Home KRYESORE Nga A – ja te ZH – ja historike, o shqiptarë!

Nga A – ja te ZH – ja historike, o shqiptarë!

Nga Kasem Seferi

Në perandorinë Otomane u shquan, ndër të tjerë kombe, edhe kombi shqiptar. I referohem kujtimeve të Eqrem Bej Vlorës dhe babait të tij, fisnikut dhe largpamësit Syrja Bej Vlora dhe, pa dyshim, atij që njihet nga historia si themeluesi i shtetit shqiptar: Ismail Qemal Bej Vlorës.

Por, për të kuptuar se çfarë ka ndidhur në historinë e Shqipërisë që kemi sot, besoj fort (sikundër besojnë dhe shumë të tjerë që kanë lënë prapa pasuri mendore dhe jo materiale, dje, sot dhe do të lenë nesër, me patjetër), se duhet të tregohet qartë ajo u përket rendeve që ka parë bota deri më sot dhe, … , ndoshta, çfarë mund të shohë nesër.

Në këtë përpjekje individuale, më shumë se sa sfidoj, unë ftoj me dashamirësi dhe urim për mbrothësi, të gjithë ata që do ta ndiqnin këtë “shtegtim“ drejt së ardhmes që nuk njihet, por hamendësohet.

PO FILLOJ ME ÇFARË KANË THËNË DHE ÇFARË ËSHTË VËRTETUAR NGA HISTORIA.

Një dekadë pas rënies së Murit të Berlinit, lindi një sistem i ri botëror, natyra e të cilit nuk ishte fort e qartë, për arsye se ishte një sistem fluid dhe kompleks në evoluim dhe atëkohë nuk dihej se në çfarë drejtimi do të merrte evoluimi.

Historia ka treguar se fluiditeti në botën e sotme ka shembuj të mëparshëm në fazat e hershme të secilit prej pesë sistemeve të kaluara ndërkombëtare, sepse në secilin cikël jete kishte një tendencë për fluiditet dhe multipolaritet për t’u kthyer në ngurtësi dhe bipolaritet, me atë bipolaritet, që në kthim, rezultoi në konflikt të shkallës së gjërë (ose një Luftë të Ftohtë) dhe vdekje të sistemit ndërkombëtar ekzistues.

Ka shenja që historia mund të përsërisë vetveten dhe që sistemi i tanishëm ndërkombëtar mund të lëvizë në një fazë më bipolare dhe më të rrezikshme dhe për këtë arsye theksi vihet te roli i burrave të shtetit përsa i përket njohjes së këtij rreziku potencial me qëllim që ata të merren me këtë në mënyrën e duhur.

Por si kanë qenë sistemet e mëparshëm ndërkombëtarë?

Sistemi ndërkombëtar i vitit 1776, për dekada të tëra, ishte multipolar. Revolucioni Amerikan ishte pjesë e një proçesi më të gjërë që hap pas hapi krijoi kushtet për zgjidhjen e bipolaritetit të përqendruar mbi Francën dhe Britaninë e Madhe.

Pushteti i Napoleonit, që u rrit në fund të shekullit, ishte në gjendje të formonte aleanca fluide në Kontinent për të izoluar dhe shpartalluar armiqtë e tij. Sistemi u bë mjaft bipolar kur Britania, Rusia dhe aleatët e tyre u bashkuan kundër Francës agresive republikane dhe kjo përplasje kulmoi në betejat e Borodino – s, Leipzig – ut dhe Waterloo – s, pra sistemit të parë i erdhi fundi.

Një Europë e Përbashkët lindi në Vienë në vitin 1815, duke e drejtuar te sistemi i dytë ndërkombëtar, i cili u bazua në balancën e fuqisë së caktuar për të parandaluar ngritjen përsëri të një hegjemonie në kontinent.

Britania e Madhe veproi në mënyrë të pavarur si një balancuese, duke kontribuar për fluiditetin e sistemit. Sistemi i Përbashkët e ruajti paqen për më shumë se gjysmën e shekullit të 19 – të, me pjesën më të madhe të konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Turqisë në periferi të Europës.

Megjithëatë, revolucionet e vitit 1848 filluan të erodojnë legjitimitetin dhe kohezionin antihegjemonik që bëri që sistemi të funksiononte.

