Home KRYESORE Miratimi i gjuhës shqipe, tensionohet situata në Kuvend

Miratimi i gjuhës shqipe, tensionohet situata në Kuvend

Në Kuvend është rritur tensioni për ligjin për përdorimin e gjuhëve. Deputetët e shumicës parlamentare kërkojnë miratimin e ligjit me yllin e Bashkimit Evropian për të përmbyllur edhe një pjesë nga Marrëveshja e Ohrit. Ndërkaq deputetët e opozitën të revoltuar bllokuan foltoren duke kërkuar shtyrjen e miratimit të tij si dhe debat publik.

VMRO-DPMNE-ja akuzon shumicën parlamentare se Ligjin për gjuhën shqipe po e sjell për qëllime politike. Respektivisht BDI-në, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, e akuzon se po keqpërdor ligjin për shqipen me qëllim relativizmin e dështimeve të saj. Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kërkon që ligji të kthehet nga fillimi dhe fillimisht t’i nënshtrohet një debati të gjerë publik.

“Ne kërkojmë që ky ligj në përpikëri të përputhet me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit. Kërkojmë që të mënjanohen të gjitha shkeljet procedurale të cilat janë bërë me qëllim, që të mundet më pas Kuvendit në atmosferë dhe gjendje normale të diskutojë për çështjet lidhur me këtë ligj. Dua të qartësoj posaçërisht për shqiptarët se VMRO-DPMNE dhe koalicioni saj nuk ka për qëllim të shmanget nga debati për përmirësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni”- deklaroi Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Seanca u mbyll pas pauzës së tretë që kërkoi VMRO-DPMNE-ja. Alsat M njofton se Kuvendi shpalli konkursin për anëtar të KSHZ-së, ndërsa vazhdimin e seancës plenare, Xhaferi e caktoi për të enjten ora 11. Gjatë të gjitha diskutimeve në seancë plenare, deputetët e mazhorancës injoruan plotësisht deputetët opozitare, duke mos replikuar në asnjë fjalim të tyre.

Share: