Piramida Maslow, e njohur si piramida e nevojave, është përdorur gjerësisht në fushat e psikologjisë, sociologjisë, por pothuajse asnjëherë në fushën politike. Së fundmi, është përshtatur për fushën e biznesit, por unë mora guximin ta përafroj dhe ta ndërtoj për nevojat e qeverisjes dhe fushës politike. Më poshtë është piramida, e cila mund të analizohet për aktualitetin ku ndodhet qeverisja shqiptare dhe pritshmëritë e qytetarëve ndaj qeverive dhe politikanëve.
Nëse i referohemi Piramidës Maslow në kontekstin qeveritar, mund të themi se shteti dhe qeveritë shqiptare janë ende në përmbushje të Nivelit 1. Siguria për stabilitet të institucioneve dhe administratës publike na nxjerr në pah nevojën dhe rëndësinë, që kanë burimet njerëzore. Burimet njerëzore janë baza për funksionimin e institucioneve për përmbushjen e qëllimeve për të cilat qeveria është krijuar. Problemi i trashëguar në Shqipëri është militantizmi i administratës publike, pasiguria për vendin e punës kur ndërrohen forcat politike, mungesa e motivimit, specializimit të nëpunësve dhe investimeve në administratë. Ende nëpunësit publikë kalojnë nëpër ferrin politik, ku në çdo hap ndjejnë presionin e tij. Gjithashtu, problem kryesor mbetet edhe profesionalizmi i administratës, ku jo gjithmonë shohim njerëz të shkolluar, që punojnë në profilin e tyre. Kjo mungesë sjell ngërç funksional, i cili ka shkaktuar rritje të korrupsionit, duke filluar që në nivelet më të ulëta të administratës e deri në majë të saj. Nëse nuk zgjidhet inefiçenca e administratës, atëherë kjo na e rrëzon të gjithë piramidën e sistemit funksional të qeverisë.
Niveli 2, Qeverisja dhe reformat, nënkupton që qeveritë ndër vite hartojnë reforma, por pjesa më e madhe e tyre ngelet në letër ose zbatohen pjesërisht. Pothuajse asnjë reformë e rëndësishme nuk është hartuar dhe zbatuar e plotë, duke lënë hapësira për përmirësim, diskutim, abuzim dhe nevojë urgjente për ndryshim. Mosrealizimi i reformave dhe mungesa e efiçencës së tyre shkakton ngërç politik-ekonomik, si dhe le në ngërç investimet e huaja dhe ato të brendshme.
Niveli 3 lidhet me prezencën e shtetit dhe ndjesitë, që kanë qytetarët kundrejt saj. Në Shqipëri prezenca është pothuajse e papërfillshme dhe ndjehet më shumë me anën e barrës fiskale, kontrollet dhe presionet, ryshfetet, sesa për të qenë partner me biznesin dhe të sigurojë qytetarët me nevojat bazike (shëndetësi, arsim, rend-siguri, ushqim-strehim, drejtësi).
Niveli 4, Respekti dhe vlerësimi i qytetarëve ndaj qeverisë dhe punës së saj mbetet në nivele të ulëta. Sondazhet tregojnë se besimi dhe reputacioni lë për të dëshiruar edhe në rastet kur qeveritë kanë arritje. Kjo vjen si rezultat i zhgënjimeve të vazhdueshme, të cilat vijnë nga premtimet elektorale të pakryera ndër vite. Ky nivel konsiderohet shumë i rëndësishëm për qeveritë dhe politikanët, pasi kjo tregon nivelin dhe numrin e ndjekësve si dhe fitimet e mandateve qeverisëse.
Niveli 5, Morali, kreativiteti dhe zgjidhja e problemeve është niveli më i lartë, që kërkon një qeveri të arrijë. Për fat të keq, në Shqipëri të tria elementet e nivelit 5 janë të papërmbushura dhe larg pritshmërive, që ka qytetari për modelin e politikanit shqiptar. A kemi zgjidhje të problemeve në Shqipëri? Ende jo!
Akoma pas 27 vitesh, në programet politike ka ende premtime bazike si ato për drita dhe ujë 24 orë, shëndetësi dhe arsim falas, siguri dhe shërbime. Në Shqipëri vuajmë nga sindroma e politikanëve-qeveritarë të pasur me popull të varfër. Realiteti shqiptar është shumë ndryshe nga ajo që promovohet. Gjithçka është një premtim në letër, ku nuk punohet për të siguruar nevojat bazike të popullsisë. Përditë e më shumë reagimi qytetar po kthehet në një zë të mbytur!
* Drejtore ekzekutive “Economic Intelligence Center”