Ndërhyrja e Rusisë Konservatore në çështjet e brendshme të shteteve të Ballkanit nuk u pranua nga Franca dhe Britania liberale dhe, në këtë mënyrë, sistemi i dytë i dha fund me Luftën e Krimesë.

Periudha ndërmjet Luftës së Krimesë dhe Luftës së Parë Botërore, e ilustroi më së miri kthimin drejt bipolaritetit në evolucionin e sistemit ndërkombëtar. Otto von Bismarku i Prusisë një manipulator mjeshtër e përdori lirinë diplomatike që lejonte sistemi i ri për të bashkuar Gjermaninë.

Në përgatitjen për luftë me Danimarkën dhe Schlesvig – Holstein, Bismarku, së pari, siguroi mbështetjen e Austrisë; në përgatitjen për luftë me Austrinë, siguroi neutralitetin e Francës; në përgatitjen për luftë me Francën, e bindi Rusinë t’i zhvendoste forcat në një mënyrë të tillë që siguronin neutralitetin e Austrisë.

“Realpolitika” e suksesshme e Bismarkut vazhdoi deri në vitin 1890, kur Kaiser Wilhelm II e zevendësoi atë. Pa Bismarkun Gjermania nuk do të ishte në gjendje të menaxhonte sistemin kompleks dhe informal të aleancës.

Formimi i Aleancës së Trefishtë të Antantës dhe Aleancës së Fuqive Qendrore, herët në vitet 1900, krijoi një sistem më të rreptë bipolar, në të cilin, secili vend aleat, u bashkua më afër nga frika dhe izolimi.

Kështu angazhimet u riforcuan, ushtritë u bënë më të forta, planet e luftës ishin bërë më automatike dhe konfliktet u bënë pothuajse të pashmangshme.

Lufta e Parë Botërore dhe kolapsi i mbretërive anekënd Europës i çoi aleatët, në vitin 1919, në krijimin e një versioni zyrtar më global të një strukture kolektive sigurie që kishte sjellë një shkallë paqeje në Europë, herët në shekullin e 19 – të.

Në vend të një sistemi të përbashkët informal me një balancues gjysmë të pavarur, ata krijuan Lidhjen e Kombeve, sipas së cilës, shtetet ranë në ujdi të siguronin sigurinë kolektive me anë të lidhjes së vetvetes në aleancë kundër një agresori potencial dhe arsyeja ishte se u krijua një marrëveshje fluide e cila kërkonte të siguronte sigurinë pa aleanca të rrepta.

Eksperimentimi i Lidhjes me sigurinë kolektive dështoi sepse vende të tilla si SHBA, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania, nuk ishin anëtare deri në vitin 1926, si dhe për arsye se nuk u adoptuan masat strikte të shtrëngimit të propozuara nga francezët.

Gjatë viteve 1930 bota u pipolarizua në dy kampe të ngurta të diktaturave të Boshtit dhe Aleancës së demokracive. Dobësitë në kampin e Aleancës plus zhvendosjen e balancës bipolare për shkak të Paktit të Mossulmimit Sovieto – Nazist, ishin mhaft për ta bindur Hitlerin që do të funksiononte arritja e fitores nëpërmjet agresionit.

Lufta e Dytë Botërore i dha fund sistemit të katërt.

Sistemi i sigurisë së pasluftës, i formuar pjesërisht në Konferencat e Dumbarton Oaks dhe San Franciskos, ishte krijim i SHBA dhe i aleatëve të saj, të cilët ishin të vendosur për ta përdorur “shansin e dytë” të tyre për t’ia arritur kësaj ata krijuan një sistem të ri botëror të sigurisë kolektive i përfshirë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, që u mbështet edhe njëherë për ruajtjen e sigurisë jo mbi aleanca të ngurta, por mbi lidhje fluide të kombeve në Këshillin e Sigurimit.

Dështimi i tij ishte kërkesa e unanimitetit të Pesë të Mëdhenjve për çdo veprim ushtarak dhe ishte neni 61 i Kartës, i cili riforcoi të drejtën për vetëmbrojtje individuale dhe kolektive.

Multipolariteti i hershëm i sistemit të pestë zgjati vetëm pak vite pasi SHBA lëvizi për t’iu kundërvënë agresionit sovietik. Në prill 1949, mbi bazën e nenit 51 u krijua Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Bipolariteti u zyrtarizua në vitin 1955 me përfshirjen e Gjermanisë Perëndimore në NATO dhe formimin e Paktit të Varshavës, i cili u shpërbë në vitin 1989.

