Fjalimi i Rigerta Lokut në Parlament ka shkuar reagime masive në rrjetet sociale.
Gazetarja Alma Çupi që ka vizituar Shqipërinë nga cepi më cep, shkruan se situata është e tillë në çdo fshat të Shqipërisë dhe deputetët zhduken sapo marrin votat, ndaj sipas saj, fjalimi i Rigertës nuk i përlot deputetët.
“Lotet ju siguroj se nuk i prekin. Jane bere aq shume lot, sa eshte kthyer ne kuje. Fshati ka prekur fundin. Une e di pse qau Rigerta. Ajo vajze e paket ne trup ju siguroj se nuk eshte vajze qe qan. Forca e saj eshte sa gjithe deputetet aty. Rigerta qau se nuk sheh shprese. Ajo nxorri lotin e kujes te te gjithe atyre qe duan te jene ne token e tyre”, shkruan ajo.
Gazetarja Darina Tanushi e shikon fjalimin e saj në një tjetër prizëm, duke theksuar se Rigerta tregoi se zonjë nuk të bëjnë takat e larta apo veshjet firmato, duke shtuar se ajo ishte një model i përkryer se si “zonjë” nuk të bëni luksi ku ti jeton por fjala e mençur dhe ndershmëria.
“Rigerta nuk kishte as kompleksitetin me te vogel se vinte nga fshati apo se kishte rritur 350 krere dhi. Na dha sot nje model te perkryer, se si “zonje” nuk te ben luksi ku ti jeton, por fjala e mencur dhe ndershmeria, me te cilen ke ndertuar punen dhe perditshmerine tende”, shkruan ajo.
Erion Kristo thotë se zëri i Rigertës duhet dëgjuar sot dhe duhet përhapur.
“Degjojeni dhe perkraheni dhe perhapeni zerin e saj. Ai eshte zeri qe duhet degjuar sot”, shkruan ai.
Ish-deputetja e PD-së, Mimoza Hajdarmataj shkruan se Rigerta është deputetja e munguar e Parlamentit të Shqipërisë.
Hajdarmataj: Rigerta Loku, vajza nga Mirdita, e diplomuar në ” La Sapienza”, deputetja e munguar e një parlamenti, por deputetja e përhershme e një publiku në shumicë. Ky është modeli i gruas dinjitoze, e mencur por e heshtur, nëna e përkushtuar e fshatit shqiptar.
Gazetarja Edlira Gjoni shkruan se Gerta erdhi në foltoren ku të përkëdhelurat e politikës bëjnë paradë mode. Sipas saj, ajo nuk kishte çantë luksoze e as grim e kurim me çmime çmendurake as arrogancë me taksa të larta dhe diskutime të ulëta.
Fjalimi i saj është përhapur gjerësisht edhe tek shqiptarët në rajon.
“Shembull për të gjithë. Sidomos per kandidatet”, shkruan Forum i Gruas të Partisë Bashkimi për Demokratik dhe Integrim në Kumanovë./Ora News.tv/