Home KRYESORE Pakti Rama- Meta për kreun e SHISH, a kishte prapaskena takimi 30...

Pakti Rama- Meta për kreun e SHISH, a kishte prapaskena takimi 30 minutësh?

Krejt papritur kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika, ka dhënë dorëheqjen. Një lajm, që në fakt erdhi surprizë në këtë të hënë tetori, po të kemi parasysh faktin, që publikisht ishte folur për një rikonfirmim të mandatit të dytë të Likës, pas përfundimit të mandatit të tij të parë në gusht.

Pak ditë më parë, analisti Lorenc Vangjeli në studion e emisionit “Opinion” foli për një marrëveshje faktike mes Ramës dhe Metës për të mos e lëvizur kreun e SHISH, i cili ka varësi direkte nga këto dy institucione.

Por ngjarjet janë zhvilluar me shumë shpejtësi këtë paradite, kur vetëm pak minuta pas publikimit të dorëheqjes së Visho Ajazit, Kryeministri Rama shkon të takojë në zyrën e tij presidentin Meta, për të parën herë në një takim mes tyre.

Kanë mjaftuar vetëm 30 minuta, që të dy të bien në konsensus për emrin e ri, që është ai i Helidon Bendos, deri më sot zv. Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Bendo, është emëruar si zv.drejtor një vit më parë si zgjedhje e të majtëve dhe e qeverisë Rama, ndërsa është prezantuar ne 2016 në këtë detyrë nga Sandër Lleshi, asokohe Këshilltar i Kryeministrit për Sigurinë.

Pyetja që ngrihet në këtë panoramë ngjarjesh është: Cila qe arsyeja që i ndryshoi kursin lëvizjeve? Përse Visho Ajazi dha dorëheqjen, kur mendohej se do të siguronte edhe një mandat të dytë?

A ndikoi çështja Tahiri në këtë vendim? Si është e mundur që Rama dhe Meta dakordësuan kaq shpejt për këtë çështje delikate, duke lënë mënjanë inatet politike?

Le të mos harrojmë, cilësimin që e majta i ka bërë gjithmonë Ajazit, si “njeri i Berishës”. / Opinion.al

Share: