Home KRYESORE Basha pritet të nisë skenar protestash kundër Ruçit dhe Xhafajt

Basha pritet të nisë skenar protestash kundër Ruçit dhe Xhafajt

Për kreun e opozitës, Lulzim Basha, kjo javë do të jetë intensive, pasi i duhet të vendosë për strategjinë që do ndjekë PD-ja për seancën e parë të parlamentit të ri, më 9 shtator si dhe do t’i duhet të zgjedhë emrat që do e përfaqësojnë në organet e Kuvendit, por edhe për funksionarët e grupit parlamentar.

Duket se Basha ende nuk ka vendosur për kryetarin e ri të grupit parlamentar, por as për kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve parlamentare, të cilët në bazë të rregullores i përkasin Partisë Demokratike.

Sesioni i ri parlamentar pritet të nisë me protesta para Kuvendit, të shtunën e 9 shtatorit, ku deputetët do të votojnë për qeverinë e re.

Vendimi në selinë blu pritet të merret këto ditë kur do të mblidhet edhe grupi parlamentar. Duket se skenarët e protestës po diskutohen në forumet organizative, ndërsa burime të besueshme theksojnë se po mendohet që ajo të shtrihet brenda dhe jashtë parlamentit, me synim për të pamundësuar votimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm.

Qartazi duket se në krye të protestës do të jenë Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë dhe FRPD.

Share: