Ministrat Damian Gjiknuri dhe Mirela Kumbaro zhvilluan sot një takim me një përfaqësi të banorëve himariotë në Vlorë. Ndërkohë qeveria nuk do tërhiqet nga plani vendor për ndërtimin e shëtitores së Himarës, projekt i cili prek disa banesa të vjetra. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa morën pjesë edhe krerët e Omonias, Vasil Bollano dhe Fredi Beleri.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri deklaroi se banorët të cilët preken nga ky projekt do kompensohen me vlerën e tregut. “Do bëhen kompensime dhe dëmshpërblimet për çdo banesë e cila preket nga zbatimi i këtij projekti.
Banorët do kompensohen me vlerën e tregut”, ka deklaruar Gjiknuri në këtë takim. Palët kanë rënë dakord për të zhvilluar edhe një takim tjetër të premten e ardhshme për gjetjen e një rrugëzgjidhje lidhur me këtë çështje ndersa duhet kujtuar se Komuniteti Himarjot ka me shume se nje viti qe proteston kunder ketij projekti.
Plani vendor i Himarës prek rreth 80 banesa përgjatë shëtitores e cila parashikohet të shtrihet deri në Potam. Kjo çështje është shndërruar edhe në mollë sherri mes Tiranës dhe Athinës.
Greqia pretendon se shtëpitë e vjetra të cilat do shemben i përkasin minoritetit grek, ndërsa Tirana zyrtare nuk njeh ekzistencën e pakicës greke në Himarë ndersa ka ratifikuar Konveten kuader te Keshillit te Europes te cilen Greqia nuk e ka ratifikuar.
Jo më larg se një ditë më parë ministri i Jashtëm grek, Kotzias i kujtoi Tiranës detyrimet që rrjedhin lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe konkretisht të minoritetit grek në Himarë.