Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot drejtorin e ri të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Agim Ismaili.
Rama hodhi akuza të ashpra ndaj paraardhësve në këtë drejtori të rëndësishme, si Isuf Shehu dhe Dritan Sejko të dy të PDIU-së.
Rama u kërkoi të gjithë drejtorëve të drejtorive dhe punonjësve të AKU që kanë shkuar në punë me parti të japin dorëheqjen. Të gjithë të tjerët, tha Rama, përfshirë dhe drejtorin e Përgjithshëm të cilin e emëroi vetë do të jenë në provë.
Duke qenese se AKU është nën varësi të Ministrisë së Bujqësisë, paralajmërimi nuk shkon vetëm për të emëruarit nga PDIU por edhe ata të LSI-së, pasi disa prej punonjësve i ka çuar ish-ministri i Edmond Panariti.
Pjesë nga fjalimi i Ramës gjatë prezantimit të drejtorit të ri të AKU-së
Zgjodha ta bëj me mediat këtë prezantim për shkak të problematikës serioze. Në AKU kemi një situatë praktikash, absolotisht të papranueshme, absurde në tërësinë e tyre, që e kanë bërë këtë institucion një problem kombëtar. Që i nxin jetën sipërmarrjes, që terrorizon dyqane dhe tregtarë të vegjël dhe që në fund fare nuk përmbush misionin e vet.
Historitë e AKU nëpër dogana janë të shumta. AKU s’do shkelë më në doganat e Shqipërisë, është e panevojshme ashtu sikundër analizimi i mallrave që kanë patentë ndërkombëtare.
AKU e ka paligshmërinë në rrugë, aty ku theret mishi nga thertore të palicensuara. Kjo do të marrë fund!
Sot në AKU ka ende pajisje laboratorike në kuti sepse ska ditur njeri ti përdorë. Janë futur njerëz në punë vetëm sa për të marrë një rrogë. Panoramë e frikshme e këtij institucioni. Ka edhe njerëz të zot dhe me integritet që duan të punojnë por nuk janë lejuar nga vendosja nën thundren e pushtetit të tepsisë.