 

Historia sjell disa mësime që mund të jenë si një udhërrëfyes për diplomacinë sot, sepse është vërtetuar se sistemet ndërkombëtarë priren të zgjasin dy deri tre gjenerata. Ato krijohen dhe shkatërrohen nga konflikte në shkallë të gjërë.

Njësoj si me sistemet biologjike komplekse, sistemet ndërkombëtarë kalojnë nëpërmjet cikleve të jetës me lindjen, fleksibilitetin në rini, më i rreptë pasi sistemi piqet dhe vdekjen.

Secili prej këtyre pesë sistemeve fillimisht ishte më shumë multipolar se sa bipolar; multipolariteti i bëri ato më kompleks. Lëvizja në një sistem relativisht fluid dhe diplomacia shtetërore mundën të ishin fleksibël.

Pasi secili nga pesë sistemet u poq, u vendos një shkallë bipolariteti dhe kjo ishte më e dukshme në shekullin e 20 – të, me lidhje të ngurta që, hap pas hapi, rezultuan në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, si dhe në bipolaritetin e Luftës së Ftohtë.

Një fenomen i njëjtë ndodhi kur fuqitë e mëdha u lidhën kundër Francës herët në shekullin e 19 – të dhe përsëri kundër Rusisë në mesin e shekullit. Në të paktën katër prej pesë sistemeve, bipolariteti kishte konsolidime ideologjike.

Në të gjitha rastet palët u lidhën nga interesat e përbashkëta dhe nga frika e përbashkët. Sistemet u bënë më të ngurta si në rezultatin e furtunës politike, ose si rezultat i përdorimit të forcës nga të dy aleancat.

Në disa raste, faza e ngurtë bipolare ndodhi më vonë në ciklin e jetës së sistemit dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për dy sistemet e para historikë, sepse në rastin e Luftës së Ftohtë kjo ndodhi vonë dhe zgjati për dekada.

Në çdo rast kjo i çoi në përleshje. Në të gjitha por dhe në fund, kjo rezultoi në një luftë që e ndryshoi sistemin. Bipolariteti nuk ishte i vetmi faktor që prodhoi konflikt madhor, por ai vërtetoi një strukturë për këtë dhe duket se e ka bërë më me gjasa konfliktin.

Dekada e parë e sistemit të gjashtë përsërit modelin e hershëm në të cilin marrëdhëniet ndërmjet aktorëve kryesorë janë edhe njëherë më fluid dhe karakteristikat e sistemit bëhen të vështirë për t’i përshkruar thjesht dhe deri tani kjo mban titullin “periudha e pas Luftës së Ftohtë”.

Në të vërtetë, do të jetë e vështirë t’i japësh sistemit të tanishëm një titull të saktë derisa të piqet sistemi dhe të bëhen evidente karakteristikat e tij afatgjatë.

Sistemi i gjashtë ka pasur pesë kategori aktorësh dhe të paktën katër prirje dominuese dhe secila prirje i ndikon këto aktorë në mënyra të ndryshme, gjë që llogaritet shumë për kompleksitetin e dukshëm në sistemin e ri.

Aktorët më dominues janë demokracitë e tregut, ideologjia e të cilëve është bërë modeli botëror dhe nga fundi i shekullit të 20 – të më shumë se gjysma e kombeve të botës karakterizoheshin si demokraci.

Vendet në tranzicion përbëjnë grupin e dytë që, me shpresë, lëvizin drejt demokracive të tregut dhe më të rëndësishmit e këtyre shteteve në tranzicion janë Kina, Rusia, Brazili dhe India, sepse orientimi i tyre më i fundit mund të jetë përcaktuesi më i rëndësishëm në lidhje me atë si do të duket pjekuria e mëtejshme e sistemit.

Kategoria e tretë e vendeve përbëhet nga të ashtuquajturat shtete kundërshtues. Në mënyrë të dukshme në këtë kategori përfshihet Irani, Koreja e Veriut, Iraku, Libia, Sudani, Kuba, Venezuela dhe ndonjë tjetër.

Ndërsa kategoria e katërt janë shtetet e falimentuara nga katastrofat humanitare, etj.

Përfundimisht, aktorët joshtetërorë kanë filluar të marrin karakteristikat e shumë shteteve, sepse disa mbështesin demokracitë e tregut, siç janë kompanitë botërore dhe disa falen për to, siç janë organizatat e krimit ndërkombëtar dhe disa duan t’i rrëzojnë demokracitë e tregut, siç janë organizatat terroriste (këto dy të fundit quhen “të jashtëligjshëm në tranzicion”).

Katër prirjet mbarëbotërore kanë pasur efekte pozitive dhe negative mbi këto pesë kategori aktorësh me qëllim që, ose t’i bashkojnë, ose t’i ndajnë këta aktorë.

Rezultati neto është rritja e polaritetit në politikën ndërkombëtare, gjë që po e çon atë në një shkallë të bipolaritetit sistemik.

Globalizimi i shpejtë, e para e këtyre prirjeve mbarëbotërore, bazohet në teknologjinë e re të informacionit dhe ka zgjeruar shtegun e ngjarjeve në shkencën ekonomike, politike, në çështjet ushtarake dhe komunikimet.

Globalizimi ekonomik ka sjellë një pasuri të paparë për pjesën më të madhe të demokracive të tregut, gjë që i tërheq shtetet në tranzicion dhe mund të fuqizojë të paligjshmit ndërkombëtarë.

Shtetet kundërshtarë priren të kundërshtojnë aspektet politike, kulturore dhe disa ekonomike të globalizimit, ndërkohë që shtetet e dështuara nuk i mbledhin fare përfitimet e tyre dhe po shkojnë gjithnjë e më mbrapa.

 

Demokratizimi, prirja e dytë, ka pasur një efekt të ngjashëm, sepse mund të sigurojë transferime paqësore të pushtetit dhe tërheq shtetet në tranzicion, të tilla India, Rusia dhe Afrika e Jugut, por kjo ka thelluar çarjet brenda shumë shteteve të falimentuara pasi grupet etnike, fisnore dhe fetare, thjesht, votojnë për grupin e tyre.

 

Fragmentimi, prirja e tretë, në mënyrë ironike, është bërë stimuluese nga globalizimi pasi grupet kërkojnë ta diferencojnë vetveten në një botë të globalizuar dhe të maksimizojnë fuqinë në nivelin vendor dhe ky devolucion i fuqive është një fenomen që gjendet pothuajse kudo në botën e sotme, por ka një ndikim shumë të ndryshëm mbi aktorë të ndryshëm.

Në demokracitë e tregut, zakonisht, kjo i ka çuar në rezultatet të përgjithshme pozitive, të tilla si ndarja më e madhe e pushtetit. Megjithëatë, në pjesën më të madhe të shteteve në tranzicion (Rusia, Kina dhe India), fragmentimi ka çuar në konflikte të armatosuara, gjë që në kthim ka çuar në probleme politike shtesë ndërmjet këtyre shteteve dhe demokracive të tregut.

Fragmentimi përgjatë linjave etnike tani është shkaku kryesor i dështimit të shtetit dhe një gjë e tillë siguron mundësi të reja për organizatat kriminale dhe terroriste ndërkombëtare.

 

Parandalimi dhe lufta, prirja e katërt, e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, është bërë prioritet gjatë viteve të sistemit të gjashtë ndërkombëtar, sepse në pjesën më të madhe demokracitë e tregut janë bërë të vetëdijshme për rrezikun serioz të tyre, pasi përhapja e armëve të shkatërrimit në masë u jep shteteve kundërshtarë madje, dhe disa grupeve joqeveritare potencialin për të kërcënuar dhe minuar politikat e demokracive të tregut të udhëhequra nga SHBA, BE dhe Japonia.

Një vështrim i marrëdhënieve të tanishme ndërmjet fuqive të mëdha priret të konfirmojë një prirje drejt bipolaritetit, veçanërisht, po të merren në konsideratë marrëdhëniet e SHBA me Rusinë dhe Kinën, diferencat e mëdha ndërmjet Rusisë dhe zgjerimit të NATO – s, mbrotja raketore, përhapja e armëve kimike dhe naftës së Detit Kaspik, pa harruar diferencat në lidhje me raportin Kinë/Taivan.

Shqetësimi qendron te fakti që shtetet që kanë diferenca të forta politike me Perëndimin do të formojnë marrëdhënie informale bashkëpunimi që, hap pas hapi, do të çojë në një bipolaritet të ri dhe të rrezikshëm.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: