Home KRYESORE “Osman Aga”, Erdogani dhe Lali i Vogël Edi Rama!

“Osman Aga”, Erdogani dhe Lali i Vogël Edi Rama!

Nga Dritan Laci

E mbani mend besoj dokumentarin e famshëm të Adela Peeva “E Kujt është kjo këngë”. Një histori sa komike, dramatike aq edhe tragjike në kërkim të rrënjëve të një kënge që regjisorja e famshme mendonte se ishte bullgare, por që kudo ku shkonte nëpër Ballkan gjithsecili i thoshte se kjo këngë ishte e tyre. Mu kujtua Adela Peeva dhe rrugëtimi i saj i jashtëzakonshëm  nëpër Ballkan për të gjetur gjurmët e një kënge, teksa shikoja dy ditë më parë se si serbët ia këndonin në gjuhën e tyre Presidentit të Turqisë Erdogan,  këngën aq të famshme tonën “Osman Aga”. Një “këngë” që kushton miliona euro në marrëdhëniet tregtare dypalëshe, po të mendosh investimin kolosal që Turqia do të derdhë në Serbi në vitet në vazhdim. Ku përnjimend një ndjenjë zilie të kaplon nga brenda, po ne shqiptarët qe e kërcejmë kaq bukur “Osman Agën” “herë me pare, herë pa pare” nëpër dasma, ku jemi ndërsa mendon se në Ballkan ka gosti dhe ne nuk jemi të ftuar gjëkundi.

Ndaj përnjimend mu kujtua; a nuk mund tja këndonte po aq bukur edhe Edi Rama sa Ivica Daçiç, “Osman Agën” vëllai Erdogan. Në fund të fundit Ramës i takon pasi siç thotë edhe vetë, ai është vëllai i vogël i Erdoganit. Dhe ku do kishte më bukur se kënga e “Osman Agës” për t’i marrë ca investime vëllait të madh. P.sh sa bënte të frikësuarin në automjetin e Erdoganit që e shëtiste me 120 km në orë në Urën e Bosforit, Rama mund ti kishte futur në kasetofon pa e kuptuar vëllait të madh, versionin shqiptar të Lalit të Vogël të “Osman Agës”; “Herë me pare, herë pa pare Osman Aga, luja Erdoganit ashiqare Osman Aga”. A e këndojnë më bukur se ne serbët “Osman Agën”? Besoj që jo. Por fakt është që tashmë Lali i Vogël në Ballkan në marrëdhëniet me Lalin e Madh nga Bosfori tani nuk është më Rama, por Bratko Daçiç, që në fund të fundit duhet ta pranojmë që ka edhe zë për këtë punë. Që duket se ja ka marrë dorën mikrofonit në dasma të tilla. A nuk bëri kështu kur ja mori këngës kur Rama shkoi në Beograd!

Ndaj sot nëse duhet ti gjejmë një titull dokumentarit të marrëdhenieve vëllazërore midis Lalit të Madh nga Bosfori dhe Lalit të Vogël në Ballkan, titulli më i mirë do ishte “Kush e kërcen më mirë ‘Osman Agën”. Dhe a është më Edi Rama, që e shpalli Turqinë prioritet gjeopolitik në fillimin e mandatit të tij të parë si kryeministër,  Lali i vogël i Preferuar I Vëllait të Madh nga Bosfori. Investimet marramendëse të Turqisë në Serbi tregojnë më së miri se kush po e heq vallen e “Osman Agës” në Ballkan.

Ndërkohë që Shqipëria është kthyer në një konglomerat ku gjithsecili kërkon të pastrojë mbetjet e veta njerëzore dhe organike, ne pikërisht nuk dimë çfarë përfitojmë si shtet në këmbim. Psh, çfarë përfitojmë në këmbim të 2 mijë muxhahedinëve që do gjejnë strehë në Shqipëri, përveç rrezikut të vazhdueshëm të sigurisë që do të kemi?!! Çfarë do të përfitonim në këmbim të mbetjeve kimike siriane nëse do vinin në Shqipëri?!! Çfarë do të përfitonim në këmbim të plehrave që do na vinin nga përtej Adriatikut?!! Askush nuk e di. Po të shikosh marrëdheniet turko-shqiptare më shumë duken si peng i luftës tashmë të shpallur erdoganiste-guleniste.  Mjafton të shikosh investimet turke në Shqipëri, dhe jo vetëm ato por të huaja në përgjithësi, që kanë rënie nga viti në vit. Ndaj nuk na mbetet asgjë tjetër për të thënë. “na rroftë që dimë të kërcejmë “Osman Agën” në dasma dhe kryeministri ynë mburret që ka vëlla Erdoganin, se me sa duket paret e ahengut, xhepat dhe syrin po ja lu tjetër kush vëllait të madh nga Bosfori./ Opinion.al

Share: