Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupu, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli duhet të paraqiten sot para gjykatës, për të zhvilluar seancën e radhës mbi akuzat për gazin lotsjellës në Kuvend, të hedhur më 16 dhjetor 2015.
Në seancën e kaluar, kryetari i trupit gjykes, Beqir Kalludra, urdhëroi sjelljen me detyrim të Kurtin e Kadaj-Bujupit. Në këtë mënyrë, nëse Kurti nuk paraqitet sot në seancën gjyqësore, ai mund të arrestohet, raportojnë mediat vendase.
Në seancë të ftuar në cilësinë e dëshmitarëve ishin deputetët e koalicionit PAN, Blerta Deliu, Flora Brovina e Bekim Haxhiu, njëkohësisht edhe të dëmtuar në këtë proces gjyqësor.
Prokuroria pretendon se Deliu, Brovina e Haxhiu, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes.