Krahas kthimit të Shqipërisë në një vend prodhues dhe trafikues të narkotikëve, paralelisht po konstatohet se numri i përdoruesve të drogave të jashtëligjshme po rritet me shpejtësi në Shqipëri, ku më të rrezikuarit janë të rinjtë. Si po kalohet nga hashashi te drogat më të forta, që në pjesën më të madhe janë përzierje jo cilësore me pasoja të rrezikshme.
Kostot që duhet të paguajë shoqëria për trajtimin, frenimin e rritjes së kriminalitetit dhe pasojat e uljes së produktivitetit, ndërsa qendrat e trajtimit të tyre po shkojnë drejt mbylljes prej mungesës së fondeve. Ekspertët ngrenë zërin se faktor për rritjen e prevalencës së përdorueseve po bëhet oferta e lartë në tregun vendas dhe se cilësia tepër e ulët po rrezikon shëndetin e popullatës…
Nga Ledina Loga
Nuk ishte aspak e vështirë të identifikoje që nga larg repartin e toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku në dyert e klinikës ishin përplasur të gjithë përdoruesit e heroinës. Metadoni në qendrën jo-fitimprurëse Aksion Plus kanë përfunduar prej ditësh, ndërsa sasia që duhet të vinte që në qershor po vonon, duke lënë në mëshirë të fatit këtë komunitet, që është i varur nga medikamenti qetësues, duke bërë që t’i drejtohen repartit të toksikologjisë në QSUT.
Pacientët kishin filluar të shfaqnin shenjat klinike të mungesës së metadonit, substancë që mban larg heroinës përdoruesit e varur. Toksikologjia në Tiranë, repart që nuk ka më shumë se 20 shtretër, trajton vetëm pacientët, që vijnë në gjendje akute.
Në mesin e tyre qëndronte një vajzë e re, nënë e tre fëmijëve, e cila kërkonte dozën e përditshme të metadonit, ndryshe nuk kujdesej dot për fëmijën, që kishte të shtruar në Spital. Te vajza kishte filluar që të shfaqej sindroma e abstinencës. Ashtu me padurim, ajo hyn në zyrën e doktor Alert Drishtit, duke na ndërprerë bisedën dhe si për të konfirmuar pohimet e doktorit lidhur me rritjen e përdoruesve të narkotikëve vitin e fundit.
Drishti, doktor në repartin e toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, tregon se në ditë të tilla, kur ilaçi mungon, bëhet i vështirë menaxhimi i përdoruesve. Në mungesë të ilaçit ata i rikthehen drogës. Për sa i përket tendencës së rasteve që paraqiten në QSUT, doktor Drishti thotë se ka një rritje të lartë të numrit të përdoruesve të kokainës dhe shton se përgjithësisht motivi që përplas përdoruesit tek ndihma e specializuar është ai ekonomik. “Vijnë kur nuk përballojnë dot më ekonomikisht që të blejnë drogë”,- shton doktori.
Në të gjithë Shqipërinë numri i personave që marrin trajtim për varësinë nga drogat është 800, prej të cilëve 719 marrin trajtim për varësinë nga heroina, sipas të dhënave nga Aksion Plus. Ndërsa drejtuesit e OJF-së tregojnë se trendi i përdoruesve ka qenë në rritje.
Një gram heroinë kushton në tregun e paligjshëm nga 3 deri në 5 mijë lekë. Ndërsa metadoni shpërndahet falas nga OJF-të. Deri para pak kohësh sasia e metadonit sigurohej me fondet që jepte GlobalFund, por duke qenë se Shqipëria nuk është më në listën e vendeve të varfra, ky fond është ndërprerë.
Genci Muçollari, drejtues i Aksion Plus, thotë se për të plotësuar nevojën me metadon kërkohet një buxhet vjetor prej 30-45 mijë euro. Sasia e metadonit, që merr çdo shtet përcaktohet nga Komisioni Europian.
Alarmi: Në rritje përdoruesit e kokainës jo cilësore
Doktor Alert Drishti tregon për “Monitor” se trendi i rritjes së përdoruesve të kokainës është i dukshëm në klinikën e toksikologjisë. Kjo tendencë konfirmohet dhe nga të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, të bërë të ditura pas kërkesës për informacion nga Monitor. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se për periudhën 2011-2015 ka pasur një rritje në përqindje të prevelancës gjatë jetës për pothuajse të gjitha drogat ilegale, nga 13.3 për qind në 15.3 për qind për grup moshën 14-65 vjeç. Shifrat tregojnë se rritjen më të lartë e kanë pasur përdoruesit e heroinës me 2.4 herë, ku prevalenca gjatë jetës është rritur nga 0.7 për qind në 1.7 për qind. Kokaina është droga e dytë që ka pasur rritje të lartë të prevalencës me 2.3 herë nga 2011 ku prevalenca ishte 1.6 për qind në 3.7 për qind në 2015-n.
Prevalenca gjatë jetës e kanabisit në 2015-n përllogaritej 6.6 për qind, ndërsa në 2011-n prevalenca e përdorimit gjatë jetës ishte 4.4 për qind.
Rritje të prevalencës ka pasur edhe grupi i inhalaneteve, të cilat janë përzierje e drogave të jashtëligjshme që merren me anë të tymosjes.
Në “Raportin Vjetor Global Të Drogave” për vitin 2017, publikuar në 23 qershor nga Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), krahas prodhimit dhe trafikimit, raporti jep alarmin se substancat narkotike po përdoren gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë. Në kapitullin “Analiza e tregut të drogave sintetike- stimulantët e tipit amfetaminë, substancat e reja psikoaktive”, kur flitet për përdorimin e substancave të reja psikoaktive, raportohet se djemtë shqiptarë, më shumë se vajzat kanë raportuar përdorimin e tyre.
Shqipëria rezulton si vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, sipas një harte interaktive po të UNODC. Në hartën, prevalenca vjetore e përdorimit për Shqipërinë ishte 2.5%, për të dhënat që i referohen vitit 2014 dhe për grupmoshat nga 15.64 vjeç (të dhënat janë marrë nga ISHP dhe janë bërë të krahasueshme me shtetet e tjera). Kjo është më e larta nga të gjitha shtetet që raportohen nga UNODC .
Pas Shqipërisë, përdorimin më të larë të kokainës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një prevalencë prej 2.3%. Më pas renditen shtetet e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia 2.34%, Anglia dhe Uellsi 2.25%. Spanja është e treta në Europë, me prevalencë 2.2%. Nga shtetet e tjera në botë ka një përdorim të lartë të kokainës në Australi (2.1%), Uruguai (1.8%), Kili (1.73%). Interesant është që Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj, ka një prevalencë të ulët prej 0.7%./ Monitor