Home KRYESORE Zgjedhjet lokale në Maqedoni: Kush mund t’a hedhë shaminë?!

Zgjedhjet lokale në Maqedoni: Kush mund t’a hedhë shaminë?!

Nga Azem Parllaku

Pushteti ka mandat të limituar dhe llogaridhënës. Teksa në Maqedoni partitë politike kanë ndezur fushatën për zgjedhjet lokale të 15 tetorit, ashtu siç ndodh me të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, edhe qytetarët e Maqedonisë e kanë përvojën e madhe me politikanë, që përdorin çdo mjet për të arritur qëllimin t’a ruajnë, apo t’a rrëmbejnë pushtetin. Fushata për zgjedhjet e 15 tetorit zgjat 20 ditë.

Në garë për drejtimin e 80 komunave dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal marrin pjesë 19 parti politike dhe koalicione si dhe disa lista të kandidatëve të pavarur për këshilltar komunal. Maqedonasit nuk kanë nevojë t’a lexojnë “Princin” e Makiavelit, për të kuptuar se, politikanët i arrijnë synimet e tyre, duke mos i mbajtur premtimet e dhëna dhe duke mashtruar njerëzit. “Jetojmë në një Maqedoni makiaveliane, ku modeli i suksesit është mashtruesi, hajduti e gënjeshtari, madje jo vetëm në politikë”, shkruante dje, Qenan Aliu, komentues politik në republikën fqinje, ku shqiptarët janë faktor shtetformues. Në botën perëndimore, demokracia nuk kuptohet thjeshtë vetëm si një akt i shprehjes së vullnetit politik përmes votimit, por më shumë si një proçes i vazhdueshëm ku pushteti ka mandat të limituar dhe llogaridhënës.

Prandaj pyetja që shtrohet është: A ka këtë lloj demokracie Republika e Maqedonisë? Përgjigjia pa hezitim është Jo! Vlerësimet kanë dëshmuar se në Maqedoni nuk ka me shumicë demokraci në ndërtim. Kryetarët e komunave në Maqedoni zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë nga qytetarët, gjë e cila u mundëson atyre kredibilitetin dhe autoritetin për të qenë moderatorë dhe amortizues të vendimarrjes të këshillit të komunës, interesit të qytetarëve dhe veprimeve të administratës komunale. Sipas kësaj logjike, në pushtetet lokale qytetarët i përfaqëson Këshilli i Komunës, ndaj çdo subjekt politik lufton fort për të patur mandatet e nevojshme si shumicë vendimmarrëse.

Mirëpo, në Maqedoni këshilltarët e komunave nuk e kanë kryer sa e siç duhet misionin, përderisa shpeshherë ata mbeten vetëm si krushq, që nuk janë në dijeni, se ku kanë shkuar për të marrë nusen! Sistemi demokratik ka triumfuar mbasi ka krijuar tek masa e popullatës besimin se ofron më shumë drejtësi se sistemet e tjera politike. Gjate këtyre viteve klasa politike në Maqedoni, ka dështuar në mënyrë spektakolare në ofrimin e drejtësisë dhe si pasojë ka krijuar deformime të thella në strukturën sociale të vendit. Ndaj zgjedhjet lokale të 15 tetorit, si të parat që organizohen nga qeveria e re, pas krizës së thellë politike që e kaloi vendi tri vitet e fundit, mund të sjellin një dridhje të re politike.

Koalicioni VMRO-BDI, që ka vetëqeverisur shumicën e komunave përfshirë këtu edhe kryeqytetin e vendit Shkupin, nuk do t’a ketë fuqinë politike të dikurshme. Veçanërisht për elektoratin shqiptar në Maqedoni, këto zgjedhje duhet të spikatin si një epilog i rëndësishëm. Dhe që të ndodhë kështu, elektorati shqiptar nuk duhet të gabojë duke votuar në sajë të interesave të ngushta, apo në bazë të privilegjeve personale. Partitë e dëmshme politike duhen ndëshkuar, për t’u hapur rrugën partive të reja, që këto pastaj të ndryshojnë vertikalisht. A e kanë arritur votuesit në Maqedoni, në veçanti ata shqiptarë pjekurinë e duhur të kulturës dhe vetëdijësimit politik sa për të mos mbetur më pre e mashtrimeve të ndryshme?! Kur bëhet fjalë për vetëdijësim, kjo ka të bëjë me faktin se si rivaliteti politik në komunat me shumicë shqiptare “mund” të rikonfigurojë vullnetin e votuesëve.

Në zgjedhjet lokale, më së shumti flitet për një drejtësi shoqërore që fillon nga poshtë lartë, ndërsa në Maqedoni ndodhë e kundërta, sundimi drejtohet nga lartë poshtë. A do të jenë këto zgjedhje lokale në Maqedoni si fshesa e cila, disa parti shqiptare do t’i detyrojë të hedhin shaminë e të tjerat të nisin përgatitjet për ceremoninë e lamtumirës së fundit?! Për votuesit, as kësaj radhe nuk ndryshon asgjë. Ose ndryshon diçka nëse ata përshpejtojnë me vetëdije spastrimin e politikës së tyre nga fuqitë që i mbajnë peng. Xhemal Ahmeti, njohës i thellë i politikës në Maqedoni, nga prespektiva e analizës dhe informacioneve nga terreni, vlerëson se BDI dhe Aleanca për Shqiptarët do të fitojnë në disa komuna, PDSH maksimalisht e eventualisht vetëm në një komunë, ndërsa Besa nuk do të ketë asnjë shans.

BDI e Ali Ahmetit thotë se, kandidatët e partisë së tij kanë projekte të shumta për zhvillimin e komunave dhe se theksi kryesor gjatë fushatës do të jenë projektet e infrastrukturës, që sipas tij do të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Në ndërkohë BDI, është anatemuar mjaftueshëm si përgjegjësja kryesore për dështimin e shqiptarëve në Maqedoni, si forca politike që nuk luftoi aspak për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, si parti e funksionarëve pa profilin e mjaftueshëm për të drejtuar dhe të korruptueshëm. Aleanca për Shqiptarët, e Zijadin Selës njëherazi edhe kandidat për kryetar në Komunën e Strugës, beson fuqishëm tek votat e brezit të ri. Konsiderohet si grupimi politik i njerëzve me biografi të pastër, që vërtet kanë kapacitete për reforma në arsim, shëndetësi dhe të drejta politiko-kulturore të shqiptarëve.

Lëvizja Besa, partia më e madhe e opozitës shqiptare, argumenton gjendjen e rëndë të shqiptarëve, duke luajtur me kartën e keqqeverisjes së drejtuesve të BDI-së, e cila sipas saj, ka zhytur komunat në borxhe, dhe ka ndihmuar mafien urbane. Si parti që ka përfituar nga pastrimi i parave dhe ndërmjetësimi gjatë shitjeve të objekteve kulturore shqiptare Katarit e Turqisë, ky subjekt politik synon instrumentalizimin e religjionit për vota dhe deformimin kulturor të shqiptarëve.

Është përgjegjëse për mossuksesin e Platformës së përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, për të cilën, Besa, tha se u nënshkrua në Tiranë, edhe pse ajo ishte nënshkruar më herët. PDSH që drejtohet nga Menduh Thaçi thotë se pala maqedonase përmes partnerëve shqiptarë në qeveri synon të ngushtojë hapësirat e banuara me shqiptarë. Kujtojmë se në terren vetëm ata që s’dinë ku shkojnë tjetër kanë mbetur në këtë parti. Dy partitë kryesore maqedonase LSDM dhe VMRO në këtë fushatë për zgjedhjet lokale si asnjëherë më parë synojnë votat edhe në vendbanimet shqiptare. Retorika e tyre është zbutur tejmase, ata flasin për shqiptarët dhe të drejtat e tyre elementare. Lidhja Social-Demokrate që drejton Qeverinë, edhe në pushtetit lokal do të vazhdojë me retorikën e zgjedhjeve të fundit parlamentare duke u angazhuar për një shoqëri për të gjithë.

LSDM-ja pretendon që këtë koncept ta zhvillojë në partneritet me BDI-në e Ali Ahmetit, me të cilën është në koalicion qeveritar. Kjo parti ka nxjerrë edhe kandidatë shqiptarë në disa komuna, në të cilat shënoi rezultat të mirë në zgjedhjet e fundit parlamentare. VMRO DPMNE e Nikolla Gruevskit shpreson se, Maqedonia do të kthehet në rrugën e suksesit dhe zhvillimit. Mëngjes të ri për Gruevskin e dënuar për të bërë opozitë, kurrësesi nuk mund të ketë.

Nikolla Gruevski su nacionalist refraktar në intervistën e tij në Klan Kosova tha një të vërtetë: “Dështimet më të mëdha të shqiptarëve në Maqedoni vijnë nga paaftësia e tyre për të ofruar resurset njerëzore për të realizuar projektet”. Shqiptarë të Maqedonisë, përpara se të votoni, ndaluni dhe meditoni çfarë dëmesh u ka sjellë përçarja ky virus, që kërkon shërim, votoni sipas bindjes dhe perceptimit tuaj, pa harruar që, këto nuk janë vetëm zgjedhje lokale, por janë më shumë se kaq

Share: