Home KRYESORE A e dini ju se serbët, çdo 10 Gusht i falen një...

A e dini ju se serbët, çdo 10 Gusht i falen një shqiptares?

Nga Fate Velaj

…a e dini ju se serbët, çdo 10 Gusht i falen një shqiptares? Dhe jo një dosido. Por njërës nga Kanina. Angelina Arianiti Komneini. E bija e Gjergj Arianit Komneinit, babait të Donika Skënderbeut.

Angelina u martua në vitin 1461 me Despotin e verbër Stefan III Brankovic i Serbisë….(për mos shkruar gjithë historinë…)

Sot, nga Vjena u nisa në orën 2.30 të mëngjesit dhe, mbas gati 600km, në orën 7.15, në autostradën Novi Sad- Beograd, devijova tek dalja për qytezën Beška dhe vazhdova rrugën për të gjetur Angelinën nga Kanina.

Hyra në Manastirin e Krušedol ose siç quhet manastiri i Sveti Angelina (Angelinës së Shenjtë) ndërtuar nga vetë ajo mbas vdekjes së Stefan Brankovic. Vizitova të gjitha ndërtesat derisa erdhi Murgu Jakov dhe hapi derën për të parë Kishën ku ishte dhe varri i Angelinës.

E pyeta Murgun:

– nga cili qytet ishte Stefan Brankovič, varri i të cilit ishte në krahun e djathtë.
– nga Smederovo, – m’u përgjigj. E di ku ndodhet?
– Po, po. Kam qenë në Smederevo. Është matan Beogradit, në drejtim të Nis.
– Po, – mu përgjigj ai.
– Po Angelina, nga ishte e pyeta përsëri murgun dhe e pashe thellë në sy.
– Shqiptare, – më tha ai.

Atë moment, hapa çantën dhe nxora një buqetë me lule, me 7 trëndafila ngjyra-ngjyra përgatitur në Vjenë tek Blumen Jovani dhe ja vendosa Angelinës tek varri.

– Po këto, pse janë, – më pyeti Murgu Jakov.
– Janë në emër të djemve dhe vajzave të Kaninës, nga ku ishte Angelina…

Me këtë rast, dua të falenderoj Dr. Neki Dredha, ish kryetar i bashkisë Vlorë, Kryetar Nderi i Shqoqatës Patriotike Kanina dhe një nga intelektualët më të shquar të Vlorës që gjatë kësaj kohë, kemi biseduar shpeshhere për Angelinën duke mu bërë qëllim në vetvehte që një ditë, do ta gjej Angelinën nga Kanina…

☆ –

…në një kohë që nëpër Shqipëri del e dalin përditë njerëz që kërkojnë që Skënderbeun ta bëjnë Turk, Grek,, Arab, Çifut….e ku di une cilin shtet kane perpara syve ata e nga cili shtet e marrin rrogën, Murgu Jakov, në mes të serbisë, pa asnjë kompleks, tha se Angelina ishte shqiptare.

Dhe, nuk ishte rastësi që ajo, mbas vdekjes të së shoqit dhe ngeljes në varfëri, i kërkoj ndihmë mbretit Mathias të Hungarisë që, jo rastësisht ishte djali i Janos Hunyadi’t, mikut të kunatit të saj, burrit të së motrës, Skënderbeut.

Dhe, nuk është rastësi që, Peter Balasz- ministër i jashtëm i Hungarisë, në një letër që më dërgoi në 16 Qershor 2009, ndër të tjera më shkruante se ” …Janos Hunyadi dhe Skënderbeu ishin brother in arms”…

Share: