për ta shpëtuar Akademinë tonë të Shkencave…
– Profesor, besoj se e kini ndjekur debatin që është hapur për Akademinë e Shkencave. Pas pak ditësh do të mbahen zgjedhjet në këtë institucion.
Po ndjek me shumë vëmendje e shqetësim debatin e sapunisur dhe aspak të ri për Akademinë e Shkencave. Që puna do të arrinte në këtë situatë, tragjike dhe komike njëkohësisht, ka vite që është paralajmëruar. Nëse do të duhet të kërkohen përgjegjësit, dhe këtu nuk është fjalë vetëm për emra të përveçëm, dy janë kryesorët: Është vetë Akademia e Shkencave si institucion që në mënyrë graduale ndër vite u sklerotizua, u rrudh në mendime, ide, projekte e veprimtari substanciale dhe u zhyt në politika klienteliste, jo transparente dhe në qark të mbyllur si një shpk. Përgjegjësia e dytë e madhe ka rënduar tek disa nga qeveritë e tranzicionit, në ndërhyrjet e tyre për ta zhbërë Akademinë gjoja si një fortesë komuniste, e për ta kthyer në një institucion honorifik, formal e duke dhënë në shumicë bonuse (dhurata) titujsh akademikë dhe bashkë me to shpërblime respektove. E ashtuquajtura reformë e viteve 2006-2007 e katranosi përfundimisht Akademinë e Shkencave dhe institucionet kërkimore-shkencore të saj.
– Pra ju mendoni se Akademia është në kolaps dhe kaq nevojë emergjente për një reformim të thellë të saj. Si, çfarë strategjie duhet ndjekur dhe a duhet të ndërhyjë qeveria për këtë?
Padyshim që nuk është vetëm mendimi im, por besoj edhe i gjithë komunitetit të përgjegjshëm akademik shqiptar që Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet që të reformohet, por jo me një reformë për hir të reformës, sa për të shkuar radhën, sa për të zëvendësuar disa njerëz me disa të tjerë, por ka nevojë për një reformë të thellë, substanciale. Ka nevojë për ta përshtatur Akademinë e Shkencave në kushtet e reja në të cilat ndodhet Shqipëria. Ka nevojë që ajo të reflektojë detyrat e mëdha që ka Shqipëria në të gjitha këto procese integruese përmes të cilave kalon vendi për në Bashkimin Europian.
– A ka pasur përpjekje për ta bërë këtë reformim edhe më përpara?
– Po, dhe jo vetëm një herë. Kur në vitin 2013 u krijua qeveria e mazhorancës së majtë u shpresua se Akademia e Shkencave dhe gjithë sistemi shkencor në vend do të reformohej në drejtimin e duhur. Në programin e kësaj qeverie u shkrua e zeza mbi të bardhë se do t’i kushtohej një vëmendje prioritare Akademisë së Shkencave dhe shkencës në përgjithësi. Dhe me iniciativë të Kryeministrit Edi Rama, u krijua dhe një komision dhe u ngrit një grup ekspertësh, të cilët punuan për 6-7 muaj rresht pasi bënë me dhjetëra takime me institucione dhe me komunitetin shkencor në universitete dhe në qendrat e kërkimit shkencor dhe i doprëzuan qeverisë një raport prej 24 faqesh, i cili në fillim u vlerësua shumë pozitivisht. Por, për fat të keq dhe në mënyrë të pashpjegueshme, si rrjedhojë e ndërhyrjeve të paprincipta dhe lobimeve të qarqeve të caktuara që kërkojnë të ruajnë gjendjen aktuale të shkencës dhe Akademisë së Shkencave, ky projekt u la mënjanë dhe sot e katër vite nuk është hedhur asnjë hap konkret përpara. Kjo do të thotë se mbetet në rend të ditës që kjo çështje duhet trajtuar me urgjencën sipërore.
– Si konkretisht?
– Kjo duhet të bëhet me debate të tjera dhe me përgjegjësi, për të mos e instrumentalizuar shkencën, për të mos e keqpërdorur Akademinë e Shkencave. Nëse duhet të ekzistojë ose jo Akademia e Shkencave aktuale, kjo mbetet për t’u parë përmes një debati të gjerë kombëtar të komunitetit shkencor. E rëndësishme që duhet the4ksuar pa ekuivokë është se vendi duhet të ketë Akademi të Shkencave si të gjitha vendet e botës dhe Shqipëria nuk duhet të bëjë përjashtim. Por nuk duhet të ketë këtë akademi që ka, me këtë përbërje që ka, me3 një konglomerat njerëzish, pa kokë, pa këmbë, pa ide dhe që nuk është në gjendje të përmbushë detyrat që kjo akademi ka dhe që në vendet e tjera përmbushen për bukuri. Por këtu unë dua të këmbëngul edhe njëherë tjetër se pa ndërhyrjen urgjente të qeverisë dhe paq angazhimin institucional të saj kjo reformë nuk mund të bëhet dhe do të zhgënjenim veten në se do të shpresonim se kjo mund të bëhej me një dy apo tri mbledhje ku do të flisnin disa nje4rëz tashmë të artikuluar në idetë dhe qëndrimet e tyre për reformën.
Mua më ka shqetësuar dhe më shqetëson fakti që sot në Shqipëri, me gjithë këmbënguljen e ekspertëve nuk ka një institucion qendror që të përgjigjet drejtpërdrejt për mbarëvajtjen e shkencës në Shqipëri, që të ketë rolin koordinues të institucioneve shkencore në Shqipëri. Ministria e Arsimit që ishte edhe e shkencave, prej katër vjetësh është kthyer në ministri të arsimit dhe sporteve. Nuk ka pra një institucion që të merret me shkencën dhe ky është një handikap i madh për shkencën shqiptare. Kjo është urgjente. Dhe në emër të Komisionit që dikur ka sugjeruar disa mendime për ta reformuar shkencën, nënvizoj domosdoshmërinë e urgjencës të rifillimit të një debati të madh shkencor, por jo të përfundojë në një raport që përfundon e mbyllet në sirtarët e qeverisë, por të kthehet në një program pune për ta nxjerrë Akademinë e Shkencave nga ky kolaps vdekjeprurës në të cilin ajo ndodhet dhe jo vetëm atë, por shkencën shqiptare në përgjithësi.
– A është momenti i zgjedhjeve të reja në Akademi, një rast i mirë që qeveria të merret seriozisht me këtë çështje?
Qeveria duhet të ulërijë dhe të ndalojë këtë komedi zgjedhore që do të certifikonte edhe për katër vitet e ardhshme nga pikëpamja institucionale këtë gjendje që do ta quaja në koma të Akademisë së Shkencave. Është më se e domosdoshme që këto zgjedhje fasadë të mos bëhen. Madje, për aq sa ma lejon kortezia prej kolegu i disa prej akademikëve që janë aktivë sot në këtë proces, do t’u bëja thirrje në emër të këtij shqetësimi që po bëhet gjithnjë e më i madh, pasi nuk është i këtyre ditëve, ta ndalonin këtë pseudozgjedhje. Pse e them këtë? Sepse karriget, titujt dhe postet janë të përkohshëm, ndërsa nderimi dhe veprat janë të përjetshme. Këtu bëhet fjalë për një çështje madhore, për dinjitetin e një institucioni shumë të rëndësishëm dhe për dinjitetin e vetë shtetit.
Intervistoi Xhevdet Shehu